Xhemi Shehu Asnjehere nuk kam vuajtur nga ambicia e semure

Xhemi Shehu: Asnjëherë nuk kam vuajtur nga ambicia e sëmurë
Të dielat tani i takojnë Xhemi Shehut. Nuk ka një të dytë që ta konkurojë, e gjithë zona është e saj në krah të Adi Krastës. Por se si i shkon jeta pas kuintave të E diell ajo rrëfen gjatë në këtë intervistë për Panorama Plus:

Si fillim komplimente me look-un e ri, keni ndryshuar ngjyrën e flokëve...

Mendimi për të ndryshuar ngjyrën e flokëve, më erdhi vetvetiu me ndryshimin e stinës. Kisha dëshirë të çelesha pak në fytyrë dhe mendova të rikthehesha në ngjyrën time natyrale. Edhe pse ishte e paksa e vështirë për t’u realizuar pa dëmtuar flokun, sërish jam e kënaqur me imazhin disi të ri.

Në adresën e gazetës sonë vijnë e-mail-e nga lexues që duan të dinë më shumë për ju. Kush është Xhemi, që ne nuk shohim në ekran?

Deri më tani unë kam qenë vetvetja në ekran dhe pjesa që nuk shohin këta lexues tek unë janë vetëm momentet kur ha bukë, fle gjumë, shkoj në shkollë, kur bëj palestër, dal me miqtë, etj. Me pak fjalë nuk është se bëj ndonjë gjë më shumë se ta. Veten do ta përmblidhja në një përkufizim si një njeri të qetë me një dëshirë të madhe për të jetuar jetën.

Tek e “E diell” përkrah Adi Krastës, çfarë peshe ndien realisht në 5-6 orë transmetim në “Top Channel”?

I gjithë spektakli është një përgjegjësi e madhe duke qenë se nuk është aq e lehtë të mbash publikun të mbërthyer përpara ekranit për orë të tëra. Fati im i mirë deshi që të isha pranë një showmeni të madh, siç është Krasta që ta bën punën shumë herë më të bukur e më të thjeshtë gjithmonë.

Të dielën e kaluar Adi hapi programin duke t’u drejtuar me fjalët “Të dua”. Çfarë mund të thoni më shumë për situatat, që krijon Krasta me ju?

Ne duam të bëjmë spektakël dhe më vjen mirë që ia paskemi arritur qëllimit. Të gjitha situatat mes nesh janë shumë të qarta për publikun prandaj do të ishte i tepërt, mendoj, çdo lloj shpjegimi shtesë.

Me largimin e Arbanës shumë menduan se ishte më mirë për ju Xhemi, pasi e gjithë “zona” mbeti juaja. Në fakt si e keni ndier largimin e saj?

Asnjëherë nuk kam vuajtur nga ambicia e sëmurë për të pasur çdo hapësirë timen në një spektakël. Unë ndjehem shumë herë më mirë kur pranë meje kam një partner në krah, pasi kjo të jep më shumë mundësi për shkëmbim batutash, apo qoftë dhe siguri. Dy japin më shumë se një, dhe tre më shumë se dy, prandaj për mua Arbana ka pasur një rol shumë domethënës tek “E diell”.

Jeni shprehur dikur për një afeksion të theksuar me politikën. Vazhdoni ta keni ende, dhe çfarë ju pëlqen politika e podiumeve, apo ajo e paskuintave?

Ky është një rast tipik kur gazetari shkruan atë që i pëlqen vetë dhe jo atë që i thotë i intervistuari. Më është bërë një pyetje dikur, se çfarë profesioni mund të marr unë pasi të përfundoj studimet aktuale. Ndërmjet një sërë profesionesh të tjera kam thënë dhe që mund të bëhem dhe këshilltare, por jo se do të bëhem e tillë. Tani që më thua se kam afeksion të theksuar për të, po më merren mendtë.

Ju vetë keni bindje të majta, apo të djathta dhe a mund të bëni një parashikim mbi zgjedhjet 2009?

Këtu nuk po më pyet nëse pëlqej më shumë akullore apo çokollatë.(qesh)

Si mendoni ekziston ndonjë rrezik në faktin e të qenit e bukur dhe e famshme në Shqipëri?

Këtë duhet ta dijë më mirë dikush, që i mbart të dyja këto cilësi, por mund të them që në Shqipëri rreziku të vjen dhe kur ecën në trotuar, apo kalon rrugën me semafor jeshil e kjo ndodh dhe pa qenë i bukur dhe i famshëm.

Mund të na përshkruani tipin tuaj, kush është Xhemi thellë në brendësi?

Si çdo njeri kam dhe unë të metat e mia, nëse do të quheshin të tilla. Në përgjithësi jam e sinqertë dhe kur gënjej, e kam seriozisht dhe kur bëj shaka, jam impulsive, kurioze, gjumashe e të tjera si këto.

Nëse mund të flasim paksa për lidhjen tuaj me Visin. Shumë komente në gazeta që dalin në një konkluzion që është një lidhje që po shkon mirë. Ju si do ta përkufizonit?

Më vjen mirë që gazetat paskan dalë në këtë konkluzion të saktë.

Një thashethem i keq që mund t’ju prishë humorin, cili mund të jetë?

Çdo gjë e rreme më prish humorin, fare e thjeshtë.

Si do të mund ta përshkruanit veten, dhe a ekziston një defekt në fizikun tuaj që do donit të bënit ndërhyrje?

Ndjehem mirë me veten time dhe kjo është e rëndësishme për mua. Ndërhyrje do të bëja vetëm nëse nuk do të merrja frymë mirë apo do të isha obeze.

Nëse një moment do t’ju shihnim pa taka, si do na duket Xhemi një vajzë e gjatë, apo disi e shkurtër?

Unë nuk jam as e gjatë por as e shkurtër. Jam 168 cm, gjykoni vetë (qesh).


PanoramaPlus

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama