Mes debateve të shumta për anoreksinë, Karl Lagerfeld, stilisti historik i "Chanel", ka hedhur benzinë mbi zjarr, duke e komentuar negativisht zgjedhjen e fundit të revistës "Brgitte", e cila ka lënë pas profesionistet dhe ka lartësuar vajzat e zakonshme: "Ka mumie të shëndosha, që ulen përpara televizorit me pakon e patatinave në dorë dhe thonë që modelet e dobëta janë të shëmtuara. Bota e modës karakterizohet nga ëndrrat dhe iluzionet dhe askush nuk dëshiron të shohë femra të shëndosha", ka thënë stilisti në një intervistë për të përjavshmen "Focus".
Por sikur kjo të mos mjaftonte, Filippa Hamilton, modelja historike e Ralph Lauren, është pushuar nga puna, sepse ishte shëndoshur shumë. Modelja është 1,77 cm e gjatë dhe peshon 54 kg.
Ka qenë vetë top-modelja 23-vjeçare që ka denoncuar ngjarjen, pasi një nga fotot e saj të fundit të bëra për agjencinë ishte rregulluar me fotoshop që të dukej më e dobët, madje në limitet e anoreksisë. "Më pushuan sepse, sipas tyre, jam mbipeshë dhe nuk mund t‘i vesh më veshjet e tyre. Ajo çka më trishtoi më shumë ishte fakti që, duke qenë se unë punoja me ta prej 15 vjetësh, për mua ishin familja ime e dytë. Megjithatë kjo më bën të mendoj se kjo është femra që Ralph Lauren dëshiron t‘i paraqesë publikut. Nëse je e shëndetshme, nuk vlen. Ky nuk është një shembull i mirë. Kur vajzat e reja të shohin këto foto, do të mendojnë se është normale, por në fakt nuk është". Po përgjigjja e agjencisë cila është: "Filippa është një vajzë bukuroshe. Megjithatë- lexohet në një faqe zyrtare të shtëpisë së modës -marrëdhënia jonë me të është ndërprerë për shkak të paaftësisë së saj për të respektuar detyrimet e parashikuara nga kontrata".
Kulti i dobësimit sjell më shumë mërzi se mirëqenie, pasi modelet e propozuara janë të paarritshme nga pjesa më e madhe e femrave. Nga ana mjekësore, trupat e dobët mund t‘i vlerësojmë të bukur, por jo ata anoreksikë. Zakonisht femrave që janë të fiksuara pas bukurisë, u duket sikur janë të dhjamosura, kur në fakt nuk janë. Kjo mani e çmendur për të qenë të dobëta ka përfshirë të gjitha femrat në tërësi, madje duke kaluar deri në ekstrem. Sot, shumë femra vuajnë nga kjo fobi. Në kohën tonë, paraqitja e jashtme ka shumë rëndësi. E gjithë ekzistenca e femrës është e kushtëzuar nga vështrimi i të tjerëve. Problemi qëndron te kriteret e vlerësimit, të cilat janë shumë ekstreme: duhet të jesh shumë e dobët, e re, por gjithashtu edhe e shëndetshme e të mos vuash nga problemet shëndetësore .
Drejt reduktimit të kileve është edhe Miranda Kerr, e dashura e aktorit bukurosh, Orlando Bloom, dhe imazhi i "Victoria‘s Secret" (marka e famshme e veshjeve intime që lartëson format trupore, mjafton të kujtosh ikonat e saj: Heidi Klum, Adriana Lima, Alessandria Ambrosio dhe Gisele Bundchen). Miqtë e saj thonë se dëshiron të sfilojë dhe të punojë edhe me stilistë të tjerë, jo të jetë vetëm modele e veshjeve intime. Rezultatet? Pamjet e fundit "të vjedhura" nga një set fotografik e tregojnë jashtëzakonisht të dobët, madje në limitet e anoreksisë. Megjithatë, ky është mendimi i saj dhe ajo dëshiron të punojë. Sëmundja më e keqe për femrën është dhe do të mbetet përjetësisht fiksimi për të qenë gjithmonë elegante dhe derisa stilistët të mendojnë si Lagerfeld, rezultati do të jetë ky.











