Pirro s\vjen ne gjyq. Inva refuzon ndarjen me pajtim

Pirro s\'vjen në gjyq. Inva refuzon ndarjen me pajtim
Ka qenë propozimi i gjyqtares së çështjes, Elona Gjoka, e cila në seancën e dytë përgatitore i ka propozuar çiftit të zgjedhë variantin e "një ndarje me pajtim", duke iu shmangur kështu një procesi gjyqësor. Por, ka qenë mbrojtësi i sopranos Mula, i cili pas këshillimit me këtë të fundit, ka refuzuar që mes tyre të ketë një pajtim, duke qenë të gatshëm për një proces të drejtë gjyqësor për ndarje.

Ndërkohë, avokatja e këngëtarit Çako, i kërkoi gjykatës dy javë kohë për t\'u shprehur mbi këtë propozim, si dhe për të pritur ardhjen e bashkëshortit të sopranos që të japë mendimin e tij për këtë propozim. Sipas avokates, "Pirro nuk ka mundur të vijë sepse ndodhet jashtë shtetit. Njoftimin për datën dhe orën e gjyqit e ka marrë me vonesë, kështu që nuk i ka mjaftuar koha për të qenë i pranishëm në këtë proces gjyqësor".

Kërkesa e avokates së Çakos është refuzuar nga gjyqtarja Gjoka, e cila u shpreh se "nuk mund të këtë edhe një seancë përgatitore". "Shtetasi Pirro Çako ka qenë në dijeni të kërkesës për ndarje martese, të dorëzuar pranë Gjykatës, dhe ka pas të gjithë kohën e mjaftueshme për t\'u njohur me datën dhe orën e gjyqit", -tha gjyqtarja në vendimin e saj të ndërmjetëm.

Pas këtij vendimi të ndërmjetëm, gjyqtarja Gjoka ka vendosur që padia për ndarje martesë të kalojë në seancë gjyqësore, e cila do të zhvillohet më 2 qershor, dhe ftoi palët të paraqesin pretendimet e tyre për këtë ndarje. E pranishëm në sallën e gjyqit ishte vetëm sopranoja Mula, e cila nuk ka preferuar të flasë para gjykatës, përveç konfirmimit formal që ishte e pranishme në sallën e gjyqit.

Heshtja e znj.Mula ka vazhduar edhe jashtë derës së gjyqit. Me të parë mediat që po e prisnin në daljen kryesore të derës së gjykatës, ka hedhur xhaketën që kishte ndër duar në kokë dhe duke u ndihmuar nga oficeri i policisë që bënte roje në këtë godinë, është larguar me vrap nga dera anësore (një "shteg" që përdoret vetëm për hyrje-daljet e të burgosurve në gjykatë). 

Me të dalë në pjesën e pasme të godinës së gjykatës, znj.Mula ka hipur në makinën e parkuar dhe është larguar me shpejtësi, duke mos u lënë mundësi reporterëve fotografikë a kameramanëve të fiksojnë fytyrën dhe lëvizjet e saj. Kanë qenë ditët e para të muajit prill, kur vetë sopranoja Mula ka publikuar "krisjen" e martesës, duke zyrtarizuar padinë për ndarjen martesës shumëvjeçare. Kërkesë-padinë, znj.Mula e ka argumentuar me faktin se ata jetonin larg njëri-tjetrit dhe se "marrëdhënia e tyre nuk kishte më kuptim". 

Ndërkohë në media, sidomos në ato kosovare, janë botuar rrethana të një lidhjeje të sopranos shqiptare me famë botërore, me biznesmenin Et\'hem Ramadani.

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama