Nano rrefen burgun dhe mocionin e 1996 Si mbrojta Ramizin ne qeline me 40 vete

Nano rrëfen burgun dhe mocionin e 1996: Si mbrojta Ramizin në qelinë me 40 vetë
 Orët e tmerrit në qeli, një incident që përfshin Ramiz Alinë, historitë e të fortëve të Tiranës që morën nën kontroll situatën dhe ditën e lirimit fshehtas, me anë të një ambulance që e ngiste vetë drejtori i burgut. Më tej, në rrëfim, Nano ndalet dhe zbardh edhe misterin e largimit të tij drejt Maqedonisë më 14 shtator 1998, vetëm 24 orë pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Ai tenton të shpjegojë divorcin me Rexhinën si dhe një incident të këndshëm me Presidentin Bush më 2004, në Shtëpinë e Bardhë, që kishte në qendër Xhoana Nanon. Në fund, Nano i bën një analizë gjendjes aktuale në partinë më të madhe të kampit të opozitës, e vlerëson erën “Rama” si sëmundje që ka sjellë shkatërrim të vlerave të së majtës, pranon se mbështet hapur kundërshtarët e bojkotit dhe se një ditë, papritur, do të kthehet sërish në skenë.

Fevziu: Kthehemi tek ai që ju e quajtët takimi i Triestes. Ky takim ka ndodhur në shkurt të vitit 1992, përpara këtij a keni pasur njohje personale me Sali Berishën? Kur jeni njohur me të?

Nano: Unë me Sali Berishën, jemi takuar për herë të parë fizikisht, i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit vetëm në vitin 1990. Natyrisht e njihja nga faqet e shtypit - nëna ime vuante nga zemra që në atë kohë, por nuk ishte kuruar te doktor Berisha - nga mjedise shoqërore, profesionale, intelektualësh e të tjera, që kishin kontakte me të. Takimi ka ndodhur në redaksinë e Zërit të Popullit, kam përshtypjen në periudhën e vjeshtës 1990, kur, pas takimit të Ramiz Alisë, të gushtit, kryeredaktori Përparim Xhixha organizoi një bisedë me intelektualë të spikatur të fushave të ndryshme, e cila u zbardh edhe u botua të nesërmen. Merrte pjesë Berisha, si intelektual nga mjekësia, apo i fushave humanitare, ishte Alfred Uçi, si intelektual i kulturës apo përfaqësues i akademikëve, isha unë si përfaqësues i ekonomistëve dhe një i katërt, me duket Spiro Dede, si sekretar i ri i KQ të PPSH.

Gjithsecili parashtroi idetë për ndryshim, reforma, mbajti qëndrim në përputhje me profesionin dhe vokacionin e fushës, apo të eksperiencës ndaj krizës që po akumulohej në shoqëri, në ekonomi, në ushtrimin e iniciativave të lira ose jo. Secili foli për atë që kishte menduar për fushën e tij. Ramë dakord, - aty pashë që edhe unë edhe Berisha, ishim njëlloj ekzigjent ndaj ruajtjes së të drejtës të autorësisë për ato që thoshim, që bocat do të ishin gati nga pasditja. Diku nga ora 6-7, siç ka qenë teknologjia e gazetës me plumb atëherë, për çudi, në korridoret e Zëri të Popullit qëlluam të dy bashkë me Berishën në të njëjtën kohë, askush tjetër nuk erdhi. Në atë kohë, Mitro Çela ishte përgjegjës i redaksisë ekonomike, dhe u përshëndeta me të në korridor. Nuk e gjeta aty Fahri Balliun atë ditë, por aty ka qenë se nuk ishte krijuar “55”-a. U gjendëm në dy tavolina në një zyrë të vogël, me kompensatë pa asnjë gjë sipër, ballë për ballë me Berishën, ai korrigjonte bocat e veta, edhe unë të miat.

Ju nuk e dinit që 3 muaj më pas do të ishit dy nga njerëzit më të rëndësishëm të Shqipërisë...

Unë nuk e dija, unë s’e dija të paktën, se s’mund të bëj aludime që a e dinte Berisha apo jo. Ambiciet e mia kanë qenë më pak të kristalizuara se ato të Berishës, besoj... A ka pasur një bisedë kokë më kokë midis jush dikur, për të ndarë atë që mund të konsiderohej tregu politik shqiptar?

Asnjëherë përtej raporteve të këtij morali politik midis opozitarësh.

As në Trieste?

As në Trieste, e cila është një bisedë me të tjerë dëshmitarë politikë. Natyrisht që nuk kanë qenë fjalime bisedat që bëheshin në tryeza, pra fjalime të seancës parlamentare, kanë qenë me më pak të shara, ose me më pak kategorizime bardh e zi...

...Zoti Nano, si shpjegohet që pasi ju jeni burgosur, keni bërë një intervistë nga burgu, në të cilin lini të kuptoheni me Berishën se diçka nuk funksionoi nga biseda e Triestes?

Unë vazhdoj të jem edhe kësaj dite i bindur, besoj edhe Berisha mund të ketë reflektuar, por unë nuk kam ndonjë të dhënë për këtë. Që në rast se do të ishin dominuar veprimet e rrugës, ethet e rrugës, nëse do të ishin klasifikuar veçmas ndjenjat dhe nevojat e të persekutuarve të vërtetë, ndryshe nga spekulantët me persekucionin komunist, Shqipëria do të kishte kursyer shumë fatura që zgjatën procesin dhe shtuan kostot e tranzicionit.

A ia keni dorëzuar ju pushtetin Sali Berishës, më 22 mars të vitit 1992? Në kuptimin, a e latë që t’i fitonte zgjedhjet?

Në kuptimin e dorëzimit pa kushte, jo absolutisht. Ishte e qartë, ishte një proces i pashmangshëm, ne luftuam në kushte të pamundura për të kapur votat dhe elektoratin e së majtës, i cili u reduktua në 27-28%, aq ishte mundësia, kishte shumë egërsi, kishte shumë dhunë, kishte shumë pengesa që ne të komunikonim lirisht në të gjithë territorin, ndoshta e njëjta situata për të cilën PD-ja ankohesh në 1997!
Pra nuk ka qenë një dorëzim, ka qenë një humbje normale...

Ka qenë një rrjedhje e natyrshme e pushtetit drejt partisë së parë opozitare që u krijua në kushtet e pluralizmit. Ka pasur edhe shumë ish-komunistë që votuan për PD-në. Pastaj PD-ja rrugës filloi të hutohet që çfarë janë të gjithë këto komunistë që janë futur në radhët e saj.
Më 30 korrik të vitit 1993, ju u arrestuat zoti Nano. Ju kanë akuzuar me shpërdorim që lidheshin me ndihmat italiane. A e prisnit arrestimin dhe a e dinit që kjo mund të ndodhte? Ju e kishit paralajmëruar që në prill, kur kjo çështje u hap në Parlament.

Në kohën që unë pranova, midis koshiencës dhe subkoshiencës për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste, të destinuar për të kaluar në opozitë, ishte e kuptueshme, pavarësisht nga mungesa e parametrave dhe të gjithë konturit të qartë se sa e vështirë dhe me sa sakrifica do të ishte kjo rrugë e reformimit të së majtës, natyrisht, e rikthimit eventual në pushtet, kur, si, kushedi. Partitë politike pushtetin synojnë. Nuk mund të them që kisha kalkuluar që mund të bëhej edhe burg. Por, që nuk mund të përjashtohej që mund të iknin edhe koka.

E kishit menduar edhe këtë?

Absolutisht, ka pasur kaq shumë incidente para burgut, siç ishte atentati i Tropojës, dinamiti në zyrat e PS-së në Bajram Curr, bllokimi nga njerëz të armatosur në shtëpinë e një drejtuesi të PS-së së Tropojës, që nuk na lejoi të bënim mitingun, arratisja e shoferit tim nën goditjet e kallashëve dhe pastaj ndërhyrja e vonë e policisë që na nxori në rrugën e Kukësit, në Qafë-Mal, në gjashtë pasdite etj. Ka pasur jo vetëm atentate me armë, jo vetëm goditje me gurë si në Elbasan, por edhe pusi të panumërta si në Dibër, apo si ato që sollën në 1997 më pas Masakrën e Urës Vajgurore etj., të cilat pavarësisht se nuk mund të klasifikoheshin që në fillim si rreziqe emergjente, për operacione shpëtimi, por ishin rregullisht të pranishme. Ndërsa më vonë, burgosja iminente u bë e qartë, pasi filloi të strukturohet si një platformë institucionale goditja, hetimi parlamentar, raporti i Kontrollit të Shtetit, një numër seancash që çuan deri në heqjen e imunitetit, unë e prisja arrestimin.

Dhe ditën që u arrestuat?

Absolutisht po. Madje, më lejoni të them, që meqenëse unë e kisha marrë këtë vendim pa kthim, që do ta drejtoja partinë e së majtës së re në kushte të pamundura, atëherë fillova të stërvitesha për vetminë e burgut, në shtëpinë time të vjetër. Veçanërisht disa paradite, sidomos në fundjavë, apo pasdite, pa perënduar, unë mbyllja grilën e dhomës sime të gjumit dhe rrija me orë të tëra në shtrat, në errësirë, në vetmi! Kam përshtypjen që më vonë kjo më ka ndihmuar të vazhdoj të flas me veten, ose të administroj veten në kushtet të pamundura të burgut 313 në 1993-1994.

A arrinit realisht ju ta drejtoni PS nga burgu? Menduat për ndonjë moment që për hir të burgosjes, qoftë të izolimit, për largimin fare nga drejtimi i partisë dhe të riktheheshit në jetën tuaj? Rikthimi në jetën tuaj mund t’ju lironte nga burgu...

Pyetje të mira, në kuptimin e asaj që duhet të nxjerrin për publikun nga kjo periudhë e jetës ime. Nuk bëhet fjalë për drejtimin e përditshëm të një partie politike në burg, si nga zyra. Natyrisht nuk përjashtohet dot, kategorisht madje, që drejtimin politik mund ta bëja, jo vetëm me komunikimin dhe me shembullin e një burgosuri politik që me mesazhe të herëpashershme i drejtohej edhe strukturës, edhe militantëve, edhe elektoratit, por me një mekanizëm kompleks që jeta mundësoi. Dreqi e mori, më dënuan të bëhesha burgaxhi, u bëra burgaxhi, kështu munda të komunikoj me botën e jashtme dhe me partinë, dhe me shtypin dhe miqtë e panumërt!

Si?

Pa lëvizur nga burgu! Me ndihmën e popullit, me gardianët, me të burgosurit, me të afërmit e tyre! Unë isha në pjesën më të izoluar të sigurisë së lartë të burgut, dreqi e mori, në ajrim dhe banjë, apo në takim me avokatin, nuk më ndalonin dot të shkoja. Shtypi para se të vinte në sytë e mi, hynte në çorapet e mia të leshit, në thembër. Unë lexoja dhe shkruaja natën, kur vonë gardianët mësuan që ky i rrezikshmi duhet ruajtur natën, se ditën bën sikur fle.

T’ju them një episod, mocioni i famshëm i viti 1996, e dini si ka dalë nga burgu?

Jo. E shkrova në katër faqe blloku kalendar, në format blloku, por t’u plotësuar nga bashkëpunëtorët e mi më pas, por skeleti, idetë, çështjet që duheshin mbushur gjithashtu, ishin katër faqe. Unë kisha shkruar natën në Bënçë dhe ia jap të nesërmen njërit nga pjesëtarët e forcës së gatshme që bënte shërbim 24 orë, pastaj dy ditë pushim, që ishte për rregullin e brendshëm në burg, për trazirat midis të burgosurve, një djalë nga Tepelena, që prej disa kohësh e bënte korrierin e jashtëm. I them, kjo, duhet të shkoj në filan pikë në Tepelenë dhe është për në Tiranë. Papritmas, në burg mbërrin një kontroll i befasishëm me në krye të ndierin Bujar Kaloshin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili, së bashku me njerëz te administratës qendrore të burgjeve merr në kontroll gjithë burgun.

Dhe. . . ?

Fillojnë kontrollet gjithandej, natyrisht kishin ardhur për mua. Fillon një regjim tjetër etj. , etj. Mbaj mend kur dola për banjo në mëngjes, këtë djalin, në tetë e linte shërbimin, e pyes: A e shpëtove atë që të dhashë unë? Më tha, arrita, sapo pashë që po vinin furgonët, ta nxjerr jashtë rrethimit të burgut dhe e kam futur nën një gur! Por binte shi atë natë. Ishalla nuk është lagur më tha. Providencat ishin të mos ishte lagur dhe shkoi në Tiranë. Dhe shkoi e shkarkoi të gjithë drejtuesit e PS. Shkarkoi ata, nisi Gramoz Ruçin pa lajmërim në Greqi pas dorëheqjes etj., etj.

A keni pasur dijeni për tërheqjen nga zgjedhjet e 26 majit dhe cili ishte reagimi?

Po në parim dhe jo siç u bë. U nis shumë vonë një korrier nga Tirana, nga dreka, ku mesa duket në mendjet e drejtuesve të PS-së filloi të piqesh ideja e bojkotit dhe tërheqjes dhe mbërrin nga ora pesë tek unë, kur ishte bërë fakt. Më vonë ky fakt që Nanon e lajmëruan, u mor si miratim i Nanos. Unë u shpreha publikisht që të mos tërhiqen komisionarët, pavarësisht se po tërhiqeni nga zgjedhjet. Duhet të jenë dëshmitarë të manipulimit. Natyrisht që kjo është ajo pjesë që nuk e drejton dot nga burgu. Nuk e di çdo të ndodhte nëse nuk do të ishin tërhequr komisionerët. Sigurisht që nuk do të ndodhte kjo që ndodh sot me 20 mijë komisionarë, që firmosin dhe ka akoma mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve dhe s’ka asnjë provë për manipulim!

Një moment tjetër ishte zgjedhja e Bashkim Finos si kryeministër. PS po drejtonte Qeverinë e Pajtimit Kombëtar e cila ishte qeveri tranzicioni. A dhatë ju aprovimin e Finos si kryeministër?

Jo ishte e pamundur të jepja unë aprovimin... Unë e mora vesh nga radio, BBC dhe Zëri Amerikës që i dha lajmet nga mëngjesin e datës 11 mars. Ishte e pamundur të jepja unë aprovim. Mua më sollën natën e 4 marsit në Tiranë dhe qëndrova deri më 13 mars në izolim të plotë, munda të kisha vetëm radion...

Çfarë ndodhi më 11 mars?

Më 11 mars në mbrëmje, kur ndërroheshin rojet, niste turni i natës, pati një vonesë në ardhjen e turnit të ri. Gardiani i turnit që bënte kontrollin e të gjitha qelive, kur hapi sportelin, e pashë me një shprehje të çuditshme të fytyrës dhe e mbylli menjëherë. Pas kësaj, nisi një zhurmë e largët në korridoret e burgut të Tiranës, që janë shumë të gjata, që nuk kuptohej se çfarë ishte në fillim. Pasi zhurma po afrohej, u kuptua që po shpërthenin dyert, kishte goditje. U kuptua që kishte një revoltë të brendshme. Kuptova që ishte serioze sepse rojet e kullave të rrethimit të jashtëm nisën të qëllonin në ajër. Kishte zhurma goditjesh të dhunshme dhe të frikshme brenda dhe armësh jashtë. Unë isha në një qeli 1 m e 90 të gjerë, 5 m të gjatë dhe 5 m të lartë ishte, me frëngji pa xhama. Duke mos e ditur ku qëllohet dhe plumbat mund të bëjnë rikoshetë, vendosa të qëndroj poshtë frëngjisë. Duke qëndruar aty, pashë derën përballë dhe mendova që sikur të hyjë një pistoletë dhe të më qëllojë në lule të ballit dhe vendosa të qëndroj poshtë derës. Pastaj fillova të mos qëndroj në një vend dhe të lëviz. Aty goditjet u afruan aq shumë dhe ulërimat e femrave të piramidave në qelinë ngjitur, kur u thyen derën. Pastaj filluan goditjet në derën time tek shuli dhe dërrasat. Aty mora një pozicion mbrojtës rrëzë murit të derës, se nuk e dija kush do të hynte - sipas filmave, ishte partizan apo gjerman?! Kur dera u hap hyn një kokë me shami dhe bërtet: Urra! Liri Fatos Nanos! Brenda pak minutash aty hyn një turmë që kur arrita ta numëroj ishin 45 vetë në 10 m2. Kuptova që revolta erdhi brenda sepse ata nuk mund ta kuptonin dot se mund ta fitonin lirinë pa Fatos Nanon. Isha peng i kësaj turme. Papritmas 600 kriminelë, të dënuar apo jo, të supozuar apo të tillë, mes të cilëve edhe hasëm, edhe femra, u gjenden në një mjedis pa dyer dhe pa roje. Imagjinoni sa e vështirë ishte gjendja. Duke parë këtë skenë, fusin edhe Ramiz Alinë në qelinë time. Më lejoni të jap dy ekstreme të kësaj skene që ndodhën në pak sekonda. Papritmas një hasëm gjen një hasëm tjetër në qelinë time. Njëri nxori një thikë dhe filloi të kërkonte barkun e hasmit. Ky tjetri, kishte shkulur një dërrasë nga dera dhe e vërviste për ta mbajtur larg. Dërrasa pret Ramizin në ballë nga lëvizja shumë pranë meje dhe unë shtyj Ramizin në qoshe të murit. Thika e pret në bark hasmin. Gjaku bie në jastëkun pa këllëf, ku unë kisha vënë kokën pak çaste më parë. Në të njëjtin moment, disa metra më tej, një çift, një italian dhe venezueliane, po putheshin. Ishin kapur me drogë dhe kishin 45 ditë pa u takuar me njëri-tjetrin dhe nga malli dhe ankthi po putheshin. Në atë moment unë ulëras: A ka ndonjë trim këtu që të vendosi rregull? Dhe shfaqet për çudi, ai që hyri me shami në kokë i pari dhe tha urra! Ishte autori i Shkallnuerit të Berishës, ai që hodhi granatën. Dhe kur unë bërtita, nuk ishin këta trimat e supozuar, si Nehat Kulla, apo Luan Pobrati, që në 40 orët e rebelimit u fshehën në kaush. Ishte Naim Zyberi, pjesëtar i një grupi, i dënuar apo jo në atë kohë s’e di, i cili vuri rregull. Më vonë u vra pas daljes nga burgu në Itali nga rivalët. Ai me një qetësi të habitshme vuri rregull. Ndau burrat nga gratë, i vuri të gjithë në qeli, caktoi një grup të largonte hasmit nga hasmit. Gratë në ato 40 orë, shkuan në banjë më të sigurta se kurrë, as sa me gardianët, pa iu prekur një qime floku. Ky trim i ftohtë mori përsipër të negocionte me Drejtorinë e burgut për kushtet e lirimit. Natyrisht, unë isha peng i këtij njeriu, kur, të nesërmen, u krijua qeveria “Fino” dhe Spartak Ngjela, Ministër i Drejtësisë, vjen në burgun e shpërthyer. Më vonë mora vesh se kishte vënë bast me reporterët e huaj në Hotel “Rogner”, që do t’ju sjell Nanon unë nga burgu tani. Vjen tek autoritetet e burgut që i thonë, ku ta gjejmë Nanon ne aty tani, ka një komitet aty që drejton revoltën. Nga sporteli i kuzhinës që ishte i vetmi që komunikonte, Ngjela flet me Naim Zyberin. Ky, vjen në qelinë ku isha unë me disa nga kryesorët përreth dhe, duke më parë në sy më thotë: Ka ardhur një i thinjur me syze që do të të takojë ty, çfarë ti them? Unë me shpejtësinë e sekondës kozmike të trurit, përgjigjem: “I thuaj se Nano mirë është, por në qoftë se lëviz nga vendi ku është, jo ai, por as unë s’ia garantoj dot jetën apo jo!” Lere, më tha, e mora vesh se qenke burrë! Nuk na tradhtove! Më pas kam bërë shaka me Ngjelën se po ta dija se kishe vënë bast - e ndanim bashkë - unë kisha reaguar ndryshe. Mirëpo unë nuk reagova pa mend për katër vjet, ose 1480 e ca ditë në burg!

Si dolët nga burgu, është e vërtetë se u larguat me një ambulancë?

Unë mund të kisha dalë nga burgu, sidomos në Bënçë, kur të doja. Veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 1996 dhe në fillim të 1997. Madje ndërtova një sistem komunikimi të mjaftueshëm dhe efikas edhe me drejtuesit e partisë. Nuk prisja vetëm familjarë, por në orët e vona të natës si 2 deri 4 e mëngjesit, personazhe apo personalitete si Mejdani, Islami, Ruçi, vinin më takonin në burg, me konspiracionin tim në bashkëpunim...

Si u larguat në 13 mars 1997 nga burgu?

Mbas 40 orë revolte të burgut të Tiranës, njoftimi më i fundit i konfirmuar edhe nga vizita e Ngjelës me drejtuesit e protestës të burgut, ishte që në orën 4 pasdite, do të dëgjoni një lajm te TVSH-ja, për amnistinë që kërkoni. Nuk u pritën lajmet dhe në 4 pa 5 filloi dalja jashtë e të burgosurve. Nën vëmendjen e Bedri Çokut, zëvendës drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, që nisi evakuimin e të burgosurve, dhe drejtorit të Burgut 313, një djalë nga Laçi i jashtëzakonshëm për karakter dhe trimëri, u la të rrjedhin jashtë rreth 600 vetë. Unë vendosa të mos e kapërcej pragun mes burgut të brendshëm dhe oborrit. Pasi kishte rreth gjysmë ore që kishte dalë turma dhe nuk kishte më zhurmë nëpër korridore, në rrugë dëgjoheshin të shtëna, dëgjoj disa hapa që afroheshin në korridor.

Nuk kishte asnjë nga Partia Socialiste që erdhi për t’ju kërkuar?

Kishte disa djem që kishin qenë dhe mbetën badigardët e mi edhe më vonë. Djem trima, që ishin gjatë gjithë 40 orëve në kontakt për të kuptuar isha gjallë apo jo, që prisnin jashtë se nuk hynin dot brenda. Dëgjoj hapa që po afroheshin në qeli. Ishim unë dhe Ramiz Alia dhe nja 2-3 vajza të piramidave, ishim nja 7-8 veta, u shfaq një treshe. Një civil dhe dy me uniformë. Ishte drejtori i burgut, shefi i sigurimit të brendshëm dhe drejtori i policisë së burgut. Na pyetën, çfarë bëni ju këtu? I them unë jam Fatos Nano, ju kush jeni? A, më falni, tha drejtori, të prezantohemi! Dhe u prezantuan. I thashë: “Më lejoni t’ju them që unë jam këtu, jo për fajin tuaj. Kam një dënim nga gjykata, me të drejtë apo jo është çështje tjetër, por po e kalova pragun e qelisë, unë shkel ligjin. Pyetja ime është ku mund t’i kaloj unë 16 muajt e fundit e mbetur nga dënimi për të cilat më ka dënuar gjykata? Ai shtangu dhe më tha: “Të kuptova, mund të prisni disa minuta?” U vonua disa minuta dhe kur dolëm, e kuptova se çfarë donte të bënte. Kishte rreshtuar të gjitha rojet, për të shmangur veprime të pa kontrolluara, me armët në këmbë të vëna me siguresë dhe kthehet tek qelia më fut krahun dhe më thotë a mund të më ndiqni? Dalim nga shkallët, dhe në oborr mora vesh pse më futi krahun drejtori, se rrëzoheshe nga gëzhojat e shumta. Pavarësisht nga nevoja për të parë se ku hidhja këmbët, përshëndeta shumë nga gardianët që më buzëqeshnin dhe m’u duk vetja sikur unë, i burgosuri i famshëm, po kaloja rojën e nderit të gardianëve. Shkojmë në zyrën e drejtorit dhe na ai ofroi diçka freskuese për të pirë. Më pas vjen një autoambulancë në oborr dhe në timon ishte vetë drejtori laçian. Futemi të gjithë brenda. Sapo dolëm nga dera e burgut, përkulemi nën vijën e bardhë të xhamave se ka të shtëna. Dalim në unazë dhe drejtori pyet, ku i keni shtëpitë? Lamë Ramizin, më pas disa gra dhe në fund zbrita unë. “Thashë, drejtor çfarë po bën?”. “A më pyete ku ti kaloj muajt e fundit të dënimit? Unë po ju çoj të gjithëve në shtëpi më tha, sa të vendoset shteti dhe unë nuk e di se ku të jap dorëheqjen, a ka ndonjë vend?” I bie ziles së derës dhe më del babai, gruaja dhe fëmijët te dera e oborrit. Nëna më kishte vdekur. Pavarësisht nga emocionet e 4 viteve nuk harrova ta ftoj drejtorin të hyjë të pijë një kafe. “Më fal, u përgjigj ai, por ta thashë se çfarë pune kam. Dua të bëj detyrën time dhe shtetërore dhe njerëzore, të jap dorëheqjen sepse kur ka rënë shteti, nuk mund të marrë rrogën drejtori burgjeve, e lemë për një herë tjetër”. E kërkova edhe kur u bëra kryeministër, por ai iku në Amerikë dhe nuk u kthye më. Së fundmi i gjeta numrin e telefonit dhe dua të gjej mundësinë dhe ta takoj.

A keni pasur dijeni për atentatet ndaj Azem Hajdarit apo kërcënimet që i vardiseshin atij?

Mua lajmi për atentatin më erdhi nga Ben Blushi, zëdhënësi im, që e kishte marrë nga gazetarët, ditën kur unë sapo isha kthyer nga Lisbona, ku përfaqësova Shqipërinë në panairin e 1998. Isha në dijeni të kërcënimeve dhe kishim përgatitur një plan masash të SHIK-ut dhe të policisë të cilat ruanin Azemin. Kishte mjaft kërcënime dhe pandehma që agjencitë e ligjit ishin të detyruara t’i ndiqnin. Ishim akoma më seriozë se kishte ndodhur një incident me plagosjen e Azemit në Parlament dhe unë besoj që nuk mund të bëja ndonjë veprim më shumë. Nuk mund të lija asnjë veprim mangët nga ato që kam bërë, duke dalë menjëherë në media, duke bërë thirrje për angazhim të plotë të shtetit për gjetjen e krimineleve; për një arsyetim të qetë të politikës, për të përballuar një ngjarje shumë të rëndë për stabilitetin e vendit; të anuloja të nesërmen axhendën dhe të kërkoja tryeza politike që u realizuan të pjesshme, se me Berishën nuk bisedohej dot, me opozitën, siç e kërkova edhe në rastin e plagosjes së Azemit në Parlament; të ndiqja personalisht veprimet e para hetimore.

Përse u larguat nga Shqipëria, kërcënohej jeta juaj personalisht? Së dyti, ka një interpretim se u inskenua për të larguar nga jeta politike edhe ju edhe zotin Berisha?

Ka analistë që kanë dhënë deklarata për këtë ngjarje të rëndë që bëjnë këtë ide. Një kurth ndaj të dyve. Nuk e shoh të pamundur, nuk kam prova që ta vërtetoj unë, nuk e përjashtoj. Nuk besoj se më vë në të njëjtën pozitë mua dhe Berishën. Nuk mund të bashkohen i akuzuari ose drejtuesi i Qeverisë që akuzohej për persekutim apo vrasje të opozitës, me drejtuesin e opozitës që pëson krimin. Jo për shkak se ne kemi qëndrime të ndryshme ndaj dënimit dhe forcës së ligjit ndaj krimit, sidomos kur ai prek politikën. Por për shkak se emocionet dhe pozicionet e asaj dite ishin shprehje e një procesi të gjatë, kisha dhe burgosjen time brenda dhe nuk kishim të njëjtin mjedis ku ato kultivoheshin. Mjedisi i partisë qeverisëse ishte shumë i ndryshëm nga mjedisi tjetër që humbi Azem Hajdarin. Natyrisht ajo që unë nuk e përjashtoj fare dhe kam të gjithë sovranitetin e kryeministrit të kohës që ka informacionin e agjencive shtetërore, është që me apo pa dijeninë e Berishës, me apo pa dashjen e ekzekutorëve të Azemit, që tashmë besoj janë në ndëshkimin e ligjit dhe duart e drejtësisë, koka që kërkohej pas tij ishte ajo e Kryeministrit. Ishte e imja. Dhe manovra ime e natës që gdhihej 14 shtatori, i paralajmëruar se çfarë do të sillte, ishte shkëputja e kontakteve edhe me Gardën e Republikës. Eskorta ime lëvizi pa komunikim me të tjerë dhe me një vendim sovran në përputhje me standardet e sigurisë së personaliteteve, në qark të mbyllur. Vendim i marrë nga eskorta dhe personaliteti që ata mbrojnë, është legjitime kjo gjë, në kushte emergjence dhe mos funksionimi të shumë strukturave mbështetëse. Vendimi ishte që të më çojnë deri në Ohër, në mirëkuptim me partnerë që asistojnë rajonin dhe me agjencitë e specializuara për sigurinë në rajon dhe në luftën kundër krimit. Në një nga rezidencat shtetërore pranë kufirit ndenja deri të nesërmen ne mëngjes, bashkë me ambasadorin tonë në Shkup. Kjo është pjesa të themi e panjohur për publikun...

Në vitin 2005 kur u tërhoqët, a menduat se kjo është një tërheqje e pa kthim më. Që kjo lojë e tërheqjes dhe rikthimeve, do të merrte fund një ditë?

Tërheqjet unë i konsideroj një standard të sjelljes politike të kohëve moderne, sa herë që rrethanat e sjellin në mënyrë të natyrshme këtë gjë. Unë i humba zgjedhjet në vitin 2005, respektova rregullat e lojës, të funksionimit të një organizate demokratike të reformuar me shumë sakrifica, siç ishte Partia Socialiste deri në atë kohë dhe, më në fund vlerësova nevojën e përtëritjes së ekipeve, me shumë kuriozitet dhe dashuri gjithashtu për të nxitur dhe për të gjetur te gjithë të rriturit nën drejtimin tim, udhëheqës të rinj, të aftë për të vazhduar stafetën dhe detyrën.

A u tërhoqët edhe ju si Ramiz Alia në 1990-ën, pa lënë një trashëgimtar, ose duke e lënë në rrjedhje të lirë PS-në, siç la ai PPSH-në?

Unë kam investuar shumë për të krijuar figura politike, për të mbështetur talente dhe të rinj që i kanë hyrë politikës me kurajë dhe me më shumë kulturë, sesa ata që hynë në fillim të viteve 90-të. Nuk jam i zhgënjyer nga tërë ky investim, sepse në PS, në rrethet e bashkëpunëtorëve të mi politikë dhe bashkëqeverisës, ka mjaft figura të spikatura, të cilët edhe sot ndoshta vuajnë nga të njëjtat sëmundje të politikës shqiptare dhe lëngojnë më shumë nën peshën e autoritarizmit të rivendosur edhe në PS. Tashmë të dy kampet kam frikë se janë bërë njëlloj. Por, jam i bindur se socialistët kanë brenda jo vetëm farën, por edhe investimin politik dhe institucional të përbashkët, që do të mund, shumë shpejt, të rivendosë standardet dhe të rikrijojë horizontet e funksionimit bashkëkohës të politikës së majtë.

Po thoni se do të donit të riktheheni?

Ime shoqe i ka dhënë një përgjigje shumë njerëzore kësaj pyetjeje, duke sjellë në vëmendjen publike se unë kam dhënë dorëheqjen, por nuk kam hequr dorë nga politika! Dua të them se unë jam në politikë, por nuk kam lindur vetëm për të drejtuar.

Trembeni se kur të trokisni në derën e PS-së, ajo derë mund të jetë e mbyllur?

Nuk besoj se është çështje zyrash apo fasadash. Nuk besoj se mund të mbyllen dyert e komunikimit tim me socialistët.

A janë mbyllur këto 4-5 vite?

Është mbyllur e gjithë godina e PS-së. Është bërë hermetike struktura e komunikimit të partisë apo të udhëheqjes me militantët apo anëtarët.

Po ju kontaktoni me ta?

Unë jam shumë aktiv në jetën shoqërore. Jeta ime shoqërore nuk zhvillohet dot pa komunikimin politik. I përgjigjem me këtë mënyrë të heshtur, me tonet e mia të mirëkuptuara nga të gjithë, nevojës dhe shqetësimeve që kanë simpatizantët dhe anëtarët e së majtës në të gjithë Shqipërinë. Besoj se është plotësisht e mundur që me riaktivizimin e të gjithë vlerave që kemi krijuar së bashku, e majta të rindërtojë aftësinë e saj konkurruese dhe të rivendosë hierarkinë e vlerave të shkatërruara tashmë. Besoj se kjo nuk mund të bëhet më me erën Rama apo me të gjitha sëmundjet që solli ai në PS.

Ju mendoni se duhet hapur një erë e re në Partinë Socialiste?

Është absolutisht e nevojshme që të rihapet Partia Socialiste, që të fryjnë të gjitha erërat e politikës së majtë bashkëkohëse.

Një erë e re me emra të rinj, apo riciklim të emrave të vjetër?

Nuk ka nevojë të bëhen më eksperimente të rrezikshme dhe aventureske si ky i fundit. Besoj se PS ka ekipet e vlerave që kemi krijuar së bashku në 15 vjet zhvillime demokratike, me të cilët mund të rindërtohet sërish gjithçka që pret Shqipëria dhe e majta prej socialistëve.

...Është i çuditshëm fakti, që pavarësisht se jeni perceptuar si një çift konfliktual me Zotin Berisha, gjatë karrierës tuaj të bashkëpunimit 15-vjeçar ose më gjerë me të, ka pasur disa kompromise. Nga se janë frymëzuar këto kompromise, kanë qenë pazare apo pjesë e filozofisë politike?

Unë edhe Berisha nuk e kemi krijuar, por as nuk e kemi mbajtur njëri-tjetrin në politikë. Ky realitet është në sytë e gjithë publikut. Kundërshtarin nuk mund ta zgjedhësh...

A i ka kushtuar Shqipërisë, konflikti Nano-Berisha në këto 20 vite, a i ka dhënë kosto?

Nuk besoj se mund të jepet një përgjigje bardhë e zi, kryekëput negative, apo kryekëput pozitive ndaj kësaj pyetjeje, që është edhe një nga sfidat e zhvillimit tonë 20 vjeçar. Unë besoj se, edhe unë edhe Berisha mund të kishim evituar shumë gjëra, në përplasjen dhe në pasojat negative që kanë sjellë konfliktet e ashpra të politikës shqiptare mbi zhvillimin e ekonomisë dhe ritmin e hapjes, të integrimit me botën. Por, në fund të fundit, unë besoj se kemi manovruar në kufijtë e së mundshmes dhe kemi arritur në momentet e duhura, shpesh edhe in extremis, të rivendosim hapësirat dhe raportet që i kanë shërbyer vendit më shumë se sa e kanë dëmtuar atë. Natyrisht, kur politika dhe zhvillimi politik i një vendi personalizohet në dy emra, bien protagonistët e tjerë. Por shpesh, edhe unë edhe Berisha, na është dashur të mbajmë në kurriz kostot e të tjerëve, kostot e ekipeve, kostot e aventurierëve, që jo gjithmonë është e mundur të kontrollohen nga liderët në kushte demokratike...

Ka pasur një ide se djali juaj mund të përfshihej në listat e PS-së edhe në këto zgjedhje?

Mund të ketë qarkulluar ndonjë ide e tillë, por nuk ka qenë as e imja, as e djalit tim. Në familjen tonë kjo përjashtohej dhe ai vetë ka zgjedhur të qëndrojë larg politikës si profesion.

Ka njerëz që thonë, se ju jeni kryeneç, në shumë raste kontrovers, rebel, është diçka që ju ka ardhur nga pushteti, apo e keni pasur edhe më parë?

Ndoshta shfaqja e një veprimi të papritur, lidhet me rebelimin ndaj një situate anormale, apo një padrejtësie apo zhvillimi të deformuar. Në politikë, unë mbetem një rebel i tillë, sepse kam zgjedhur shpesh me kosto edhe rrugën më të vështirë, edhe kundër rrymës, për të rivendosur gjendjen në normalitet.

...Në emisionin e kaluar u ankuat që familjes tuaj i ishin vjedhur shtatë biçikleta dhe pas 30 vitesh nuk e harronit një fakt të tillë. Ndërkohë që ju keni pasur akuza nga shtypi se keni vjedhur gjithë Shqipërinë. Ishte shpërblim për biçikletat apo janë thjesht akuza?

Mos harroni se dhe akuza me të cilën në mënyrë të padrejtë më burgosën në vitin 1993, ishte formuluar “vjedhje në favor të të tretëve”!

Keni vjedhur ndonjë gjë në të vërtetë në 1991 - mund ta thoni - kanë kaluar kaq shumë vite?

Më lejoni të them se, po ta vinit veten në rrethanat e vitit 1991, kryeministri e kishte të pamundur të ushtronte ndonjë marifet të veprimtarisë së tij, në kushtet kur tregu ishte bosh dhe ndihmat nga bota ishin konserva ushqimesh dhe vaj. Pra, ka periudha apo rrethana që mund të shkaktojnë abuzimin me detyrën dhe korrupsionin material, por jo nuk ka ndodhur me mua. Më lejoni t’ju them se sot, gjithnjë e më shumë më gëzojnë historitë që qarkullojnë, se njerëzit kanë jetuar mirë në periudhën që unë kam qeverisur, 2002 - 2005! Duket se ato dëshmojnë sërish që unë paskam vjedhur prapë në favor të tyre, në favor të shumicës!

...Guvernatori më konfidoi në një rrëfim pas intervistës tuaj se ju keni qenë gjithsesi i lumtur edhe me 8 milionë dollarë të thesarit të Shqipërisë në 1991 se më ’92 kishte mbërritur vetëm në 2 milionë dollarë?

Duket se guvernatori i sotëm është më i pasur sesa kur ka qenë zëvendës në kohën e vështirë të vitit 1991.

Ju vendosët të divorcoheshit në vitin 2001, përse e ndërmorët këtë akt?

Rrethanat e jetës sollën ndërprerjen e një marrëdhënie martesore dhe familjare, që solli në jetë dy fëmijët e mi të mrekullueshëm, apo të një familje që arriti të mbajë edhe barrën e rëndë të burgut. Ndoshta një nga traumat që la burgosja në jetën time personale ishte pikërisht kjo gjë. Ndërkaq, në shoqërinë tonë që ende duhet të shkëputet nga disa vargonj të primitivizmit ballkanas, mungojnë institucione alternative, të cilat nuk do ta detyronin politikanin të ishte transparent me publikun edhe për veprime të tilla të jetës së tij private. Në botën moderne, ky është një standard i sjelljes së politikanëve, në rast se një krizë familjare iu ndodh, kudo bëhet publike. Me këtë standard, unë kam takuar gjatë veprimtarisë sime si kryeministër, edhe kryeministra që ishin te bashkëshortja e katërt, si Shrëderi.

Nuk besoj se e patët zili për këtë fakt?

Jam mirë me kaq rrethana të favorshme dhe të disfavorshme në jetë. Nuk besoj se ky është një kompeticion. Madje, shokëve të mi në parti dhe në politikë në atë kohë, u detyrova t’u përsëris se nuk kam dhënë ndonjë direktivë për të lënë gratë. Po me Shrëderin kjo bisedë u hap natyrshëm, sepse martesa ime e parë ka marrë fund në përvjetorin e ditës së rënies së Murit të Berlinit, diku nga 9 tetori. Ai më thotë me humor: “A e kishte fajin komunizmi që ju dështoi martesa”? Në jetën time politike, më është dashur të përballoj me humor rrethana të tilla edhe në Shtëpinë e Bardhë, ku ishim të pranishëm në ceremoninë e zgjerimit të NATO-s me 2004 dhe duhej, që ndër 9 kryeministra përballë Presidentit Bush dhe pjesëtarëve të stafit të tij, secili të fliste dy minuta. Pasi u mendova gjatë se çfarë duhet të thosha në 2 minuta, zgjodha këtë frazë: “Zoti President, kjo është vetëm dita e dytë më e rëndësishme e jetës sime”! Presidenti Bush më ngacmon: “Mos vallë, dita më e rëndësishme e jetës tuaj është ajo kur u martuat me gruan tuaj të bukur”? I përgjigjem: “Zoti President, jeta private është tjetër gjë dhe ajo e martesës së Shqipërisë me komunitetin që ju përfaqësoni, është diçka shumë e rëndësishme. Më lejoni t’ju them se dita më e rëndësishme e jetës sime akoma nuk ka ardhur, ajo do të jetë dita e integrimit të Shqipërisë në NATO”! Bushi reagoi si cowboy: “Ma hodhe qerrata”! Pra, dua të them se rrethanat e jetës, duhen administruar në sytë e publikut, sepse mungesa e transparencës është një handikap i madh dhe në efikasitetin e ndërtimit të marrëdhënieve në lidhje me partnerë brenda dhe jashtë vendit.

Si e gjykoni krizën politike që po kalon Shqipëria këto kohë?

Mua më vjen keq që Shqipëria, pas një numri përvojash të kësaj natyre, rikthehet në të njëjtën situatë absurde. Për mua kjo është një krizë e krijuar artificialisht. Jo vetëm për arsyetimet tashmë të njohura publikisht, - që një palë zgjedhje normale, të certifikuara jo vetëm nga institucionet vendase, por edhe ato ndërkombëtare, prodhuan një rezultat të qartë, - rinis fenomeni i kontestimit, i mosnjohjes dhe tashmë kjo sëmundje ka përparuar aq shumë, saqë po ndërtohet për herë të parë në një logjikë anakronike, një proces politik jashtë sistemit, jashtë institucioneve që përfaqësojnë demokracinë dhe që ruajnë gjithë arritjet e zhvillimit deri më sot të shoqërisë shqiptare në demokraci.

A ka zgjidhje kjo krizë?

Natyrisht që ka zgjidhje, e cila nuk kalon vetëm nga dialogu midis palëve, por kërkon edhe një reformë që rivendos standardet dhe institucionet e funksionimit të demokracisë brenda partive dhe palëve, që kanë hyrë sërish në konflikt. Unë e shikoj me shumë shqetësim gjendjen në Partinë Socialiste dhe si nevoje shume emergjente ndryshimin e saj!

Ky është një mesazh për të majtën?

Ky është një mesazh i ditës, por dhe i të ardhmes. PS, me këtë personalizim të pushtetit dhe të veprimit politik që ka krijuar konfliktin e sotëm, nuk mund të ketë frymëmarrje dhe perspektivë, për tu rikthyer në një forcë kontribuese të zhvillimit demokratik dhe qeverisjes të vendit.

Keni pasur ju kontakte me drejtues të PS-së që kanë qenë pjesë e kësaj partie edhe gjatë kohës që ju keni qenë atje?

Unë asnjëherë nuk kam ndërprerë kontaktet me figurat kryesore të PS-së. Natyrisht, jo gjithçka është në vullnetin tim, sepse ka syresh që kanë zgjedhur anën e errët të karrierës, apo të bëjnë karrierë duke ecur mbrapsht. Por, mbaj kontakte me figura me të cilët kam punuar, kam bashkëqeverisur, me figura që janë rritur bashkë me mua, që nga qendra deri në nivelet më të skajshme të territorit. Vazhdoj të jem në kontakt dhe të nxis rikthimin e standardeve dhe të solidaritetit që rindërton aftësitë konkurruese të PS-së. Të tillë janë edhe ata që sot po kërkojnë me ngulm rivendosjen e principeve të pjesëmarrjes dhe braktisjen e bojkotit.

Jeni ju pjesë e këtij grupi zoti Nano?

Unë nuk mund të zvogëlohem kur jam midis gjithë socialistëve. Pra unë kam mundur, si rregull, që të integroj grupet e vogla në komunitetin e madh të së majtës. Nuk e shoh këtë grup si një çiban. Përkundrazi, ky është një grup bartësish të vlerave dhe eksperiencave më të vyera të PS-së dhe unë jam i sigurt që ata nuk janë të izoluar. Ndaj, do të vazhdoj t’i mbështes si dhe të nxis zgjerimin e hapësirës të cilin shumica e socialistëve do të veprojnë, si në traditën e tyre, duke konkurruar në institucione dhe duke i mposhtur kundërshtarët me mjete demokratike.

A është gjithë kjo intervistë një testament politik në një farë mase edhe një lamtumirë e jetës aktive politike?

Blendi, edhe ty do të të vinte keq të më humbisje si partner. Por, them dhe ta mbyll këtë bisedë me sinqeritet: Nuk po lë amanetet, përkundrazi. Publiku i gjerë duhet të jetë i sigurt se do të takohemi shumë shpejt, edhe nëpërmjet studios tuaj!

Do të thotë se do të riktheheni dhe do të angazhoheni?

Unë aty jam dhe natyrisht, prisni të papriturën e radhës!




Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama