Dy shqiptare ne haremin e Berluskonit

Dy shqiptare në haremin e Berluskonit
Në festën e fundit (Viti i Ri 2009) ka marrë pjesë adoleshentja Noemi Leticia, si edhe rreth 40 vajza të tjera. Por kavalieri ka një "oborr" të vetin, që nuk i ndahet në asnjë festë dhe ku bëjnë pjesë edhe dy vajza shqiptare. Dëshmitë e mbledhura nga gazetarët e të përjavshmes italiane "L‘Espresso" janë të gjithë njëlloj kur bëhet fjalë për të treguar pjesëmarrësit e festës, mes të cilëve këngëtarin Mariano Apiçella, producentin e filmave Guido de Anxhelis, aktoren Kamila Ferranti, binjaket Ferrera, numrin një të emisionit televiziv "Un, due, tre... stalla", Imma di Ninni, një ish-konkurrente e "Grande Fratello" dhe dy fituese të konkursit "Miss Albania" në Itali.

Vitin që shkoi, bën të ditur e përjavshmja "L‘Espresso", numri i vajzave pjesëmarrëse në festë ishte shumë i madh. "50 vajza mes 20 dhe 30 vjeçe kanë udhëtuar me avionë privatë drejt vilës "La Certosa". Atyre u janë dhuruar bizhuteri, u janë paguar shpenzimet, kanë drekuar me Silvio Berluskonin nën shoqërinë e kitarës së Mariano Apiçellas. Kanë festuar duke kënduar, kërcyer e duke u larë në pishinën me ujë të ngrohtë. Kjo është festa e fundvitit 2007 në vilën në Sardenjë të Berluskonit. "L‘Espresso", bën të ditur se artikulli i shkruar prej gazetarëve Peter Gomez e Marko Lillo bazohet në deklarata e rrëfime të vërteta, ndërsa është zgjedhur që "të ruhet anonimati i burimeve".

Viti i Ri rrëfyer nga "L‘Espresso"

Gjithçka ka nisur me një vizitë me mrekullitë sekrete të vilës. Më pas dreka në picerinë që ndodhet në brendësi të parkut, shoqëruar nga kitara e Apiçellas.

Pas drekës vjen "kursi i politikës", në pritje për të vijuar me shopping në qendrat tregtare të bregdetit, me shpenzimet e të zotit të shtëpisë. Dita mbyllet me darkën tradicionale dhe fishekzjarrët e shumtë. Kur mëngjesin e 31 dhjetorit 2007, vetë Silvio Berluskoni u kishte treguar të ftuarave të tij të ardhura nga Roma e Milano me fluturime private, se cili do të ishte programi i ditës, 50 vajzat shpërthyen në duartrokitje.

Një ëndërr alla "Pretty woman"

Si në një ëndërr alla "Pretty woman", njeriu më i pushtetshëm dhe i pasur i Italisë kishte ftuar 50 vajzat të bëheshin pjesë e traditës së tij, të hanin në një tavolinë me të dhe të bënin blerje të paguara nga portofoli i tij. Si në një mijë e një net. Ose nëse preferoni një jetë prej sulltani. E nëse preferoni të kuptoni vërtet përse Veronika Lario, duke bërë të ditur divorcin e saj fliste për "argëtime perandori", për "virgjëresha që i ofrohen dragoit" dhe për një vend që "për shkak të një alkimie të çuditshme" i lejon gjithçka kryetarit të vet, nisja mund të bëhet që këtu.

Dhurata dhe varëse në formë fluture

Secilës prej vajzave i bën gati një set dhuratash: dy byzylykë në oniks me formë breshke (simbol i vilës Certosa) për kavilje dhe për dorë; një unazë e argjendtë; varëse në formë fluture, shenjë e njohur tashmë, e përdorin jo rrallë mikeshat e Kryeministrit; një unazë dhe një byzylyk i hollë i florinjtë. Të gjitha këto dhurata që kavalieri i nxjerr nga një thes i vogël duke i tundur.

Pagesa 1 500 euro në ditë

Vajzat qeshin dhe argëtohen. Shumica prej tyre e shikon këtë pjesëmarrje si punë. Mes 50 të ftuarave në vilën "La Certosa", të paktën 20 prej tyre e kanë të garantuar një shumë të përditshme që shkon 1 500 euro.

Dhurata deri në 2 000 euro

Për të gjitha vajzat, para mbrëmjes së Vitit të Ri është organizuar një vizitë në qendrat tregtare të zonës, ku personeli i sigurisë së liderit të PDL-së mbulojnë shpenzimet e të ftuarave që mund të shkojnë deri në 2 mijë euro. Me t‘u kthyer në vilë, vajzat ndahen në grupe prej pesë vetash dhe shpërndahen në zona të ndryshme të vilës, ndërsa të ftuarat më të afërta për Kryeministrin qëndrojnë në shtëpinë e Paolo Berluskonit, i cili ato ditë nuk është aty.




Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama