Duro shenon golin e jetes

Duro shënon golin e jetës
Ditën e djeshme e ka kurorëzuar me mar tesë, dashurinë e tij mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro me vajzën simpatike Dorina Prifti. Ajo që e bindi 32-vjeçarin elbasanas që të shkojë drejt altarit një vajzë 21-vjeçare nga Gramshi, mjaft bukuroshe. Arsyet janë shumë të qarta, pasi Dorina shumë simpatike e ka verbuar Duron me bukurinë e saj.

Vajza ndjek Fakultetin e Arkitekturës. Ajo dy vitet e para i ka zhvilluar në Tiranë, në një nga universitet private të kryeqytetit, ndërsa tani po i vijon studimet në Qipro, pasi i është dashur që të rendë pas dashurisë së saj. Duket sa e fortë është dashuria e tyre, saqë nuk mund të rrinë asnjë moment larg njeri-tjetrit. Dorina menjëherë pas transferimit të dashurisë së saj nga ekipi i Tiranës për tek Omonia e Qipros, ka rendur pas tij. Pas rreth 3 vitesh histori dashurie, çifti vendosi që ta kurorëzojë lidhjen në martesë dhe ndodhi pikërisht mbrëmjen e djeshme, ku Duros i është dashur të djegë shaminë e beqarit. Ceremonia martesore ka filluar ditën e djeshme në mesditë dhe ka përfunduar në orët e para të mëngjesit.

Dasma e çiftit është zhvilluar në ambientet e “Hotel Sheraton” dhe gjithçka ishte organizuar në mënyrë madhështore. Asgjë nuk mungonte, pritja e të ftuarve ka qenë në nivelet më të larta dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë mbetur të kënaqur nga ceremonia. Nuk mund të mbetet pa përmendur dhe bukuria e Dorinës, e cila e veshur me fustanin e nusërisë dukej rrezatuese. Të ftuarit ishin thuajse të gjithë personazhe të njohur, pjesa më e madhe ishin miqtë futbollistë të Klodit, si: Juljan Ahmataj, Ilir Qorri, Altin Lala, Edvin Murati edhe mjaft të tjerë.

Përpjekjet e Duros kanë qenë që ceremoninë ta mbajë sa më larg paparacëve, pasi nuk donte që imazhet e festës të bëheshin publike. Por pavarësisht tentativave të mesfushorit për ta blinduar dasmën nga prania e gazetarëve, “Panorama Sport” ka arritur të infiltrohet dhe të marrë imazhe fotografike nga çifti më i ri Duro-Prifti. E pra, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse redaksia e “Panorama Sport” të bëj urimin e saj për çiftin: “Trashëgime çiftit dhe urojmë që Klodi të jetë sa më i lumtur, përkrah Dorinës së tij”.

Muaji i mjaltit

Pas një mbrëmjeje emocionuese të dasmës së çiftit më të ri Duro- Prifti, në të cilën nuk mungoi asgjë: muzikë tradicionale shqiptare, pije pa fund, të ftuar të veshur në mënyrën më luksoze të mundshme. Të sapomartuarit menjëherë pas përfundimit të dasmës do të niseshin për muajin e tyre të mjaltit. Ende nuk e dimë se ku do të shkojnë, por e sigurt është që do të jetë një vend i mrekullueshëm ekzotik.



Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama