Pa paragjykuar vendimmarrjen e grupit, duket se në kampin rozë mbizotëron mendimi që të kthehen në Kuvend për të qenë gati në çdo moment që mazhoranca do të pranojë të diskutojë për dy nismat, siç është edhe ndryshimi që pritet ti bëhet nesër për këtë qëllim kalendarit të punimeve trejavore. Megjithatë, rikthimi i deputetëve socialistë në Kuvend nuk pritet të shërbejë për jetën normale të këtij institucioni në seancë plenare, pasi prania e tyre mësohet se do të jetë vetëm në funksion të hetimit të zgjedhjeve. Kështu, të njëjtat burime bëjnë të ditur se grupi socialist do të investohet i tëri në debatin për zgjedhjet dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë diskutim të ndonjë projektligji tjetër që është përfshirë në rendin e ditës së sotme. Por, nga ana tjetër nuk dihet se cila do të jetë sjellja e mazhorancës karshi këtij qëndrimi që do të mbajë opozita, pasi në seancën e sotme ajo ka parashikuar miratimin e një ligji shumë të rëndësishëm siç është ai për Gjykatën Administrative që kërkon 84 vota për tu miratuar.
Nuk përjashtohet mundësia që shumica parlamentare ta përdorë këtë moment për të kërkuar votat e opozitës për miratimin e këtij projektligji si këmbim për lëshimin që do të duhet të bëjnë më pas për ndryshimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit për të përfshirë diskutimin në seancën e datës 18 mars të projektligjit për hetimet parlamentare dhe të kërkesës për ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor kuvendor. Një skenar i tillë favorizohet edhe nga renditja e çështjeve për të cilat do të diskutojë sot seanca plenare, ku projektligji për krijimin e Gjykatës Administrative është parashikuar në kalendar të diskutohet si pikë e tretë, ndërsa miratimi i projektvendimit për ndryshimin e kalendarit tre javor si pikë e fundit.
Gazeta Shekulli











