Berisha
Kryeministri Berisha deklaroi dje se ai ishte i qetë për takimin që pret të zhvillojë me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, nën organizimin e Presidentit Bamir Topi. Në një intervistë për “Top Channel”, Berisha theksoi se përveç qetësisë dhe qartësisë në këtë takim do të shkonte edhe me një set propozimesh. Sipas Kryeministrit, këto propozime jepnin zgjidhje për krizën politike në vend, por në asnjë mënyrë nga palët nuk mund të kishte kërkesa për të hedhur poshtë vendimet e gjykatave. Po kështu, Berisha theksoi se propozimet e tij për zgjidhjen e krizës, ishin gjithashtu në përputhje të plotë me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës të propozuar për Shqipërinë.
“Unë do të jem i hapur te Presidenti dhe i qartë. Nuk kam asnjë për të fshehur. Unë shkoj me një set propozimesh që i kam bërë publike, me frymën për t’i përgjigjur pikë për pikë kërkesave të rezolutës së Këshillit të Europës”, theksoi Berisha. Sipas tij, do të ishte e udhës që edhe opozita e përfaqësuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama të ishte dakord me propozimet e KiE-s, sepse në këtë mënyrë konsensusi mes palëve do të arrihej shumë shpejt. Nga ana tjetër në mënyrë të prerë kreu i qeverisë përsëriti se ai nuk do të shkelte në këtë tryezë asnjë vendim të gjykatave dhe nisur nga kjo në këtë tryezë sipas Berishës, nuk mund të diskutohej për hapjen e kutive. “Ndarja e pushteteve është një parimet më themelore të demokracisë. Nuk jam unë ai që pengoj hapjen ose jo
të kutive, numërimin ose jo. Këtu vendos Kushtetuta. Ne nuk mund të ndërmarrim atribute të prokurorisë”, theksoi Kryeministri në lidhje me këtë çështje. Po kështu, në intervistën e djeshme Berisha nuk harroi të theksoj se mes tij dhe Presidentit Topi nuk kishte asnjë kontradiktë dhe se ai nuk kishte asnjë kompleks nga fakti se po ulej në një tryezë të negociuar nga Presidenti i Republikës. “Unë po takohem me Edi Ramën, takimi me Topin është dytësore”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se atë nuk e trembte asnjë protestë e opozitës, të cilat ishin të lira të vazhdonin. Berisha theksoi se mazhoranca as që e mendon të shkoj drejt zgjedhjeve të parakohshme. “28 qershori 2013, kjo do të jetë data e zgjedhjeve të ardhshme. Mazhoranca po funksionon me dinamizëm të pashoqe”, theksoi Berisha, në përfundim të intervistës së tij.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje në mbrëmje se nuk ka vënë asnjë kusht për t’u ulur në tryezë me mazhorancën. Në të kundërt, sipas Ramës, gjithçka do të diskutohet atje. “Ne nuk kemi vënë kusht hapjen e kutive për t’u ulur në tryezë, por do ulemi në tryezë për të hapur kutitë”, tha Rama. Në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët, i konceptuar si takimi i parë që do të vijojë në të gjithë vendin me temë “Shqipëria në krizë dhe arsyet e protestës”, kryesocialisti iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve duke shpjeguar përse kërkon dialog, cilat janë kushtet e negociueshme apo të panegociueshme, cila është strategjia e opozitës, ndërsa kërkon dialog etj. Por kërkesa e kutive është e panegociueshme, po aq sa edhe kërkesat e tjera. Rama tha qartë se askush të mos guxojë të mendojë se PS është e gatshme të lëshojë pe në të gjitha kërkesat e tjera në këmbim të kutive. “Kërkesat tona nuk janë një listë për pazarin e ditës derisa të jetë kryer pazari, kërkesat tona kanë një rend prioritetesh, të cilat s’mund të vendosen në kandar as me numër as me peshë. S’mund të thuhet hiqni dorë nga kutitë, ne po ju lëmë këto të tjerat, në rast se hetohen kutitë nuk ka hetim të zgjedhjeve, ka vetëm një ardhje përqark qendrës së gravitetit të krimit elektoral. Në rast se ka krim elektoral këtë mund ta përcaktojnë transparenca e kutive ashtu, si dhe gjithë këto që thashë, pa kutitë relativisht këto të tjerat rrëzohen”, theksoi Rama.
Ai shprehu gatishmërinë për të folur për një sërë çështjesh siç janë fenomenet që u vunë re para dhe pas zgjedhjeve, por më kryesorja mbetet si gjithmonë hapja e kutive të votimit. I pyetur se çfarë ndodh nëse vendoset hapja e kutive Rama sqaroi se “mjafton një komision hetimor parlamentar me objekt hetimi të pakufizuar ku përfshihet edhe hapja e kutive dhe ne shkojmë në Parlament, ulemi për të vazhduar të qëndrojmë aty deri kur t’i jepet fjala popullit për të gjykuar nëse rolet në shfaqjen demokratike duhet të mbeten po ato apo duhet të ndryshojë”. Ndërkohë, Rama përmendi edhe protestat. Ai sqaroi se ato nuk janë një mënyrë për të bërë presion. “Ne jemi në protestë edhe tani, qysh ditën që kemi vendosur të refuzojmë pjesëmarrjen në një Parlament, i cili në këndvështrimin tonë duhet të legjitimojë veten duke pasur kurajën që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese. Kështu që arsyet e protestës janë të gjitha arsyet që ne jemi në pozicionin që jemi sot, pse jemi jashtë Parlamentit, të gjitha arsyet pse ne jemi dhe do jemi në betejë pavarësisht nëse do ketë ose jo një manifestim të madh proteste në varësi të rezultatit të dialogut”, u shpreh Rama. Për ta respektuar këtë dialog, vijoi ai, dhe për të krijuar asnjë ekuivok për palën që nuk është e interesuar ta zgjidhë çështjen tonë.
Nga : Gazeta Shqip











