"Kjo varet nga progresi i secilit vend drejt unionit dhe nga përpjekjet individuale për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit dhe pikat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit", thuhej në vendimin e Këshillit të Bashkimit Europian. Kryeministri Sali Berisha gjeti rastin dje përmes një komunikimi me median të përshëndesë këtë vendim të Këshillit të BE-së. Sakaq, Ministria e Jashtme përmes një deklarate tha se "jemi të ndërgjegjshëm se kjo etapë e re kërkon si kontributin, përkushtimin dhe seriozitetin e institucioneve shtetërore ashtu edhe të institucioneve të pavarura, aktorëve të tjerë politikë, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në formën më gjithëpërfshirëse. Duke i siguruar të gjithë për gadishmërinë tonë të plotë për bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv, i ftojmë ata të bëhen pjesë aktive e këtij procesi në shërbim të interesave kombëtare të vendit". Presidenti Bamir Topi përmes një deklarate tha se "ky vendim shumë i rëndësishëm është një vlerësim dhe besim ndaj përpjekjeve serioze të Shqipërisë dhe shqiptarëve për të arritur qëllimin madhor integrues për t‘u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar".
Sot, vijoi ai, duhet të jemi sa të gëzuar, krenarë edhe të ndërgjegjshëm, sepse ndodhemi më afër integrimit, më afër miqve tanë dhe më afër popujve që stadartet demokratike i kanë busull të ndërtimit të shoqërive të tyre. "Dita e nesërme është fillimi i një angazhimi të ri cilësor dhe të përgjegjshëm për të gjithë shqiptarët", u shpreh Topi.











