Varri masiv 313 te ekzekutuar te tjere presin te zbulohen

Varri masiv 313, të ekzekutuar të tjerë presin të zbulohen
Asnjë institucion shtetëror nuk ka qenë në dijeni të gërmimeve të kryera privatisht gjatë muajve maj dhe nëntor të vitit të kaluar.

Përfaqësues të policisë dhe prokurorisë mbërritën në vendngjarje të shoqëruar nga njerëzit që kryen gërmimet për të inspektuar vendin. Një roje private që ruan ambientet e arkivit së Bashkisë së Tiranës u shpreh i habitur. Për shumë vite ka qëndruar në një prej ish-barakave të ushtrisë, duke kaluar ditë të mërzitshme.

Urdhri i shumëpritur për Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekspertimin e eshtrave të gjetura, u lëshua. Rreth orës katër të pasdrekes, nën praninë e Kryeministrit Sali Berisha premtoi krijimin e një zyre të posaçme për hetimin e mëtejshëm, një zyrë që do të ketë të drejtë aksesi nëpër arkiva për të gjetur gropat ku janë varrosur të ekzekutuarit e tjerë. Ministria e Brendshme premtoi hapjen e arkivit të vet për hetuesit që do të përpiqen të gjejnë emrat e mbetjeve njerëzore të gjetura. Dje, ndërsa grupi hetimor po këqyrte vendin e ngjarjes, një pjesë kafke njeriu u zbulua dhe u fut në një zarf.

“Demokracia nuk mund të flejë mbi varre. Ne, së pari duhet të krijojmë një organizëm të veçantë, ta pajisim me të gjithë mekanizmat e duhur për të kërkuar të ekzekutuarit, kudo që ata janë. Di që një grup deputetësh, intelektualësh, po shqyrtojë mundësinë e referendumit. Në Parlament kemi ligjin për ngritjen e institutit të kujtesës kombëtare. Ju lutem ta shqyrtoni ligjin dhe të avanconi ngritjen e këtij instituti, i cili dallon nga instituti polak, që ka seksione policie, seksione gjykatash etj. Ky është një institut i ngjashëm me institutin çek, i cili synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarive të regjimit komunist”, tha Kryeministri Sali Berisha, pasi kishte lexuar lajmin makabër në gazetën “Shqip”.

Shumë mbeten nëntokë

Ndonëse zbulimi i varrit masiv 313 bëri bujë, fakt mbetet se në zonë gjenden ende vendvarrosjet e shumë të tjerëve. Vetëm një nga procesverbalet e Ministrisë së Brendshme të kohës tregon emrat e mbi 30 vetëve të ekzekutuar në atë vend. Njerëzit që bënë zbulimin, thonë se dëshira e tyre është që gërmimet e tjera të kryhen nga ekspertët. Ata kwrkojnw qw profesionistët e historisë të menaxhojnw të gjithë informacionin e nevojshëm arkivor dhe të kryejnw intervista me njerëzit që kanë qenë dëshmitarë në atë kohë. Në Shqipëri ka ende më shumë të ekzekutuar pa varr, se sa të ekzekutuar me varr. Vlerësohet se 2500-3000 varre të tilla presin të hapen në të gjithë vendin.

Abuzim politik

Familjarët e viktimave të komunizmit kërkojnë vetëm varret e të afërmve. Por politika shqiptare ka edhe hesape të tjera për të larë dhe frika e familjeve është se mos sherri politik dëmton procesin e identifikimit të varreve. Kryeministri Berisha tha dje se “nuk dihet se në çfarë kohe janë ekzekutuar njerëzit e gjetur së fundmi”, duke aluduar se mund t’u përkasin të zhdukurve të viteve ‘90–‘91. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh rezultojnë sot të humbur që prej asaj kohe, pasi patën tentuar të kalojnë kufirin. Por varri masiv 313 i përket para së gjithash viteve 1970-1980. Arkivat dëshmojnë se pikërisht në këto vite zona është përdorur si vend ekzekutimi dhe varrosjeje. Në arkiv ekziston edhe një listë e detajuar me njerëzit e ekzekutuar aty. 


Disa deputetë dje u shprehën të mërzitur nga vëmendja që i kushtoi Kryeministri Sali Berisha kësaj çështjeje.

 

 

 

Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama