Zoti Luan, me çfarë detyre ishit në kohën kur ndodhi katastrofa e Llogarasë më 1989?
Isha Përgjegjësi i Grupit të Drejtimit në Vendkomandën Qendrore të Aviacionit, pas një karriere të nisur me mbarimin e shkollës së aviacionit. Vendkomanda Qendrore gjendej në Sauk dhe ishte objekt i rëndësisë së veçantë. Një pozicion i tillë detyre në atë kohë kishte shumë kompetenca, pasi kishe në duar fatin e njerëzve që fluturonin, të cilët i drejtoje duke ndjekur qoftë radarët, qoftë duke i këshilluar me radiondërlidhje apo urdhëruar si të vepronin në situata të vështira. Çdo rast emergjent gjithsesi ishte i parashikuar edhe në rregulloren e fluturimeve.
Si e kujtoni 22 nëntorin 1989, ditën kur në Llogara e Vuno u rrëzuan dy helikopterët ushtarakë ku humbën jetën 21 njerëz?
E kujtoj si të ketë ndodhur dje. Isha në komandim, kur rreth orës 14:00 më mori në telefon ish-komisari i Aviacionit, Sali Dibra dhe më tha të përgatisja dy helikopterë për t’i nisur në Himarë, pasi atje ishte rrëzuar një autobus me studentë. Kujtoj se mjeti kishte rënë në një vend të rrezikshëm, që quhet Qafa e Vishnjës. Në bazë të instruksioneve që kishim, i raportova përgjegjësit të grupit të drejtimit, Mezin Malaj dhe njëkohësisht i dhashë urdhër Sinan Çelës, Komandantit të Regjimentit të Helikopterëve në Farkë, të përgatiteshin dy helikopterë për në Himarë. Në të njëjtën kohë mora të dhënat për kohën, situatën meteorologjike, matje që kryheshin nga stacioni ynë i Forcave Ajrore. Gjithashtu, mora edhe të dhënat meteorologjike nga vendkomanda e Regjimentit Ajror në Kuçovë si dhe nga Shkolla e Aviacionit në Vlorë. Po kështu u mor situata ajrore edhe nga të gjitha repartet e mbrojtjes kundërajrore që nga Tirana, në Sarandë. Pra, gjithçka sipas instruksioneve të gatishmërisë.
Dhe si ishte situata për fluturim?
Përgjigja që erdhi, si nga stacionet meteorologjike, si nga repartet kundërajrore, që jepnin një opinion pas vëzhgimit me sy të lirë, ishte se gjendja, sidomos në zonën e Himarës e Vlorës, ishte 10/10 me re, që do të thotë se i gjithë këndshikimi, gjithçka ishte e zënë nga retë. Lartësia e këtyre reve ishte në kuotat 1,200 deri në 1,400 metër. Pa shkuar deri këtu, shikimi raportohej shumë i mirë dhe njëkohësisht nuk kishte erë. Ishin kushte që e lejonin plotësimin e detyrës. Të gjitha këto ia raportova Komisarit të Aviacionit si dhe Komandës së Helikopterëve në Farkë. Këtu u përgatitën dy ekuipazhe, madje u zgjodhën pilotë me eksperiencë, pasi duhej të fluturonin edhe natën. Helikopterët ishin MI-4, të prodhuar në Kinë, por kopje të një patente sovjetike. Këta helikopterë lufte ishin të aftë të fluturonin edhe natën, edhe në kushte të vështira të motit. Njëkohësisht, ne hapëm mjetet e radiondërlidhjes tokë-ajër, duke bërë që të gjitha radiot të kalonin në një frekuencë.
Kështu që urdhëruat ngritjen e dy helikopterëve?
Po. Në Farkë ndërkohë kishin shkuar edhe dy grupe mjekësh të spitalit civil. Provuam radiondërlidhjen dhe pasi gjithçka rezultoi në rregull, nisëm operacionin e fluturimit. Dy komandantët e helikopterëve, Vangjel Postoli dhe Agron Galanxhi, ishin vërtet nga më të zotët. Ata kishin kryer dhjetëra detyra në zona nga më të thellat e vendit duke fluturuar në kushte të vështira.
I kujtoni bisedat me dy komandantët?
Më kanë shungulluar në kokë gjithë këto vite pas tragjedisë. Pra, ata u nisën në fluturim në formacion, në një largësi që të kontrollonin njëri tjetrin edhe me sy të lirë. Kuptohet që fluturuan ulët, pasi e dinin se, filluar nga lartësia 1200 metër, kishte re. Pasi kaluan Kuçovën, i pyeta në radio se ç’drejtim do merrnin. Flisnim me kod, më duket se ne e kishim “Gjigandi”. Vangjeli më thotë se do të kalonin nga gryka e lumit Shushicë për të dalë në Qafën e Mbretës. Mbreta është një lloj peme... Pra, nga lugina e lumit të Vlorës, për t’i rënë më shkurt. E pyes për kushtet e motit. Asgjë e re më thotë, qielli vazhdon të jetë 10/10 mbuluar me re filluar nga 1,200 metër lartësi, shikimi është i mirë, erë nuk ka. Kuptohet ata ecnin në lartësinë 800-1000 metër, poshtë reve.
Nga një dokument që kemi gjetur, thuhet së zona e Himarës nuk ka qenë e mbuluar me valë, pra ju dikur jeni shkëputur nga kontakti i drejtpërdrejtë me dy helikopterët?
Po është e vërtetë. Por ndërlidhja vazhdonte, veçse realizohej ndryshe, me anë të së tretëve. Pra, në këtë rast ne komunikonim me vëzhgues në terren, në bateritë kundërajrore, që na komunikonin se çfarë shihnin. Kujtoj se para se të dilnin nga zona që mbulohej me valë, u kam thënë dy komandantëve që kur të ulen në Himarë, të merrnin në telefon. Unë i dëgjova në radio deri sa u futën në grykën e Shushicës, më tej jo. Në të njëjtën kohë kam marrë në telefon përgjegjësin e grupit të drejtimit të Brigadës së Këmbësorisë së Himarës dhe i kam shpjeguar se dy helikopterët janë duke ardhur nga gryka e Shushicës. Edhe këtij i thashë, që me t’u ulur helikopterët, t’i thoshte Vangjel Postolit të më merrte në telefon. Pasi dy helikopterët u futën në luginën e Lumit të Vlorës, në çdo 3-4 minuta nisën të më vinin informacionet nga zbulimi pamor optik nga bateritë kundërajrore, që më thoshin se panë helikopterët të kalonin. Po në këtë kohë u lidha me telefon me një pikë ushtarake të Qafës së Mbretës, ndërkohë që të gjitha linjat telefonike civile në atë drejtim i bllokova, sipas udhëzimeve që kishim për të tilla raste. Kur helikopterët mbërritën në Qafën e Mbretës kishte mjegull, pra nuk kishte fushë pamje për të vazhduar në drejtim të Himarës. Mësova se ata e kishin zgjidhur vetë situatën, duke bërë rrotullime në ajër deri në momentin kur kishin gjetur një të çarë mes reve. Me t’u ulur në Himarë, më njoftuan se gjithçka kishte shkuar shumë mirë.
Ju njoftuan të tjerë, jo komandantët e helikopterëve?
Të tjerë. Vangjeli më doli në telefon menjëherë pas mbërritjes. E këshillova të maste mirë situatën dhe të vepronte duke marrë vetë vendim bashkë me komandantin tjetër, pasi në raste të tilla ne nuk mund të jepnim urdhra, kështu e parashikonin rregullat, pasi ne nuk mund të gjykonim për një situatë që nuk e shihnim. Vangjeli më thotë se koha është e vrenjtur, se mbi male ka re, por më thotë gjithashtu se shikimi është i mirë dhe se nuk fryn erë. I njëjti informacion iu kalua edhe Komisarit të Aviacionit, Sali Dibra. Duke qenë se koha kalonte, unë urdhërova Shkollën e Aviacionit në Vlorë si dhe Regjimentin e Kuçovës, që të përgatisnin gjithçka, që nga projektorët deri te mjetet e drejtimit, pra radiondërlidhjen si dhe vetë aerodromet për çdo ulje emergjence.
Duke qenë se në kthim në Qafë Mbretë do të kishte sërish probleme, a ratë dakord për një rrugë tjetër kthimi?
