Gazetari i njohur i përgjigjet akuzës që i bëhet në studiot e debateve televizive, për "shtëpinë që i ka dhënë Edi Rama". Vizita në kompleksin Kodra e Diellit dhe biseda me drejtuesit, Apartamenti tashmë "i famshëm" i Mustafa Nanos, të cilin, publicistit të njohur po ia përmendin gjithnjë e më shpesh nëpër debate televizive, ndodhet në zonën rezidenciale Kodra e Diellit.
Shkuam aty dhe, ndryshe nga ç\'prisnim (për shkak të delikatesës së pyetjeve që donim të bënim), gjetëm një ambient miqësor. Gentian Sula është Drejtor Ekzekutiv dhe tregohet i sjellshëm për t\'iu përgjigjur pyetjeve tona. Fillimisht na thotë që kompania "Aginkos" është në vitin e tretë të implementimit të projektit, që kërkon edhe rreth 1 vit e gjysmë për t\'u përfunduar.
Kodra e Diellit është një kompleks mbresëlënës vilash dhe apartamentesh, i shtrirë në zonën e kodrave pranë Selitës. I gjithi i rrethuar. Shtrihet në zgjatim të rrugës Komuna e Parisit. Mund ta quash dhe mund të mos e quash periferi. "Hetuam thellë në peizazhin e investimit në ndërtim në Shqipëri dhe pamë që tregu i këtij lloj investimi përbëhej nga iniciativa zhvilluese, të cilat u qepeshin qendrave të qyteteve.
Pra, gërryenin në mënyrë masive dhe infrastrukturën e varfër që ofronin qendrat tona urbane. Ndaj prodhuam një iniciativë të re: zhvillimin e qendrave të reja rezidenciale, me një filozofi urbane të ndryshme dhe me hapësira, ku mund të jetohej në dimensione njerëzore fizike, kulturore e sociologjike. Kjo u bë sfida jonë, dhe Kodra e Diellit, që ju shihni, është vetëm një prej projekteve", - thotë z. Sula.
Z. Sula, le të vijmë në qëllimin e vizitës dhe intervistës sime me ju. Me sa dimë ne, gazetari Mustafa Nano ka blerë një shtëpi tek ju. Si është historia e blerjes së kësaj shtëpie?
Për këtë çështje duhet të flisni me Mustafa Nanon vetë, pasi ne ruajmë me fanatizëm marrëdhënien konfidenciale me klientët tanë.
D.m.th., është klienti juaj?
Po, ne e pohojmë që ai është një nga klientët tanë. Ai bëri një vizitë tek projekti ynë, mbeti i befasuar nga ajo që pa, dhe vendosi të bëhet klient i yni. Kaq mund t\'ju themi.
Pse e lidhin me Edi Ramën, ka ndonjë ekzagjerim apo keqkuptim në këtë çështje?
Kjo nuk është besoj një pyetje, së cilës ne mund t\'i japim përgjigje. Një gjë është e sigurt: projekti ynë nuk zhvillohet nën autoritetin administrativ të Bashkisë Tiranë, por të Komunës Farkë.
Çfarë menduat kur dëgjuat të flitej për këtë lidhje?
Kjo nuk është fare puna jonë. Neve nuk na interesojnë fare lidhjet e miqësitë e klientëve tanë.
Po ju e besoni këtë që thuhet?
Ua thashë, nuk kam asgjë për të shtuar. Nuk është fare puna jonë të besojmë apo të dyshojmë tek ato që thuhen për x-in apo për filanin. Ne jemi të kënaqur që Mustafa Nano është klient i yni.
Dua të them, është paguar apo jo kjo shtëpi? Pra si është kontrata e blerjes?
Shtëpia është kontraktuar normalisht, sipas standardeve juridike tonat, dhe ju siguroj që nuk është bërë asgjë e jashtëzakonshme për zotin Nano. Pavarësisht se z. Nano përfaqëson një autoritet publik, nga ne ai merr të njëjtën vëmendje që marrin të gjithë klientët e tjerë: vëmendjen dhe respektin maksimal.
Pikërisht për hir të vëmendjes dhe respektit ndaj klientit, jemi edhe ne këtu.. Pra për lexuesit tanë..
Nuk e di nëse kjo do të ishte me interes për ju dhe lexuesit tuaj, por z. Nano futet në grupin e klientëve, të cilët dashurohen me zgjedhjet e tyre dhe bashkëjetojnë mirë me vendimet e tyre. Shpresoj shumë që z. Nano të më falë për kaq shumë sa thashë në këtë intervistë. Ai tashmë është bërë mik i të gjithë neve që punojmë në këtë projekt.
INTERVISTA
Nano: Kam një apartament normal. Ka kolegë me vila dhe t\'i gëzojnë
Për ta bërë Mustafa Nanon t\'i përgjigjej pyetjeve lidhur me "shtëpinë që i ka dhënë Edi Rama", (siç i thonë akuzuesit e tij, kryesisht me staturë politike), nuk ishte e lehtë. Prej fillimit të javës e deri në fund të saj, merrnim si përgjigje, një të qeshur ironike në telefon ose një rebelim të tipit "po pse merreni me ata...". Vetëm pasi i thamë që kishim folur edhe me drejtuesit e firmës shitëse, si dhe kishim fotografuar apartamentin nga jashtë, pranoi të përgjigjej.
Zoti Nano, shumë lexues të "Shekulli"-t, në letra dhe e-mail-e pyesin: "Si është e vërteta e shtëpisë që i përmendin Mustafait në debatet televizive?" Mendoni se mund t\'u japim një përgjigje?
Unë e thashë të vërtetën në atë debat televiziv. E doni prapë? Po, kam marrë një shtëpi. Dhe jam i lumtur, pasi më në fund dhe unë do të kem një shtëpi timen. Pyetja ime është: ç\'ka në këtë mes për t\'u çuditur? Çfarë ka për t\'u çuditur, kur një nga gazetarët më të paguar në Shqipëri blen një shtëpi të vetën?
Sa e keni rrogën në të vërtetë, pasi deklarata juaj ka bërë shumë përshtypje?
Në atë debat unë bëra një deklaratë, nëpërmjet së cilës krijova një ide mbi rrogën time. Por nuk kam ndërmend të flas më për këtë punë. Një gjë po ju them: unë jetoj vetëm me gazetari. E për çdo gjë që bëj nga pozitat e gazetarit, unë paguhem. Ndryshe, nuk e bëj.
Në zonën rezidenciale ku shkuam për verifikim, kishte vila dhe apartamente.. Shtëpia juaj e re është një apartament, apo një vilë?
(Qesh me të madhe) Po çfarë vile? Është një apartament. Ah, në këtë zonën rezidenciale, ku unë kam apartamentin, ka plot vila, por asnjëra sosh nuk është e imja. Sikur ta dinit sa do doja që ndonjëra të ishte e imja. Unë vdes për të pasur një vilë. Dhe më vjen mirë që një numër kolegësh të mi e kanë një të tillë. Ta gëzojnë!
Sa metra katrorë është?
Po kërkoni tepër. Nëse ju jap përgjigje, do filloni të më kërkoni se sa kanotiere kam nëpër sirtarë. Dhe kjo nuk është e drejtë.
E keni paguar?
Sigurisht, kokërr më kokërr.
Ju kanë bërë ndonjë favor në kontratë?
Do isha i lumtur edhe po të ma falnin këtë apartament pa kërkuar në këmbim ndonjë gjë, kuptohet. Por, për fat të keq, nuk u ka shkuar në mendje kjo gjë.
Ju njiheni personalisht me ndërtuesin? Pyetëm përpara kësaj interviste dhe, siç e kemi zakon ne shqiptarët që bëjmë radhitje politike, na thanë që njihet si "i djathtë"...
E kam njohur para nja tre muajsh, kur e gjeta krejt rastësisht në tavolinë me Blendi Fevziun e Andi Bushatin. Më përpara nuk kisha ide që ai ekzistonte. Aty e më pas mora vesh, se ai më çmonte shumë për integritetin human e për zotësitë profesionale, por nuk ishte shumë dakord me mesazhet më të rëndësishme që unë përcjell me shkrimet e mia. Ndoshta i tërheq kërraba nga Berisha, vërtet. Çfarë s\'ndodh në këtë vend!
Nëse gjykojmë nga adresa e shtëpisë, është jashtë juridiksionit të Bashkisë së Tiranës. Cila është lidhja e Edi Ramës me këtë histori?
E, në këto rrethana, i bie që Edi Rama të më ketë dhënë pará në dorë. Dhe juve s\'ju mbetet tjetër, veçse të përfytyroni skenën, në të cilën Edi Rama i jep nja 100 mijë euro në dorë Mustafa Nanos. Gjithë veprimi bëhet në heshtje. Me ndonjë shkelje sysh në fund, në shenjë mirëkuptimi e kënaqësie reciproke për pazarin. Hajde skenar, hajde!
Megjithatë, ju nuk e mohoni që Edi Ramën e keni mik ...
Ç\'miqësi zeza! E di si është puna? Unë nuk kam miqësi me politikanë. Dhe nuk do kem kurrë. Ah, po, kam kontakte me Ramën. Dhe dini pse? Sepse Rama është politikani që u vë veshin në mënyrë të veçantë shkrimeve të mia, që ka një ndjeshmëri të veçantë ndaj asaj që unë them e mendoj, që shqetësohet më shumë se kushdo prej qortimeve të mia, e që më kërkon ndonjë mendje para se të ndërmarrë ndonjë nismë politike.
Në fakt, ka kohë që nuk e bën këtë të fundit; të paktën qysh prej momentit, kur unë kam këmbëngulur në një numër shkrimesh e në dy biseda tete-a-tete për një frymë dialogu me LSI-në. Me sa duket, ka preferuar të dëgjojë më shumë entourage-in e tij meskin. Nuk di si do t\'i vejë filli kësaj pune, por pavarësisht nga kjo, unë do të votoj për partinë e Edi Ramës në këto zgjedhje.
Dhe e dini çfarë? Unë nuk kam fuqi t\'i kuptoj ata që do të bëjnë të kundërtën. Nuk kam fuqi t\'i kuptoj, pasi ka kohë që mendoj se berishianët e Shqipërisë meritojnë të qeverisen mirë, por nuk duhen lejuar të qeverisin. Nuk duhen lejuar me votë, sigurisht.
Ne ishim në zonën ku ndodhet dhe e fotografuam nga jashtë. Me sa na tha menaxherja e projektit, bëhet fjalë për një zonë ku kanë prenotuar shtëpi shumë persona të medias. Është e vërtetë?
Po, është e vërtetë. Nja dy raste i di dhe unë.
Hë, këtë dua të gjej dhe unë. Por ka dy gjëra që më ngushëllojnë: e para është mendimi se më shohin si një gazetar influent e të rëndësishëm; ndryshe, përse do përpiqeshin të më bënin pis portretin moral? E dyta është fakti që, këto akuza nëpër studio, i bëjnë ca palo njerëz.
Gazeta: Shekulli











