Drejtori i rrugëve rurale për Shkodrën thonë se "situata është problematike për faktin se nuk ka makineri në dispozioci0n të kësaj ndermarrjeje dhe pastrimi bëhet me lopata, çka edhe vonën hapjen e aksit.
Mijëra banorë të këtyre fshatrave gjenden të izoluar dhe pa asnjë mundësi komunikimi me Malësinë e Madhe dhe Shkodrën. Drejtoria e Rrugëve bën me dije se aksi Shkodër- Dukagjin mund të bëhet i kalueshëm vetëm gjatë ditës së nesërme.
Reshjet e shumta të rënë gjatë natës kanë shkaktuar probleme të rënda në shumë zona të vendit.
Në shumë zona të Lezhës dhe të Mamurrasit banorët ankohen se janë gdhirë nën ujë dhe reshjet i kanë shkatërruar gjithë orenditë shtëpiake.
Problematike raportohet situate edhe në zonën e Laçit ku rreth 30 shtëpi janë përmbytur nga shirat. Shkak dyshohet se është bërë bllokimi i kanaleve kulluese.
Dëme të shumta janë shënuar edhe në Barbullonjë të Lezhës, ku dhjetëra banesa ndodhen pjesërisht nën ujë. Sipas burimeve nga zona mësohet se shkaku kryesor ka qënë mosfunksionimi i hidrovoreve dhe për pasojë janë përmbytur edhe shumë sipërfaqe toke.
Niveli i ujërave në tokë fushore është rritur me 50 deri në 60 cm. Banorët kërkojnë ndihmë, duke deklaruar se pajisjet elektroshtëpiake u janë dëmtuar krejtësisht. Tjetër problem në këtë zonë është edhe mungesa e energjisë elektrike.
Ministria: Grup pune për situatën
Pas situatës së krijuar nga reshjet dhe mosfunksionimi i hidrovoreve në disa zona ka reaguar Ministria e Energjitikës. Sipas saj, është ngritur një grup pune për të analizuar situatën hidroenergjitike në vend. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e METE ka theksuar se ky grup pune i përfaqësuar nga zëvëndësministri i Energjitikës, Leonard Beqiri do të analizojë situatën e krijuar në hidrocentrale pas rënies së shirave ditët e fundit. "Grupi i punës do të analizojë pa ndërprerje situatën në hidrocentralin e lumit Drin dhe shkarkimet e plota në hidrocentale dhe do të monitorojë furnizimin me energji duke e informuar çdo një orë ministrin e Energjitikës Dritan Priftin për situatën"- u tha në konferencë.
Dje qindra shtëpi private në Durrës u përmbyten nga reshjet, kryesisht në periferi, si në zonën e ish-Kënetës, Porto Romanos, Spitallës, Shkozetit, etj. Ndërkohë janë përmbytur edhe disa lokale në katet e para, në qendër të qytetit.
Mësojmë se në mesnatë është ndërprerë energjia elektrike që furnizon hidroforin më të madh të qytetit, në Porto Romano. Për pasojë uji i kanaleve kulluese ka hyrë në banesat e qytetarëve në lagjet e sipërpërmendura. Situata është mjaft e rëndë, gjithë mobiliet dhe pajisjet shtëpiake të afro 300 familjeve janë dëmtuar plotësisht. Ata thonë se e gdhirë natën për shkak të ujit që vërshoi në banesat e tyre. "Fëmijët i kishin të rrezikuar dhe i kemi vënë mbi dollape", thotë një prej banorëve.
Dje në mëngjes është mbledhur shtabi i emergjencës i drejtuar nga prefekti i qarkut për të vlerësuar numrin e familjeve të prekura nga përmbytja dhe dëmin material që iu është shkaktuar atyre. Ndërkohë janë dërguar zjarrfikëset për pastrimin e ujit në zonat e përmbytura.
Mark Brunga : Gazeta Shekulli