Para se të ngriheshin unë kisha përgatitur edhe një variant tjetër për rrugën e kthimit. I thashë Vangjelit që, nëse do e vendosnin të ngriheshin, të kalonin ose sërish në Qafë Mbretë, ose të ecnin përgjatë bregut të detit 5 deri në 10 kilometër në thellësi dhe duke mbajtur këtë kurs të futeshin mes Karaburunit e ishullit të Sazanit për të kaluar mbi Vlorë. Pak minuta më pas Vangjeli me telefonoi sërish duke më thënë se e kishin vendosur që të niseshin. Më thotë se nuk janë të gjithë studentët që ishin në autobus të plagosur dhe se do të merrnin vetëm ata që ishin më rëndë si dhe ekipin e mjekëve. E pyeta edhe njëherë nëse e kishin me dy mendje apo e kishin vendosur. Më thotë prerë se e kishin vendosur. Atëherë i pyeta se cilën rrugë do të ndiqnin. Më thotë se do të vinin nga bregu i detit, pra jo nga gryka e Shushicës. I përsëris se për të shmangur ndonjë aksident eventual, të futen mbi det deri në 10 kilometër dhe të vazhdojnë kursin. Më thotë të mos kisha merak. I them se, sido që të vinte puna, Shkollën e Aviacionit në Vlorë dhe aeroportin e Kuçovës i kishin të hapur. Ky ishte edhe kontakti i fundit që pata me ta. Ndërkohë jashtë kishte rënë nata.
Sa zgjati koha pa kontakt me dy helikopterët?
Shumë zgjati. Lidhjen e fundit e pata me përgjegjësin e grupit të drejtimit të Himarës. Ai më tha se të dy helikopterët ishin ngritur dhe se kishin marrë drejtim bregut të detit për të dalë në bisht të Karaburunit. Në këtë kohë unë i dhashë urdhër zbulimit radiolokator dhe atij pamor optik, që kush t’i pikaste, të më njoftonte. Ndërkohë, nisa të matja kohën me kronometër. Kohën që duhej për të shkuar deri në Vlorë. Për habi nuk pati asnjë kontakt viziv apo fonik. Pres që kronometri të shënonte kohën kur helikopterët të dukeshin mbi Vlorë dhe marr në telefon Shkollën e Aviacionit. U them se tashmë duhet të jenë mbi Vlorë, se duhet të dëgjohet zhurmë. Më thonë se nuk shikonin e dëgjonin asgjë.
Kur e mësuat për katastrofën?
Një sekondë më pas. Unë kisha bllokuar të gjitha linjat civile telefonike në atë drejtim dhe dëgjova në telefon centralisten e fshatit Vuno të thotë tekstualisht “u rrëzua një helikopter këtu te ne, vetëm zjarr e flakë”. I bërtita: Ç’thua moj! E ke të saktë apo jo? “Kush jeni, Dega e Brendshme”, më thotë. I them se jemi Vendkomanda Qendrore e Aviacionit në Tiranë. Dhe ajo më tregon se është e sigurt që tashmë një nga helikopterët është rrëzuar dhe se këtë e kanë parë më sy të lirë. Në këtë moment nuk e kam mbajtur më veten. Më janë mbushur sytë dhe më ka shpëtuar doreza e telefonit nga dora. Por të gjithë që ishin aty nisën të qanin.
Po helikopteri tjetër?
Sapo mësuam se një nga helikopterët ishte rrëzuar e kuptuam se gjithçka kishte ardhur për shkak të përkeqësimit të motit. Sepse ndërkohë nga Rinasi na kishin njoftuar se avioni i shoqërisë hungareze “Malev” mezi ishte ulur. Njëkohësisht Fieri e Vlora dhanë informacion për prishje të menjëhershme të kushteve atmosferike. Në këtë moment ne lëshuam alarmin për të shpëtuar helikopterin e dytë. Por sërish zbulimi pamor optik dha përgjigje negative. Nuk e shikonin. Me kalimin e minutave bëmë llogari se shpresat ishin të pakta edhe për helikopterin e dytë, pasi përllogaritëm kohën e qëndrimit në ajër dhe na dilte se karburanti duhet të ishte mbaruar me kohë. Por pati edhe momente shprese. Sepse nga posta radioteknike e Fierit na njoftuan në katër raste të ndryshme se në zonën Vlorë-Fier u dilnin impulse në ekran. Por ishin të dhëna false. Thjesht radarët shihnin ngarkesat e reve, stuhinë e fortë, të njëjtën që u bëri gropën dy helikopterëve dhe 21 njerëzve të pafajshëm. Lajmin e rrëzimit të helikopterit të dytë e mësuam vonë. Na e komunikuan me telefon nga Dega e Brendshme e Vlorës. Na thanë: Është rrëzuar edhe i dyti, në afërsi të Llogarasë. Kujtoj se në këtë kohë kam dalë jashtë dhe kam futur kokën në ujët e ftohtë të çezmës për një kohë të pacaktuar.
Pati një hetim për këtë ngjarje?
Kush të falte? Ka ardhur një grup hetimi vetëm katër orë pas ngjarjes. Ishin gjashtë vetë të Hetuesisë së Tiranës. Por meqë ishin civilë, nuk u lejuan të futeshin në vendkomandë. Ua nxorëm materialet jashtë, dokumentet dhe shiritat e incizimit, pasi të gjithë dialogët e mi me komandantët e helikopterëve regjistroheshin automatikisht. Por shpejt na u komunikua se ne si vendkomandë kishin vepruar saktë, sipas të gjithë rregullave të paracaktuara.
Kujt ia vini fajin që ndodhi kjo ngjarje, si ekspert i vjetër?
Pati një përkeqësim të papritur të motit. Saktësisht ka pasur një ciklon atmosferik që ne në atë kohë, me aparaturat që kishim, nuk mund ta diktonin në kohë. Mësuam se edhe deti në këtë kohë kishte qenë 9 ballë, si asnjëherë tjetër. Ndërsa cikloni ka qenë me drejtim jug-veri. Kemi përllogaritur se të dy helikopterët janë përplasur me malin në të njëjtën kohë. Pra, nëse themi se ata janë ngritur në Himarë me distancë kohore 3 minuta i pari nga i dyti, me anë të një përllogaritje të thjeshtë, të parit i binte të ishte në Llogara, ndërsa të dytit në Vuno, kur janë përplasur. Pra, janë goditur në të njëjtën kohë nga rryma e fortë e erës. E një ere që u llogarit të kishte shpejtësinë mesatare 165 kilometër në orë. Për mua i ka marrë helikopterët si gjethe pemësh dhe i ka përplasur në mal.
Nëse do të kishin fluturuar me tjetër itinerar kthimi, a mund të kishin shpëtuar?
Edhe mundet. Edhe po të ishin kthyer nga rruga e Qafë Mbretës, mbase mund t’ia kishin dalë, sepse mund të kishin arritur të futeshin në grykë, kur cikloni ende nuk kishte mbërritur. Por edhe po të kishin zbatuar sugjerimin tim, të ishin futur 10 kilometër në det, mbase do të kishin pasur tjetër fat. Sepse ata kanë fluturuar bregdetit. Por mbase jam i gabuar. Mbase cikloni, kudo që t’i arrinte, do i kishte rrëzuar. E kujtojnë të gjithë tufanin e asaj dite. Nuk ishte nga ata që ndodhin shpesh. Makinat që u dërguan në Llogara, pas ngjarjes, mezi e kanë çarë erën dhe shiun. Të mendosh që shumica ishin kamionë të rëndë.
A ka një pikë të errët në të gjithë këtë histori?
Nuk jam shumë i sigurt. Ka vetëm pandehma. Një e tillë është ajo e debatit në Himarë, të niseshin apo jo. Sepse ishte raportuar ndërkohë që moti kishte nisur të prishej. Kam idenë se pilotët mund të jenë sugjestionuar nga pamja e studentëve të plagosur. Nga lutjet e tyre për ndihmë. Të shohësh njerëz të përgjakur, me gjymtyrë të coptuar, që të luten... Mund të jenë vënë në siklet edhe nga mjekët, sepse ka edhe një version të tillë. Por ajo që u bë nuk kthehet më. Tre nga pilotët ishim miq të mi. Edhe tani bëhem shumë keq kur e kujtoj këtë ngjarje.
Panorama











