Gama e pyetjeve që kërkojnë përgjigje për çdo fushë përfshin jo vetëm legjislacionin, por edhe strukturat zbatuese, funksionimin e institucioneve, burimet njerëzore, buxhetin e alokuar, bashkëpunimin ndërmjet agjencive të ndryshe dhe nivelin e zbatimit e shtrëngimit të legjislacionit. Thënë ndryshe, nëpërmjet pyetësorit, komisioni skanon imtësisht kapacitetet administrative të vendit aplikant, sikurse verifikon seriozitetin dhe vullnetin politik të tij. Për shembull, në rastin e Maqedonisë pyetësori ishte rreth 100 faqe, ndërkohë që përgjigjja e parë e qeverisë maqedonase ishte rreth 15 mijë faqe. Komisioni pas marrjes së përgjigjeve i vlerëson ato përgjatë një periudhe kohore dhe gjithashtu i kërkon sqarime dhe përgjigje të mëtejshme qeverisë së vendit aplikant për çështje që konsiderohen të rëndësishme apo për çështje ku përgjigjja konsiderohet e pamjaftueshme. Me përgatitjen e opinionit dhe dërgimin e tij këshillit, komisioni e përfundon punën e tij. Bazuar në opinionin e komisionit, këshilli duhet të vendosë sërish në mënyrë unanime për t‘i dhënë ose jo aplikantit statusin e vendit kandidat. Mundësitë që këshilli të japë një vendim jo pozitiv në këtë fazë janë shumë të pakta, duke pasur parasysh efektin negativ të mesazhit që do të përçohej sikundër praktikën e ndjekur deri më sot.
Megjithatë, refuzimi nuk është opsion i pamundur. Në rastin e Maqedonisë, mundësia e refuzimit parashikohet në dokumentin që shoqëron "avis" e komisionit, ku thuhet: "Nëse në të kundërtën, këshilli vendos të mos japë statusin e vendit kandidat dhe të mos fillojë negociatat për anëtarësim, vijimësia e procesit duhet të sigurohet me qëllim që të mos dekurajojë vendin nga kursi i reformave të nevojshme". Në këtë skenar BE-ja duhet të konsiderojë mbështetjen e vendit për të kapërcyer vështirësitë, të cilat kanë çuar në një vendim negativ (ose të kushtëzuar) nga këshilli, duke shërbyer kështu si një shtysë për reforma të mëtejshme për perspektivën e ardhshme të fitimit të statusit të vendit kandidat.
Një variant i butë refuzimi mund të jetë në trajtën e vendimit të kushtëzuar, që do të thotë se vendit i jepet një listë detyrash ose kriteresh specifike për t‘u përmbushur (të ngjashme me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave) përpara se këshilli të japë një vendim pozitiv. Një tjetër mundësi është që këshilli të japë statusin e vendit kandidat, por të mos përcaktojë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.











