Linda, ke fituar çmimin e madh të një festivali të rëndësishëm. Je kurorëzuar më e mira mes shumë konkurrentëve të fortë në "Top Fest 6". Si ndihesh?
U ndjeva jashtëzakonisht mirë, por edhe tepër e befasuar. Vazhdoj të jem ende në këtë gjendje... Një ëndërr... Edhe tani po qaja, sepse po shikoja që kishin hedhur videon e këngës në internet dhe ndiej vërtet shumë emocione. Them se edhe pas dhjetë viteve po ta shikoj këtë moment do ta përjetoj po njësoj. Ishte një natë e mrekullueshme për mua. Tani e ndiej veten shumë mirë dhe shumë krenare. Gjithçka ka qenë shumë fantastike për mua.
E ndieje se ndoshta kësaj here do ta fitoje pikërisht ti këtë festival të muzikës moderne shqiptare?
Jo, jo. Konkurrenca ishte tepër e fortë e unë sinqerisht që nuk kam pasur asnjë lloj parandjenje se ndoshta do të fitoja këtë edicion të "Top Fest". Nuk e kam besuar se këtë fat do ta kisha unë. Të arrija të fitoja çmimin e madh ishte mendimi i fundit që më ka shkuar nëpër mend.
Megjithatë, fitorja është qëllim përderisa more pjesë, apo jo?
Patjetër që është qëllim. Unë sigurisht që e dëshiroja, e ëndërroja siç thotë edhe titulli i këngës sime. Është vlerësimi më i madh që m‘u bë. Ëndrra më në fund u realizua. Kjo është hera e tretë që unë marr pjesë në Top-Fest. E treta e vërteta...(qesh)
Më fol pak për këngën. Cilët janë bashkëpunëtorët e suksesit tënd?
Këngën e kam realizuar unë. Teksti e muzika janë të miat, ndërsa orkestrimin e ka realizuar Shpend Latifi, po ashtu këngëtar. Së bashku kemi marrë pjesë në "Ethet e së Premtes Mbrëma". Kënga është realizuar për një kohë shumë të shkurtër.
Është më mirë kur e shkruan vetë tekstin e një kënge?
Nuk di të them se si është në përgjithësi edhe për të tjerët, por unë i realizoj vetë tekstet dhe meloditë e këngëve, sepse mendoj se në këtë mënyrë mund të shprehesh shumë herë më mirë. Kur shprehesh me krijimet e ndjenjat e tua arrin të përcjellësh me më shumë ndjeshmëri atë që dëshiron te publiku. Mendoj se kjo mënyrë të punuari të kompleton si artist edhe pse unë nuk mund të them se jam e kompletuar ende. Ka akoma shumë rrugë për t‘u bërë, sepse pretendimet e artistit janë gjithmonë e më të mëdha. Shpresoj të vazhdoj kështu!
Titull domethënës. Çfarë "Ëndërron"?
"Ëndërroja të jem me ty/Dhe të ndërtoja një ardhmëri/Të fluturoja si një flutur/Por krahët m‘i theve ti..."
T‘u përgjigja me tekstin e këngës sime. Sepse ajo flet për një dashuri të dështuar, për të cilën mendohej e ëndërrohej të shkonte mirë, por në këtë rast nuk ka ndodhur kështu. Ka shumë dështime në jetë kështu që duhet të mësohemi me to. E ky është mësimi e mesazhi që kënga përcjell për publikun.
Linda, që kur ke nisur të këndosh? Si ka lindur ky pasion për këngën te ty?
Unë kam nisur të këndoj që në moshën pesëvjeçare. Dëgjoja ngaherë këngët e Mariah Carey e Whitney Hostoun, këngëtare që më pëlqenin shumë. Gjithnjë kam ëndërruar të këndoj, gjithçka e kam improvizuar si mikrofon, vija vërdallë nëpër shtëpi e këndoja... edhe lugën e ktheja në një mikrofon e imagjinoja se si do të ishin emocionet e skenës. Tani, jo vetëm këndoj, por në pjesën më të madhe të rasteve shkruaj vetë muzikën dhe tekstet e këngëve të mia, madje jam në një stad që shkruaj jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht. Nga ana tjetër më duhet të pranoj se ky pasion ka ardhur edhe si trashëgimi nga familja ime. Kam të afërm muzikantë, por edhe ime më ka përfunduar shkollën e mesme të muzikës në Bosnjë dhe sigurisht që ka qenë një shtysë e madhe. Por unë kam vendosur ta vazhdoj këtë rrugë që kam nisur. Nuk dua absolutisht ta lë përgjysmë.
Të kemi parë duke interpretuar kryesisht në muzikën rok. Por cila është rryma muzikore e preferuar për ty?
Rryma muzikore e preferuar është muzika soul edhe pse publiku është mësuar të më shikojë duke kënduar muzikë rok. Krejt rastësisht gjendem në këtë rrymë. Para disa vitesh ndodhi që grupi "7 me 7" kërkonin një vokalist. Ata më pyetën nëse dëshiroja të këndoja rok, e unë nuk refuzova, pranova. Mendova pse të mos e provoja. Pas kësaj ndodhi që kjo rrymë të më pëlqejë dhe kështu vazhdova.
Si e vlerëson "Top Fest"-in?
Nuk mendoj se ka një festival më të madh se "Top Fest" në mbarë hapësirat shqiptare. Unë falënderoj shumë Bojken Lakon, e sigurisht që falënderoj tepër edhe publikun, i cili gjithmonë më ka bërë të ndihem e privilegjuar dhe më kanë nderuar me diçka. Unë kam marrë tri herë pjesë në "Top Fest" e të tria herët kam dalë me nga një çmim.
Të kujtohet hera e parë që ke shkelur në skenën e "Top Fest"? Si ishte të ngjiteshe në skenën e këtij festivali?
Më kujtohet si jo. Më kujtohet se ne kemi marrë një çmim. Në nominim ishin dy grupe. Dikush, personi që ishte caktuar për të dhënë çmimin ishte duke thënë: fiton grupi grupi... (të nominuar për çmim ishte grupi "Koha" dhe "Ngropa") dhe unë që pëshpëritja pas tij: po hë thuaje, thuaje... derisa ai përmendi emrin e grupit tonë. Më është dukur e pabesueshme, ishte hera e parë që merrnim pjesë e në këtë festival dhe u vlerësuam me çmim.
Ndihesh e vlerësuar nga publiku këtu në Shqipëri?
Tirana në fakt m‘i ka realizuar shumë ëndrra. Edhe në Kosovë ndihem mjaft e vlerësuar, por në Tiranë e kam nisur karrierën time dhe e kam shumë për zemër.
Linda, cilat ke nisur të mendosh për projektet e ardhshme? A ke ndërmend të sjellësh për publikun një album të ri tani që fitove edhe dhjetë mijë eurot e çmimit të madh?
Patjetër që po. Albumi do të vijë menjëherë pas kësaj. I kam premtuar publikut të Tiranës dhe atyre që më kanë dëgjuar e vlerësuar. Unë kam shumë këngë që i kam shkruar vetë, por që ende janë të papublikuara. Janë rreth 230. Çdo natë shkruaj diçka, por se cila prej tyre është më e mira dhe që duhet të publikohet mbetet për t‘u vendosur.
Tekstet i shkruan vetëm për vete, apo edhe për këngëtarë të tjerë?
Gjatë kësaj kohe kam pasur disa bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm. Unë shkruaj tekste edhe për të tjerë nuk i bëj vetëm për vete.
Jashtë muzikës e këngës, mundesh të tregosh se si kalon një ditë normale për ty?
E përditshmja ime është krejt normale. Unë shkoj në punë, kthehem nga puna, e vazhdoj edhe shkollën sigurisht. Jam maturante në një shkollë muzike ku ndjek degën e Kantos. Në të njëjtën kohë punoj. Jam përkthyese në ushtrinë amerikane në Kosovë. Por kjo punë për mua është momentale, e përkohshme. Dua të bëj pak para e të vazhdoj me muzikën, sepse ajo është synimi im më i madh. Ky çmim më ka dhënë shumë vullnet për të vazhduar para me muzikën. Do të mundohem të bëj hapa më të mëdhenj.
Gazeta Shqip











