Në fund është Dinamo, ajo që triumfon sërish: 2-1 dhe vendos një dorë te titulli i 18 i saj. Derbi Tirana-Dinamo, në dritat e prozhektorëve të shumëpërfolur, pas incidentit në Gramozi-Real 1-2, nisi me shumë entuziazëm mes tifozerive, por përfundoi në një mënyrë të shëmtuar. Sinjali i parë i tensionit u dha në minutën e 7, kur mbrojtësi i Tiranës, Bici, u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë bardheblutë me 10 lojtarë për pjesën tjetër të ndeshjes. Tirana mbahet mirë, edhe pse me një lojtar më pak dhe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Muzaka fitoi një penallti, duke e shndërruar po vetë në gol. Pjesa e dytë ishte një katrahurë e vërtetë, nga ajo që u pa në fushë dhe jashtë saj, gjë që e bëri të zgjasë më shumë se 60 minuta. Ahmataj humbi një rast të mirë për Tiranën (60’). Pak minuta më vonë, Nallbani ndal në mënyrë të parregullt jashtë zone një kundërshtar dhe meriton kartonin e kuq, duke i lënë bardheblutë me 9 lojtarë, kundrejt 11 të Dinamos.
Muzaka i lë vendin portierit Korunovski. Malakarne kthen në gol asistin e Bakajt nga goditja e lirë (67’). Tri minuta para përfundimit, Bakaj shënon golin e dytë, që provokoi një sherr të madh. Gjithçka që ndodh më pas nuk ka lidhje me futbollin dhe dhuna ulet këmbëkryq në “Qemal Stafa”. Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, konfrontohet fizikisht me Bakajn dhe ky i fundit braktis fushën i gjakosur dhe i fashuar për t’iu drejtuar spitalit. Tifozët e të dyja skuadrave hynë në fushë, ndërkohë që vetëm ndërhyrja e policisë për të rivendosur rregullin rikthen një farë normaliteti. Ndeshja rinisi për pak minutat e mbetura. Fërshëllima e fundit i lë vendin sërish sherrit, i cili ishte transferuar tashmë në dhomat e zhveshjes mes lojtarëve të të dyja skuadrave. Një turp i vërtetë, por që i vuri kapak një derbi të jashtëzakonshëm.











