Ina Rama Po “luftojme” per pavaresi nga politika
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Rama tha se ka një kontratë me shtetin shqiptar për mbarëvajtjen e mirë të akuzës të cilën do ta përfundojë. “Jemi përpjekur të forcojmë pavarësinë e sistemit të prokurorisë në dy momente: forcimin e pavarësisë së prokurorisë nga palët e treta, nga politika, pra nga palët jo legjitime dhe po forcojmë pavarësinë e vendimmarrjes së prokurorit të shkallës së parë”, theksoi kryeprokurorja, duke shtuar se i është kërkuar të gjitha punonjësve të akuzës të mbështeten në ligj dhe Kushtetutë.
Kontrata
Kryeprokurorja tha dje se pavarësia e sistemit të akuzës është kontrata e saj me shtetin shqiptar, të cilin do e çojë deri në fund. Më tej shtoi se asnjë presion apo ndërhyrje nuk mund të justifikohet, duke saktësuar se disa kohë më parë ka urdhëruar të gjithë prokurorët e shkallës së parë të “spiunojnë” drejtuesit gjatë përplasjeve për një vendimmarrje. “Secili prokuror është i lirë të marrë vendime dhe nëse këto vendime kundërshtohen nga eprorët, atëherë ky prokuror duhet të njoftojë zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm me një relacion për këtë vendimmarrje. Më pas, është akuza qendrore, e cila vendos për këtë çështje”, tha Ina Rama, duke shtuar se kjo ndihmon për të individualizuar përgjegjësitë.
Duke iu kthyer tematikës së bisedës për binjakëzimin e prokurorive të Shqipërisë, Italisë dhe Spanjës, kryeprokurorja Rama deklaroi se ndihma është e çmuar e kombinuar me angazhimin maksimal të strukturave tona përgjegjëse. “Ajo që unë do të vlerësoja më tepër është krijimi i premisave të duhura për ta shndërruar përfundimisht prokurorinë në një institucion me rregulla të qarta të funksionimit të brendshëm, ku do të krijohet balanca e duhur mes nevojës vitale për rritjen e nivelit të organizimit, koordinimit e kontrollit nga njëra anë dhe demokratizimit të brendshëm përmes transparencës dhe krijimit të mekanizmave për përçimin e problematikës dhe nevojave të prokurorëve nga baza drejt qendrës nga ana tjetër”, vijoi Rama.
Vlerësimi i prokurorëve
Si pasojë e ndihmës italiane e spanjolle këshilli i prokurorisë ka miratuar projektrregulloren për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor, projekturdhrin për organizimin e mbledhjes së prokurorëve, si dhe projekturdhrin mbi procesin e trajnimit të prokurorëve. Ndërkohë që është pothuaj gati drafti i rregullores së brendshme të organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme. “Një tjetër komponent që dua ta vë në dukje për rëndësinë themelore që paraqet është ai mbi vlerësimin e prokurorëve. Për herë të parë, ne do të kemi një draft për vlerësimin e prokurorëve, i cili shumë shpejt do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë e të rëndësishëm në të cilin do të thithet mendimi i të gjithë trupës së prokurorëve, duke synuar kështu krijimin e një sistemi vlerësimi sa me realist për shkak edhe të kompleksitetit që ai paraqet”, tha Rama.
Me ndihmën e ndërkombëtarëve një nga shtysat e projektit ka qenë edhe hedhja e hapave të parë për miratimin e një memorandumi të bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që do të synojë harmonizimin e punës së dy inspektorateve. Tashmë është në formim e sipër grupi i punës në Prokurorinë e Përgjithshme që do të nisë të negociojë detajet e këtij memorandumi.
Gazeta Shqip