I emocionuar në përurimin e tunelit më të madh në Ballkan, Kryeministri Berisha ka folur me superlativa për rrugën që bashkon shqiptarët me kosovarët. Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se u realizua një prej ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, të cilët përjetuan shembjen jo të murit, por të një mali dhe të pamundësisë. "Sot, ne inauguruam së bashku me Kryeministrin e Kosovës, me ju zotërinj ministra, zonja kryetare, miq të dashur, tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Evropë dhe më gjerë. Ky tunel, para së gjithash, është tuneli i bashkimit të kombit. Sot, ne vendosëm se nuk ka male, nuk ka pengesa, nuk ka asgjë, që mund ta ndajë, jo vetëm shpirtërisht por as fizikisht këtë komb. Sot, ne inauguruam tunelin, që bashkon jo vetëm shqiptarët, por inauguruam tunelin që me shërbimet që ofron në fushën e transportit dhe të qarkullimit, bashkon më shumë shqiptarët me kombe të tjera të rajonit, maqedonasit, serbët, bullgarët dhe të gjitha kombet e këtij rajoni", u shpreh Berisha.
Ndërtimi i tunelit do të shërbejë për shqiptarët dhe kosovarët, pro edhe për të gjithë banorët e rajonit. Kryeministri nuk nguroi të bëjë edhe batuta për emrin me të cilin do ta pagëzojë tunelin. "Në të vërtetë, tuneli mund të kishte shumë emra. Miku im, Sharik Tara, më thotë mbrëmë në darkë se ky tunel është tuneli i miqësisë", u shpreh Berisha. Ai shtoi: "I dashur Sharik, ke 20 vjet që vjen në këto vende. Të kanë sjellë këtu rrënjët e tua të hershme, por dhe dashuria e madhe, jo vetëm për shqiptarët, me të cilët ti je i lidhur me shumë rrënjë dhe fije, por dhe të fqinjëve dhe kombeve të tjera përreth. Kam një kënaqësi të madhe miku im, se ti sot me ‘Bechtel‘-in, me një nga kompanitë lider botërore në fushën e ndërtimit, u shndërron shqiptarëve dhe jo vetëm shqiptarëve, një ëndërr të madhe në realitet". Në përfundim të ceremonisë, Kryeministri Berisha mori edhe një dhuratë nga kompania "Bechtel", ku në një pllakatë qelqi me mbishkrimin Tiranë-Prishtinë ishte vendosur një shkëmb i shkëputur nga tuneli. "Unë do ta mbyll fjalën time me një zotim, se pas këtij tuneli dhe këtij korridori, qeveria ime nuk do të lërë mal pa shembur, nuk do të lërë asgjë pa bërë, në mënyrë që shqiptarëve t‘ua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës", u shpreh Berisha.
Parlamenti i Kosovës
Deputetët kosovarë vlerësojnë tunelin e Kalimashit
Deputetët e Parlamentit të Kosovës vlerësojnë autostradën Durrës-Kukës. "Është vërtet një punë jashtëzakonisht e madhe dhe mund të them se është vepra kryesore që deri më tani është kryer në Shqipëri dhe te populli shqiptar, sepse një tunel i tillë, i cili ka përmasa të tilla, çfarë ka tuneli i Kalimashit, mund të them se është ndër tunelet kryesore në Evropë", u shpreh Zef Morina, ish-ministër i Transportit të Kosovës. "Mund të them me bindje të plotë se ky është një projekt madhor, që kaherë Kosova e ka pritur. Me këtë projekt do të bëhet lidhja në aspekt global mes Kosovës dhe Shqipërisë. Do të kemi fqinj më të mirë dhe do të mund të kemi një përfitim jashtë mase të madh", u shpreh Myzejene Selmani e Komisionit Parlamentar të Transportit të Kosovës.
Deputetët Morina dhe Selmani pranojnë se Kosova ka mbetur mbrapa në realizimin e pjesës së saj të projektit të kësaj rruge. "Shpresoj që brenda këtij viti do të fillojë një pjesë në fazën e ndërtimit dhe jam shumë i sigurt që në një afat shumë të shkurtër, edhe kjo rrugë do të jetë pjesë e autostradës Durrës- Kukës-Morinë", vijoi Morina.
Kryeministri Thaçi bashkë me 20 zyrtarë të lartë iu bashkuan delegacionit shqiptar në Kalimash
Thaçi: As malet nuk na ndajnë dot
"Kosova e pavarur, Shqipëria në NATO, sot ndërtojmë autostrada"
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilëson autostradën Durrës-Kukës si ngjarjen e dytë më të rëndësishme pas pavarësisë së Kosovës. "Gjithmonë kemi punuar për t‘u afruar, gjithmonë kemi sakrifikuar për t‘u afruar dhe ja, erdhi dita, Kosova është e pavarur, Shqipëria në NATO dhe sot ndërtojmë autostrada. Dhe unë e di, siç e dini të gjithë ju se kurrë më, të rinjtë tanë, as të Shqipërisë dhe as të Kosovës, nuk do të ecin më në këmbë, nëpër baltë, fshehurazi dhe me tmerrin e frikës, për të bërë këtë rrugëtim të lirisë dhe zhvillimit të vendeve tona", u shpreh Thaçi në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha në tunelin e Kalimashit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi rrugën Durrës-Kukës si një simbol të paqes dhe begatisë së shqiptarëve, por edhe të gjithë popujve të rajonit. "Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Sot është një ditë e madhe edhe për mua personalisht, sepse ekziston një lidhje mes këtij rrugëtimi dhe lirisë së Kosovës. Janë të shumta e të pallogaritshme rastet kur me bashkëluftëtarët e mi, me orë të tëra, e kemi bërë këtë rrugë për lirinë e vendit dhe sot, Tirana e Prishtina, janë si kurrë më pranë njëra-tjetrës dhe do afrohen dhe më tepër në të ardhmen", u shpreh Thaçi pasi u takua me Kryeministrin Berisha në mes të tunelit. "Pa dyshim, element qendror i kësaj afërsie shpirtërore, fizike dhe materiale, është liria dhe pavarësia e Kosovës, është shteti i Kosovës. Pavarësia e Kosovës njeh nëpërmjet kësaj rruge dimensionin e plotë të afrimit. Kemi qenë të ndarë në shekuj, por kurrë nuk kemi qenë larg njëri-tjetrit dhe gjithmonë kemi sakrifikuar për t‘u afruar", deklaroi Kryeministri i Kosovës.
Në vijim të fjalës, ai shtoi se tashmë kombin tonë nuk mund ta ndajnë as malet dhe as bjeshkët, pasi këto pengesa janë zëvendësuar me punë dhe vizion. Ai falënderoi dhe Kryeministrin Berisha, të cilin e përgëzoi për punën e bërë në ndërtimin e kësaj vepre. "Përveç dëshirave e ëndrrave për integrimin, kjo rrugë do t‘i japë zhvillim të dyanshëm vendeve tona. Kjo është autostrada e shpresës, kjo është historia jonë, kjo është rruga e integrimeve, kjo është rruga e shek XXI, kjo është rruga e paqes, stabilitetit dhe zhvillimeve në rajon", u shpreh Thaçi. Ai shtoi se "këtu në Kalimash, sjell për ju, i nderuari Kryeministër Berisha, mesazhet e përgëzimet e qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj, të gjithë popullit të Kosovës për këtë kryevepër". Rruga Rrëshen-Kalimash, një nga projektet më të mëdha të qeverisë së Shqipërisë është konsideruar si vepra e shekullit dhe aorta jetike për të lidhur dy pjesë të kombit, Shqipërinë dhe Kosovën. Flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe Kosovës valëviten në këtë zonë, ndërsa një parullë e madhe lajmëron se me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë distanca mes Tiranës e Prishtinës do të shkurtohet. Nga 330 kilometra që ishte distanca Tiranë- Prishtinë, tashmë ajo do të jetë 265 kilometra dhe më së shumti atë e shkurton tuneli Thirrë-Kalimash, një vepër gjigante e ngritur mes shkëmbinjve që tashmë është shndërruar në një aks modern, 5.6 kilometra. Nga të dhënat zyrtare rezulton se 33 milionë metër kub material shkëmbor janë zhvendosur për të ndërtuar tunelin Thirrë-Kalimash. Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, 170 kilometra e gjatë, do të lidhë bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Kjo do të jetë lidhja më e shkurtër midis Portit të Adriatikut në Durrës pranë Tiranës dhe Morinës në kufi me Kosovën. Kjo vepër do të sjellë zhvillim ekonomik në zonën verilindore të vendit, duke tërhequr sipërmarrje dhe turistë në terrenin malor të kësaj zone.
Premtimi i Thaçit
"Do të ndërtojmë pjesën tjetër të rrugës"
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, premtoi se qeveria e tij do të nisë së shpejti punën për të ndërtuar pjesën tjetër të autostradës nga Morina deri në Kosovë. "Na ka ndarë historia, na ka ndarë padrejtësia, por sot, këto pengesa janë zëvendësuar. Në një kohë shumë të shkurtër kjo rrugë do të vazhdojë tutje, Vërmicë, Prizren për kryeqytetin e Kosovës", tha Thaçi.
Bie muri që ndante Shqipërinë nga Kosova
Shqipëria "bashkohet" me Kosovën. Prishtinasit do të jenë vetëm katër orë larg Tiranës. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, rrëzuan dje në mesditë murin që ndante shqiptarët me kosovarët në tunelin Thirrë-Kalimash. Qeveritë e dy shteteve janë takuar në pikën ku bashkohen dy anët e tunelit të Kalimashit, ku dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Sali Berisha, kanë shtrënguar duart. I gjithë kabineti qeveritar shqiptar, 140 kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, dhe rreth 20 zyrtarë të lartë nga Kosova kanë marrë pjesë në inaugurimin e parë të rrugës Durrës-Kukës, tunelin e Kalimashit.
Partia Demokratike ka nisur dhe do të përfundojë në këtë mënyrë fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare. Një ditë përpara mitingut të hapjes së fushatës në sheshin "Skënderbej", kreu i qeverisë inauguroi tunelin që lidh Kosovën me Shqipërinë, ndërsa më 25 qershor, "batalioni blu" do të jetë sërish në këtë rrugë duke inauguruar ‘kryeveprën‘ Durrës-Kukës. Vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve, kreu i qeverisë do të presë shiritin e përurimit të rrugës Durrës-Kukës. Ceremonia e inaugurimit të tunelit që lidh Tiranën me Prishtinën u shoqërua nga masa të rrepta sigurie. Kompania ndërtuese "Bechtel" ka lejuar që vetëm 20 përfaqësues nga pala shqiptare të jenë të pranishëm gjatë përshkrimit të tunelit të Kalimashit, ku pranë kreut të PD-së, Sali Berisha, ishte edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministri Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, ndërsa nga delegacioni kosovar ishte Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Transporteve, Fatmir Limaj. Dy delegacionet, ai shqiptar dhe kosovar, kanë përshkruar më këmbë më pas 100 metrat e fundit të hyrjes së tunelit nga zona e Kukësit. Për më shumë se 60 minuta, dy kryeministrat kanë mbajtur një fjalim në hyrje të tunelit të Kalimashit. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të tunelit ka munguar opozita, por edhe dy presidentët, ai i Shqipërisë dhe Kosovës.
Fushata
Mesditën e djeshme është bërë rrëzimi simbolik i murit në tunelin Thirrë-Kalimash, duke hapur kështu krahun verior të kësaj vepre që lidh dy kryeqytetet, Tiranën me Prishtinën. Nuk kanë munguar në këtë inaugurim edhe katër kandidatët e Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit, Flamur Noka, Besnik Dusha, Fatos Hoxha dhe Evelina Koldashi. Fushata e Partisë Demokratike u hap dhe do të mbyllet me rrugën Durrës-Kukës. Në përfundim të fushatës elektorale, Berisha do të kryejë një tjetër vizitë në këtë vepër të infrastrukturës. Dy vjet nga fillimi i punimeve u realizua lidhja e veprës inxhinierike më të rëndësishme në Shqipëri, që është tuneli i Kalimashit. Durrës-Kukës pritet të radhitet në krye të premtimeve të realizuara të qeverisë "Berisha", krahas rritjes së pagave dhe pensioneve. Inaugurimi i tunelit dukej më shumë si mitingu i radhës së Partisë Demokratike, nën moton "Shqipëria po ndryshon". Banderolat, flamujt e Partisë Demokratike, por edhe makinat e shumta që mbërritën mëngjesin e djeshëm nga Tirana në Kukës, e kthyen ceremoninë e inaugurimit në një miting. Kolona zanore e PD-së, "We can win the race" për zgjedhjet e 28 qershorit u dëgjua edhe në tunelin e Kalimashit.
Rruga
Tirana do të jetë më afër me Prishtinën. Rruga e re do të kalojë në akset Durrës-Vorë-Fushë Krujë-Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës dhe Morinë dhe gjatësia totale e saj është 170 km.
Autostrada do të jetë gati 45 km më e shkurtër se rruga ekzistuese drejt Kosovës dhe koha e udhëtimit do të reduktohet me dy orë, nga gjashtë orë të tanishme.
Të pranishëm në këtë ceremoni të rëndësishme ishin edhe mbesa e ish-presidentit amerikan, Duajt Ajzenhauer, dhe ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Uilliam Uolker.
Kompania
"Durrës-Kukës", për dy vjet punësoi 3400 punëtorë nga Shqipëria
Gjatë dy viteve të fundit, "Bechtel-Enka" në dy sektorët e saj punësoi rreth 3400 punonjës, shumica shqiptarë. Në funksion të vazhdimit normal të punës u vunë mbi 1300 mjete të llojeve të ndryshme. Autostrada Durrës-Kukës, një projekt i qeverisë shqiptare, është vepra më e madhe inxhinierike në Shqipëri. Shpejtësia e planifikuar për të ecur në këtë rrugë është 80-100 km/orë. Pjesë e kësaj rruge janë edhe 27 ura. "Bechtel-Enka" ndërtoi një segment rrugor 60,85 km për një autostradë me katër korsi në Shqipëri, përfshirë një tunel 6 km, nën një kontratë të firmosur në shtator 2006 me qeverinë shqiptare. Autostrada është më e madhja, dhe projekti më i madh në Shqipëri kohët e fundit. Rruga do të jetë pjesë e një autostrade prej 170 km për të përmirësuar lidhjen me Kosovën. Kjo do të rezultojë në një rrugë më të shkurtër midis Portit të Adriatikut në Durrës pranë Tiranës, dhe Morinës në kufi me Kosovën. Rruga Rrëshen-Kalimash, një nga projektet më të mëdha të qeverisë së Shqipërisë është konsideruar si vepra e shekullit dhe aorta jetike për të lidhur dy pjesë të kombit, Shqipërinë dhe Kosovën.
Agjencitë
Mediat kosovare jehon për rrugën që afron Tiranën me Prishtinën
Agjencitë e lajmeve në Kosovë i kanë bërë jehonë ceremonisë së inaugurimit të tunelit të Kalimashit. Agjencia e lajmeve, "Kosova Live", ka dhënë lajmin se të dielën fillon qarkullimi në njërin krah të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Një tjetër agjenci shkruan se "qeveria e Kosovës ka ndarë fillimisht 13 milionë euro për shpronësimet në autostradë. Rëndësia e kësaj autostrade për Kosovën ka marrë përmasa edhe më të mëdha për Kosovën pas vendimit të qeverisë së Shqipërisë, që Porti i Shëngjinit t‘i jepet për shfrytëzim Kosovës". Sipas agjencive dhe televizioneve kosovare, citohet se Kosova do të ketë përfitime të mëdha nga ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës. Tuneli i Kalimashit, i cili është më i madhi në Ballkan, ka marrë vlerësime nga mediat dhe opinioni kosovar. Radiotelevizioni i Kosovës citon Kryeministrin Berisha kur shprehet se tuneli është bashkimi i kombit, ndërsa Kryeministri Thaçi shprehet se "tuneli është afrimi i shqiptarëve". Mediat kosovare kanë transmetuar rrëzimin simbolik të murit që "lidh" Shqipërinë me Kosovën.
Gazeta Shqip











