Nisma ligjore e PS-se projektligj ne Kuvend per hapjen e kutive

Nisma ligjore e PS-së, projektligj në Kuvend për hapjen e kutive
TIRANË - Partia Socialiste bën publike nismën e saj ligjore që në thelb synon transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Deputetët e Partisë Socialiste dorëzuan dje në sekretariatin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar si dhe draftin për disa ndryshime në ligjin "Për organizmin dhe funksionin e komsioneve hetimore".

Duke iu referuar realacionit që shoqëron këtë draft mësojmë se PS kërkon që përmes hetimit të zgjedhjeve të evidentohen përgjegjësitë ligjore dhe institucionale të subjekteve të përfshira në proces si edhe do të propozohen masa legjislative, administrative etj.
BE-së.

Kështu kërkohet të ndryshohet neni 4, pika 5, duke parashikuar që komisionet bashkë me raportin përfundimtar ti paraqesin Kuvendit edhe rekomandime lidhur me ndryshime të mundshme ligjore për të parandaluar përsëritjen në të ardhmen të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe marrjen e masave të mëtejshme nga organi i prokurorisë.

Në nenin 2 të projektligjit të propozuar nga PS-ja thuhet se në nenin 6 të ligjit ekzistues të shtohet pika 6/a, e cila parashikon rishtazi që, ne rastet kur kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve qe lidhen me zgjedhjet e përgjithshme ose ato te qeverisjes vendore, ky komision nuk mund të ngrihet nëse kane kaluar 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit dhe 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore.

Në nenin 9 të projektligjit, pas pikës 3 propozohet të shtohet pika 3/a që parashikon se në rastet kur kërkohet të hetohen problematika të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, apo të zgjedhjeve të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit duhet t'i përkasë partisë më të madhe opozitare.

Në Kreun e IV-të të ligjit, propozohet ndryshimi i nenit 17 të tij. Rregullimi i ri parashikon qe ne shërbim te hetimeve mbi çështjen, komisioni administron dokumente zyrtare, prova filmike si dhe te dhëna te tjera qe, ndihmojnë ne zhvillimin e hetimeve. Po këtu detajohet detyrimi i organeve shtetërore kompetente që i disponojnë këto të dhëna apo prova për t'i përcjellë zyrtarisht ose vënë në ato në dispozicion të komisionit, sipas kërkesës së tij. Në rastet kur është kërkuar hetimi i zgjedhjeve për Kuvendin ose për qeverisjen vendore, në shërbim të hetimeve mbi çështjet komisioni me shumicë votash mund të vendosë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar sipas rastit një ose disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një ose disa kutive të fletëve të votimit duke urdhëruar rinumërimin e tyre.

Për shkak të prioritetit që ka miratimi i këtij projektligji në funksion të zgjidhjes së krizës aktuale politike dhe mbështetur në nenin 28 të rregullores së Kuvendit kërkohet miratimi i këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar.

Partia socialiste propozoi që të ketë shumicën në këtë komision (përkatësisht 8 me 7 anëtarë) si dhe kryetarin e komisionit. Sipas PS-së, komisioni duhet ta ushtrojë veprimtarinë në një afat jo më pak se 5 muaj dhe nuk duhet të tejkalojë kufirin e 24 muajve.

Drafti shoqërohet edhe me kërkesën për ngritjen komisionit hetimor që vijon e plotë si më poshtë:


K Ë R K E S Ë


Drejtuar : Kuvendit të Shqipërisë.

Me objekt: Ngritjen e një komisioni hetimor, për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë Qershor 2009.

E nderuar Zonja Kryetare e Kuvendit,


Në përputhje me nenin 77 pika 2 e Kushtetutë, ne kërkuesit, mbi 35 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, po paraqesim këtë kërkesë për ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor, për të hetuar shkeljet e ligjit të ndodhura gjatë përgatitjes dhe zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.


Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar që duam të kryejmë ka lidhje me cështje të tilla si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, trasnferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës zgjedhore për personat e dënuar për vepra penale dhe cështje të tjera të lidhura me zbatimin e ligjit zgjedhor që kanë lidhje direkt apo indirekt me problemet e përmendura në objektin e hetimit.


Në përputhje edhe me rekomandimet e delegacionit të KE, i ardhur për të negociuar në lidhje me krizën politike në vend si dhe vecanërisht në zbatim të Rezolutës 1709 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku i bëhet thirrje mazhorancës "të ngrejë pa humbur kohë komisionin hetimor parlamentar në lidhje me zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 duke i dhënë shumicën e anëtareve të komisionit hetimor opozitës parlamentare", Grupi propozues ka paraqitur edhe projekt vendimin përkatës për objektin e punës, modalitet dhe përbërjen e komisionit hetimor parlamentar.


Në këtë projekt-vendim që i bashkëlidhet këtij propozimi, janë qartësisht të reflektuara objekti i hetimit, përbërja dhe kohëzgjatja e komisionit e cila është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin në fuqi për komisionet hetimore.


Në këto rrethana, me qëllim sqarimin e fenomeneve të dala nga zbatimi i keq i ligjit, identifikimin e përgjegjësive nga organet apo personave zyrtar përkatës, analizimin e gjetjeve për të përgatitur rekomandimet për ndërhyrje ligjore e administrative për parandalimin apo eliminimin plotësisht të tyre në të ardhmen, kërkojmë ngritjen e menjëhershme të Komisionit Hetimor sipas projektvendimit që i bashkëlidhet kësaj kërkese.

*********************

Rama: Pse hyjmë sot në Kuvend

Kur kërkova votën e socialistëve në të gjithë Shqipërinë për ta udhëhequr këtë betejë, nuk e mendoja se në më pak se gjashtë muaj do të arrinim kaq shumë.


Jo sepse kam dyshuar, qoftë edhe një sekondë të vetme, në drejtësinë e kauzës së transparencës së zgjedhjeve, por, sepse kam qenë i vetëdijshëm për forcën e armëve të kundërshtarit në pushtet në kushtet e një vendi të rraskapitur nga varfëria, të nëpërkëmbur nga pushtetet gjyqësore e mediatike, të mbetur në periferinë e vëmendjes ndërkombëtare.

Në më pak se gjashtë muaj ne nuk jemi më të rrethuar nga verbëria e shurdhëria ndaj kauzës sonë të drejtë.


Kjo kauzë nuk është më vetëm kauza e 93% të socialistëve që me kurajë panë larg dhe votuan për bojkotin e për protestat, po e një populli të tërë që kërkon transparencën e zgjedhjeve.


Kjo betejë nuk është më vetëm beteja e të majtës, po edhe e të djathtës që nuk varet nga interesat e pushtetit të familjes kryeministrore.
Kjo çështje është bërë tanimë jo vetëm çështja e çdo shtëpie shqiptare, po edhe e çdo tryeze ndërkombëtare ku flitet për Shqipërinë.


Ja pse unë dua t'i falënderoj me gjithë shpirt, të gjithë deputetët që e mbrojnë këtë kauzë me vendosmëri e sakrificë dhe e bëjnë atë të përparojë përmes shembullit të qëndresës së tyre. Në më pak se gjashtë muaj, refuzimi ynë për t'u bërë pjesë e një parlamenti fasadë që fsheh një krim elektoral, ka nxjerrë në pah plotësisht krizën e demokracisë në Shqipëri.


Kjo krizë nuk i ka rrënjët tek mungesa jonë në parlament, po tek zgjedhjet e grabitura dhe tek ky parlament që prej gjashtë muajsh ndalon transparencën.


Duke përballuar presione të jashtëzakonshme nga të gjitha anët dhe diversione të turpshme, që vetëm provojnë frikën e madhe të pushtetit të korrupsionit nga transparenca të gjithë ju që i keni dalë për zot kësaj kauze në vijën e parë të betejës mishëroni të ardhmen, vullnetin dhe shpresën e atyre që na kanë votuar.


Në emër të tyre unë ju shpreh mirënjohjen dhe besimin tim të përforcuar se këtë betejë tashmë të fituar moralisht dhe politikisht, ne do ta materializojmë patjetër me vendosjen e të drejtës sonë për transparencë pa kushte.


Do ta bëjmë këtë pa harruar asnjë çast, se deri këtu erdhëm bashkë, me një popull të tërë, dhe se mund t'ia dalim deri në fund, vetëm duke e përfaqësuar besnikërisht vullnetin e popullit që përfaqësojmë.


Sot shqiptarët duan transparencë të plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit në radhë të parë. Detyra jonë është ta ushtrojmë këtë vullnet të shqiptarëve, duke mos bërë asnjë hap mbrapa dhe duke bërë gjithçka kemi në dorë.


Në përpjekjen përditë e më të dëshpëruar për të spostuar vëmendjen nga kauza e transparencës, pushteti ka nxitur e ushqyer prej kohësh përditë e më shumë diskutimin e kotë mbi temën e paqenë të së ashtuquajturës djegie të mandateve të deputetëve socialist.


S'ka dyshim se pushteti i obskurantëve që mbajnë peng kutitë ku fshihet e vërteta e zgjedhjeve në Shqipëri, e dëshiron jashtëzakonisht shumë këtë shkak, si i mbyturi që të mbyt për të shpëtuar veten.


Ky pushtet dëshiron shumë që fati i mandateve të popullit opozitar të mbetet në duart e vetë Saliut, Ilirit dhe Fatosit bashkë, për ta eksportuar mu në zemrën e opozitës, tek grupi i saj parlamentar krizën e rëndë të legjitimitetit të pushtetit.


Këtij pushteti mediokrish pa imagjinatë, i shkon prej 6-muajsh mendja se ne mund të biem në këtë kurth tragjikomik për të gjithë opozitarizmin shqiptar.


Kanë 6 muaj që na provokojnë me gjithfarë mënyrash, me shpresën e mjerë se ne mund të hyjmë me këmbët tona në një rrugë pa krye, ku fatin e mandateve të opozitës nuk e ka më në dorë populli që na mbështet, por forcat e së vjetrës që janë bërë bashkë për të ndalur përpjekjen tonë të pandalshme drejt zbardhjes së krimit elektoral.


Por, ka po ashtu 6 muaj që u themi mos shpresoni kot, mandatet tona nuk i merr dot peng as Saliu, as Iliri, as Fatosi dhe askush tjetër që shpreson se mund ta kthejë në një lojë "e ka kush e ka" për mandatet - konfliktin parimor të opozitës me këtë pushtet zgjedhje vjedhësish.


Në rast se pushteti nuk do të dëgjojë zërin e arsyes sonë, marsi nuk mund e nuk do të jetë muaji i lojës "e ka kush e ka", por muaji i ngritjes së opozitës popullore në një valë proteste, e cila nuk do të zmbrapset deri në realizimin e qëllimit tonë të patjetërsueshëm, për transparencën e plotë dhe pa kushte të zgjedhjeve.


Ne nuk jemi zgjedhur për të negociuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por për t'i mbrojtur ato nga çdo presion dhe diversion siç kemi bërë e do të bëjmë gjithmonë.


Nuk e kemi përjashtuar dhe as do ta përjashtojmë ndonjëherë dialogun, si një instrument për të zgjidhur krizën e rëndë politike, ku e ka futur vendin grabitja e zgjedhjeve, dhe refuzimi për hapjen e kutive, ku janë provat e grabitjes.


Madje, kemi qenë ne që kemi dhënë edhe këtë herë sinjalin e parë të kompromisit, në funksion të mirëkuptimit mes palëve e në të mirë të së ardhmes së vendit.


E kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse jemi grabitur barbarisht, e nëpërkëmbur padrejtësisht. Nuk duam rinumërim për të ndryshuar rezultatin, por hetim të numërimit dhe dokumentacionit zgjedhor për të ndryshuar një herë e mirë standardet e zgjedhjeve në Shqipëri.


Nuk kërkojmë pushtetin në tavolinë, por hetimin parlamentar që do t'i heqë përfundimisht çdo pushteti mundësinë që t'i marrë zgjedhjet edhe kur populli nuk ia jep. Tanimë, kjo është e qartë për të gjithë. Edhe për miqtë edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë, se kërkojmë vendosjen e një të drejte për të gjithë, jo plotësimin e interesit për një palë.


Duke e kuptuar të vërtetën tonë të thjeshtë dhe të pamohueshme, miqtë tanë në internacionalen socialiste në fillim edhe socialistët e demokratët në Parlamentin Europian më pas, janë bërë sot aleatët tanë të mëdhenj për këtë kauzë mirëfilli europiane të transparencës përmes hapjes së kutive.


I kam falënderuar publikisht dhe personalisht, përsëri i falënderoj edhe reporterët e KiE, që ishin të parët që i vunë emrin që ka kësaj situate, krizë politike e vajtueshme dhe që shkruan e zeza mbi të bardhë nevojë e hetimit të plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve në Shqipëri. Por, do të isha i padrejtë nëse do të shprehja pakënaqësinë më të vogël për këdo qoftë ndër përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.


Ata kanë qenë gjithnjë më të interesuar të dëgjojnë arsyen dhe argumentet tona, nuk e kanë përjashtuar asnjëherë hapjen e kutive, pavarësisht se mbrojnë një pikëpamje krejt të ndryshme me tonën lidhur me bojkotin si instrument proteste.


Bojkoti nuk është zgjidhja jonë, por e vetmja zgjidhje që na u la me refuzimin antikushtetues e antidemokratik të së drejtës sonë elementare kushtetuese e demokratike për të hetuar gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve nga një pushtet që siç thotë edhe raporti i ndërkombëtarëve, u bë njësh me shtetin. Nuk është demokraci kur pushteti bëhet njësh me shtetin, sepse shteti është i të gjithëve, kurse pushteti vetëm i disave.


Dhe kur pushteti ia merr votën qytetarit, pavarësisht nëse qytetari nuk ia jep, atëherë vetë Parlamenti i dalë nga kësi zgjedhjesh nuk është vendi i debatit demokratik, por një teatër banal, kur rolet i cakton regjisori-pushtet dhe jo populli sovran.


Bojkoti ynë i shumëkritikuar është pikërisht pasqyra që nxori qartë në sytë e të gjithëve krizën e lirisë së zgjedhjeve në Shqipëri, të cilën nuk e zgjidh dot heqja e pasqyrës së Parlamentit gjysmak, por vetëm transparenca përmes hetimit parlamentar.


Megjithatë, në respekt të të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të opozitës, që tanimë na mbështetin hapur në betejën tonë kushtetuese e demokratike për transparencë, por edhe të gjithë atyre miqve dhe partnerëve të Shqipërisë që po e dëgjojnë përditë e më shumë vëmendje zërin e së drejtës së transparencës, ne sot do t'i japim një shans zgjidhjes së krizës përmes Parlamentit dhe një shenjë të qartë të vullnetit tonë konstruktiv të gjitha palëve.


Kemi gati çelësin që hap derën e kthimit të opozitës në Parlament, duke i hapur rrugën transparencës së plotë. Sot do t'ia lëmë publikisht në dorë Sali Berishës.


I takon shumicës në sallë të vendosë paskëtaj nëse e do edhe opozitën në sallë apo e do bashkë me popullin në rrugë, deri kur në këtë vend të rivendoset një e drejtë që ne nuk kemi ndërmend ta lemë peng për asnjë arsye në botë.


Me mandatet e popullit opozitar, deputetët e Partisë Socialiste do të udhëheqin hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve deri në zbardhjen e plotë të krimit elektoral. Ose, nëse në Parlament nuk ka vesh për të drejtën tonë, deputetët do të jenë në krye të protestave pa ndalim, për të çliruar zgjedhjet nga duart e krimit elektoral, që i mbushi kutitë me vota për pushtetin si në Ruzhdien e famshme, ku Sali Berisha qahet se humbi një mandat.


Kur populli të shikoj së shpejti se ç'mandat ka humbur ky pushtet zgjedhjevjedhësish në Ruzhdie, jam i bindur se edhe vetë Saliu do ta kuptojë se shanset për t'i mbajtur kutitë të mbyllura me pahir janë po aq të mëdha sa shanset për të mbuluar diellin me vendim qeverie.


Sot është dita që të marrë fund çdo iluzion i kundërshtarëve të transparencës, se Partia Socialiste mund të dorëzohet, të lodhet, të shitet, të nxirret në rrugë, duke u zëvendësuar me një opozitë të kooptuarish e të emëruarish në parlamentin e kutive të mbyllura.


Sot është dita që të shembet edhe themeli i propagandës të turpshme të një pushteti që tërë këta muaj ka angazhuar gjithçka mundet, qeveritarë, diplomat shërbëtorë shërbime e favore qeveritare, për të shpërfytyruar imazhin e Partisë Socialiste e për të deformuar të vërtetën e thjeshtë të kauzës sonë të drejtë në sytë e komunitetit ndërkombëtarë.


Nuk kanë pasur të sosur shpifjet e gënjeshtrat që u janë thënë miqve e partnerëve të huaj të Shqipërisë në adresën tonë, nga të gjitha anët e mundshme, për të krijuar tek ata bindjen se ne nuk njohim rezultatin, ne nuk njohim rezultatin, ne nuk njohim pavarësinë e gjyqësorit, ne nuk njohim institucionet e vendit dhe kërkojmë përmbysjen e rendit kushtetues me dhunë.


E di që do të vazhdojnë të thonë gjithçka munden, por që sot nuk do të thonë dot as që Partia Socialiste nuk e njeh parlamentin, aq që deputetët e Partisë Socialiste i dogjën mandatet se duan të djegin Shqipërinë Europiane dhe as që Partia Socialiste kërkon një gjë që s'bëhet, sepse nuk kërkoka transparencën e zgjedhjeve po dashka pushtetin pa zgjedhje.


Në më pak se 6 muaj ne e kemi bërë çështjen e transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri një çështje të axhendës europiane për Shqipërinë. Sot është edhe dita për të krijuar një mundësi më shumë që komuniteti ndërkombëtar të shohë edhe më mirë e të kuptojë edhe më shumë shkaqet e kësaj krize, si një krizë e demokracisë shqiptare që është marr peng tek zgjedhjet, jo si një krizë juridike procedurale mes palëve.


Në më pak se 6 muaj ne e kemi bërë çështjen tonë një çështje që të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se nuk mbyllet pa u zgjidhur dhe që mbarë komuniteti ndërkombëtarë e ka kuptuar se nuk e kemi hapur për ta mbyllur por për ta zgjidhur.


Sot, ne do të jemi në Parlament jo për ta ndërprerë betejën për kutitë, por për ta çuar përpara këtë betejë, që nuk e kemi parë për asnjë çast si luftë palësh, por si përpjekje në interes të të gjitha palëve.


Nuk shkojmë në Parlament për të dalë, po as për të ndenjur pa i hapur kutitë. Transparenca zgjidh krizën politike, refuzimi i transparencës do të sjellë rëndimin e mëtejshëm të krizës.


Duam të zbardhim krimin elektoral tanimë që Shqipëria dhe bota mbarë, përfshirë edhe vetë OSBE-në që ka shkruar raportin e zgjedhjeve, kërkojnë hetim parlamentar të plotë e të hollësishëm.


Dhe duam ta bëjmë këtë siç e thotë populli, për të mos i mbetur borxh askujt. Ne s'kërkojmë asgjë më shumë sesa diçka që as diskutohet më në botën demokratike, ku jetojnë miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë të NATO-s apo Bashkimit Europian.


Një parim, jo një pazar. Një të drejtë, jo një favor. Një vend ku zgjedhjet të mos i vendosë fuqia shtrembëruese e korrupsionit, po gjykimi i popullit sovran.

Nga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama