Së shpejti, në Gjirokastër nis projekti për rikthimin e mjeshtërve të kalldrëmeve
Rrugëve të Gjirokastrës kanë nisur të duken mjeshtrit e gdhendjes, ata që u bënë të harruar që pas ‘90-ës, duke e lënë pasurinë e rrallë të trashëgimisë së qytetit të gurtë nën një degradim të pangjashëm në histori. Në kuadër të projekteve për restaurimin e kalldrëmeve në pjesët më karakteristike të qytetit, si dhe për kthimin në identitet të disa banesave karakteristike të kategorisë së parë, dega e monumenteve të kulturës në Gjirokastër ka thirrur pranë saj mjeshtrit e vërtetë të gurit, të cilët shumë shpejt do t‘i rikthejnë shkëlqimin qytetit muze. Projekti i miratuar nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve është projekti i parë konkret për restaurimin e rrugëve të shtruara me kalldrëm. Drejtori i degës së monumenteve të kulturës në qytetin e Gjirokastrës, Spartak Drasa, tha se "për herë të parë, pas viteve ‘90, drejtoria jonë ka thirrur për të punuar mjeshtrit e vërtetë të gurit, ustallarët e jetës, për t‘u dhënë kalldrëmeve formën e duhur dhe estetikën e munguar". Drasa bën të ditur se institucioni që ai drejton ka "një varg projektesh, të cilat do të gjejnë zbatim gjatë këtij viti, që është edhe viti vendimtar për Gjirokastrën në UNESCO".
Punimet e shumta nga ndërmarrje të ndryshme në qytet, si ajo e Telekomit, ujësjellësit apo edhe ndërhyrjet private të banorëve, kanë kryer një masakër të vërtetë në rrugët e kalldrëmta, karakteristikë kryesore e Gjirokastrës. Por, thotë Drasa, me daljen e ligjit të ri mbi trashëgiminë kulturore krijohen hapësira për raporte mirëkuptimi midis pronarëve dhe shtetit, për të realizuar restaurimin e mjaft veprave monumentale të rrënuara. "Megjithatë, është më se e nevojshme që bashkia e qytetit të vendosë një tjetër sistem qarkullimi të automjeteve në pazarin karakteristik, një tjetër regjim lëvizjeje për të krijuar mundësinë e ekspozimit të vlerave kulturore e sidomos të organizimit të panaireve, festave. I domosdoshëm është dhe rigjallërimi i dyqaneve karakteristike, i mjeshtërive të punimeve artizanale. Mbi këto koncepte, duke punuar vazhdimisht për restaurimin e gjithë pazarit, do të mund t‘i kthejmë shkëlqimin qytetit", përfundon Drasa.











