Kastro Zizo Pse vendosa te dal ne skene si klloun depresiv

Kastro Zizo: Pse vendosa të dal në skenë si klloun depresiv


“Vaji i Kllounit” një bashkëpunim me Gent Lakon. Pse u rikthyet tek ky kompozitor?

Jam rikthyer pas katër vjet autoproduksion të këngëve të mija. Doja të sillja një këngë me përmasa të tjera dhe mendova se kompozitori i duhur ishte Genti Lako, bashkë me të cilin do realizonim jo vetëm thjesht një melodi, por një këngë të konceptuar si ngjarje me përmasa të mëdha dhe besoj kemi arritur në një produksion “alla”-Genti and Kastro. Kujtoj po ashtu që Genti ka qenë kompozitori i këngëve të albumit të parë të grupit “Two farm”, kur unë isha pjesë e tij. Ishte ai që na lançoi.

Një klloun i vërtetë në “Top fest”. Pse kjo ide e çuditshme?

Është një refleksion i kllounit, duke parë botën përreth dhe së fundi duke i dhënë një shikim vetes, jetës në përgjithësi dhe gjendjes shpirtërore e psikologjike të njerëzve. Jo më kot është zgjedhur kllouni si një figurë e aftë që i bën njerëzit të qeshin e të argëtohen, por që ai për vete është një qënie në depresion të thellë.

Një klloun depresiv, çfarë ndjen?

E para në dukjen e tij, që ndryshe nga të gjithë kllounët e tjerë që i kanë buzët e kuqe, ky i ka të zeza. Dhe në këtë reflektim të thellë që i bën vetes vuajtja kryesore i vjen nga paraja.

Paraja në ç’kuptim?

Flet dhe vuan me paranë njëlloj sikur ajo të ishte një femër. Ai përjeton me paranë të gjitha ulje-ngritjet emocionale. Njëherë ai e poshtëron paranë, derisa ajo e fut në dhe të gjallë. Këtu fillon kriza.

Ai kishte para në xhep kllouni që pamë në skenë?

Jo, nuk kishte asnjë para në xhep, pasi skena është e shenjtë dhe nuk duhet të ngatërrohet me elementin “para”.

Ti Kastro ke pohuar se je i përfshirë në politikë. Po klouni që ti përfaqëson ç’mendim ka për politikën tani para zgjedhjeve?

Kllouni për të cilin po flasim është shumë i lodhur dhe nga bindjet politike dhe e vuan shumë këtë gjë. Ai e urren zhurmën që krijohet në një fushatë zgjedhore.

Mendon se do pëlqehet kjo këngë më shumë nga të tjerat?

Po kam besim se do perceptohet shpejt nga publiku, dhe natyrisht do pëlqehet. Është një këngë e fortë, që i bën të gjithë të ndiejnë dëshirën për ta dëgjuar sërish.

E ke shkruar vetë tekstin e këngës “Vaji i Kllounit” duke u identifikuar si një tekstshkrues ku dominon filozofia. Ke menduar të shkruash ndonjë libër?

Ne fakt kam 5 vite që kam nisur të shkruaj një libër me tregime. Më duhet vetëm pak përqëndrim për të gjetur një mbyllje të goditur dhe do ta bëj.


PanoramaPlus

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama