Çfarë ju ndodhi ditën e rënies së murit?
"Me t‘u kthyer nga puna, ndeza televizorin dhe teksa dëgjova për trazira i telefonova menjëherë mamasë sime. I thashë që të tërhiqte të gjitha paratë që kishte në Perëndim, sepse mund të ndodhte ndonjë e papritur e pakëndshme. Më pas, vendosa që të shkoja në sauna e me të mbaruar seancën të pija një birrë dhe së fundi në "Bornholret Strasse". Aty kishte një grumbullim të madh njerëzish. Më kujtohet një zonjë, që ishte veshur me një pallto të madhe, poshtë së cilës shquaja këmishën e natës. Ajo mbante për dore një fëmijë, që i kërkonte vazhdimisht të iknin në shtëpi. Por atë natë, të gjithë donin të ishin jashtë e të festonin. Katër ditë më pas shkova në Poloni, për të mbajtur një fjalim shkencor dhe kolegët më thanë: Herën tjetër, kur të vish për konferencë, Gjermania do të jetë e bashkuar. Për sa më takon mua, unë nuk isha aspak e sigurt për një gjë të tillë.
Çfarë gjykimi keni për Republikën Demokratike Gjermane?
Ishte një shtet i padrejtë. Nuk kishte zgjedhje të lira, as liri demokratike, as liri zgjedhjeje, liri mendimesh dhe liri fetare. Në atë kohë sundonte diktatura e proletariatit dhe për këtë arsye regjimi kishte nevojë për një klasë punëtore në përmasa të mëdha. Ai nuk ishte një shtet i ligjshëm. Sigurisht, jetët e njerëzve kishin edhe anën e tyre personale. Unë kam pasur një jetë të mirë. Kam jetuar 35 vjet në atë vend, kam pasur miq, bëja pushime dhe është një periudhë që nuk mund ta hedh kurrsesi poshtë.
Cili ka qenë raporti juaj me atë regjim?
Nuk kam qenë një nga mbështetëset e tij, por as disidente aktive. Që në fëmijëri kam mbajtur një qëndrim kritik. Im at ishte një pastor protestant dhe kjo më vinte në një pozicion kritik.
Cilat janë disa prej gabimeve të ribashkimit të Gjermanisë?
Asgjë nuk është vetëm e bardhë, apo vetëm e zezë. Ajo çka është më e rëndësishme është se ribashkimi është një moment shumë i rëndësishëm, një akt simbolik, me një pasojë jashtëzakonisht të rëndësishme për Gjermaninë dhe të gjithë Europën. Në Gjermani, nga viti 1933 deri në vitin 1990, ka sunduar diktatura. Janë shumë vite të vështirë për t‘u shlyer menjëherë nga kujtesa. Ata që ribashkimi i Gjermanive i gjeti 45 vjeç, pra që patën kaluar pjesën më të madhe të kohës në punë shtetërore, aktualisht janë 65 vjeç dhe kanë pension të ulët. Kjo kategori ka një arsye për të mos u ndjerë mirë dhe është e kuptueshme se përse. Ndërkohë është ndryshe për ata që në vitin ‘89 ishin 18 vjeç, sepse ata e kishin gjithë jetën përpara dhe sapo kishin filluar të studionin.
Si jeni ndjerë në politikë, duke qenë se vinit nga Lindja?
U mësova që të mos jem më e ndjeshme se ç‘duhet në lidhje me këtë fakt, sidomos gjatë periudhës që isha ministre me Kholin. Kisha raste që dështoja në punën time dhe fillimisht i shpjegoja dështimet me faktin që isha një grua që vinte nga Gjermania Lindore, por me kalimin e kohës mësova dhe kuptova se edhe burrat që ishin nga Perëndimi bënin të njëjtat gabime, në mos më të rënda se unë, gruaja nga Lindja.
Cilat ishin ndjenjat tuaja për Gjermaninë Perëndimore?
Nuk e njihja, sepse e kisha parë vetëm në televizor dhe nuk mund të kisha një mendim të plotë dhe realist për të. Shihja shumë filmat policorë të Gjermanisë Perëndimore dhe kisha krijuar brenda vetes një imazh timin për atë vend me të cilin na ndante një mur. Perceptimi im ishte shumë kritik. Në atë vend shkova vetëm një herë dhe fjeta në hotel. Nuk do ta harroj frikën që përjetova dhe mendoja se do të isha ndjerë shumë më mirë dhe më e qetë po të kisha shkuar në Moskë, ose në Budapest.
Jemi zhgënjyer që Obama nuk do të vijë të hënën në festimet e përvjetorit të madh?
E kuptoj. Ma ka thënë shpesh se do të ishte shumë i lumtur që të ishte aty, atë ditë të madhe, por i duhet të shkojë në Azi. Sa keq!
Çfarë mendon për Berlinin Lindor dhe atë Perëndimor?
Janë dy raste të jashtëzakonshëm. Berlini Perëndimor ishte një ishulli i begatë në mes të një "deti të kuq". Kishte një ekonomi të fuqishme, një të shkuar të mirë, ishte një vend i bukur për t‘u rritur, për të kaluar rininë dhe për të kënaqur. Në Perëndim e gjithë energjia e vendit përdorej në dobi të kryeqytetit. E gjithë Gjermania Lindore donte të jetonte në Berlin, edhe pse aty kishte dyqane veshmbathjesh të mira. Tani të dyja anët e qytetit po rriten bashkë, edhe pse vështirësitë janë ende të mëdha dhe të prekshme.
Si e gjykoni rolin e Mitterrand dhe Thaçer në ato ditë vendimtare?
Më kujtohet se ish-presidenti francez do të vinte në Berlinin Lindor në vitin ‘89. Më kujtohet një thënie e famshme e ish- liderit komunist sovjetik Gorbaçov: "Kush mbërrin vonë do të dënohet nga vetë jeta". Ndërkaq jam e kënaqur që Franca, do të festojë së bashku me ne rënien e murit, 20 vjet më pas.
Gazeta Shqip











