Kjo është një akuzë e dytë për ministrin e shkarkuar të Kulturës, Ylli Pango. E dytë për shkak se vajza të cilës ai i ofrohet me premtime për një punë të mirë, me rrogë shumë të mirë, në këmbim të “ndarjes së mendjes”, është një tjetër personazh. Pra kjo vajzë nuk ka lidhje me atë të skandalit seksual, që rrëzoi automatikisht nga froni ministrin. Sipas shpjegimeve të drejtuesve të emisionit “Fiks Fare”, në këto radhë është transkriptuar dialogu me Pangon, i vajzës që denoncoi e para ngacmimet seksuale të ministrit. Ndërsa biseda është zhvilluar e gjitha në zyrën e Pangos, në Ministrinë e Kulturës. Pas këtij takimi, vajza është frikësuar dhe ka hequr dorë të vazhdojë më tej të bashkëpunojë me drejtuesit e emisionit. Në bisedë dallohet qartë tendenca e Pangos për të joshur vajzën kundrejt ofertave për një punë të zgjedhur dhe të paguar shumë mirë.
Biseda në zyrën e ministrit
Ylli Pango - Si jeni?
Fiksi - Përderisa kam aplikuar do të thotë që jam e interesuar.
Ylli Pango - Ti s’vjen, mbyll telefonin, s’interesohesh...
Fiksi - Në ç’mënyrë luftohet?
Ylli Pango - Në çdo moment luftohet.
Fiksi - Duhet të kisha ardhur, ndoshta kam neglizhuar, por duhet të kisha ardhur.
Ylli Pango -Ngela një çikë i habitur. Tani historia ka qenë kështu, që ta dish thjesht fare, ti kishe idenë që do të vije në institut dhe do të të hante ndonjë ari? Çfarë kishte?
Fiksi - Jo, jo nuk kisha asnjë ide, por thjesht që kërkova punë në ministri.
Ylli Pango - Nuk të tha njeri që nuk do të punoje në ministri.
Fiksi - Nuk e kam kuptuar.
Ylli Pango - Oferta ishte goxha e mirë.
Fiksi - Unë nuk kisha nevojë për një makinë për të ardhur në institut. Fakti që do t’ju takoja në institut më bëri të ndihesha keq. Juve nuk ju kam mik, ju njoh, kam shumë respekt.
Ylli Pango - Rrofsh! Tani edhe një herë, pyetja është kjo: Çfarë të shqetësonte që do vije aty? E kam kuriozitet.
Fiksi - Nuk më shqetësonte asgjë, thjesht fakti që kërkova të punoja në ministri dhe të takohesha në një institut, kur nuk e njoh fare.
Ylli Pango - Po të flas troç fare, edhe një përgjues këtu (vendos dorën poshtë tavolinës), çfarë nuk kam dëgjuar, qoftë edhe për këtë. Kjo ishte arsyeja, domethënë.
Fiksi - Nuk besoj se po bëjmë një gjë që është jo zyrtare.
Ylli Pango - Absolutisht. Edhe atë detyrë që do të fillosh ti. Unë kam qëndruar me çdo njeri, është marrë, është interpretuar, është folur, të gjitha. Aty jam shumë i qetë, e kam pronën time private. Ne jemi njerëz në radhë të parë, kemi një minimum besimi gjithmonë.
Fiksi - E kuptoj.
Ylli Pango - Duhet të dish që, kontrata e parë që është bërë në këtë botë nuk është bërë me firmë dhe me vulë, por ka qenë një kontratë besimi, pastaj hynë vulat dhe firmat. Ideja ishte të ishe këshilltarja ime, me rrogë shumë të mirë, sepse do të ishe e kabinetit, plus meqenëse ministrat shkojnë dhe vijnë, konjukturat ndryshojnë, unë nuk kam ndërmend të ndryshoj, por për çdo rast lëviz andej, në ndonjë ministri tjetër, nesër, pasnesër, kuptohet pas zgjedhjeve se në këto zgjedhje deri në shtator ne këtu jemi. Unë kam një institut dhe po të kishe ardhur do të kisha treguar disa gjëra shumë interesante. Atje sapo hyn gjen 7 botime, libra, botime të institutit, botime ku unë kam pasur të aktivizuar pedagogë dhe studentë të fakultetit dhe ky institut ka qenë shumë i fuqishëm, ka marrë edhe projekte 100 mijë, 200 mijë euro, 500 mijë euro të Komunitetit Evropian, UNDP-së dhe gjithmonë ka pasur nevojë për njerëz. Njëra prej këtyre që ka punuar në institut, unë e kam drejtoreshë këtu edhe e kam nga më të mirat, është S. K., është një që merret me …, një N, N.
Dhe ç’kam bërë? Kam kombinuar që njerëzit më të besuar t’i kem dhe në ministri, t’i kem edhe në institut. Meqë unë jam në ministri quhet konflikt interesi, prandaj them që janë ca gjëra që me dash keq, prandaj doja të flisja në konfidencë.
Institutin ia kam kaluar mbesës sime që ta komandojë ajo si emër, por ndërkohë këta njerëz vazhdojnë punojnë dhe marrin projekte. Duke u angazhuar edhe ti në këtë ekip, e para këtu e mbaje variantin, e dyta siguroje edhe një të ardhur tjetër atje që ishte goxha, ndërkohë që isha edhe unë në plotësim të stafit.
Fiksi - Ju kuptoj dhe ju falënderoj që më vlerësoni pa më njohur, më fusni te miqtë, te njerëzit e besuar.
Ylli Pango - Ka edhe njerëz që unë nisem me goxha paragjykim pozitiv dhe nuk dalin të tillë. Ti mund të jesh goxha e kapur, po të shikoj nga veshja, nga makina, nga të tëra, dukesh që i ke siguruar të tëra mjetet e tua.
Fiksi - Faleminderit, por mi ka siguruar familja, nuk varet nga unë fare.
Ylli Pango - Edhe kjo ma bën qejfin, shumë mirë. Kështu që do të bëja një muhabet shumë më të gjerë, ti nëqoftëse do të ishe e angazhuar tamam për këto gjëra, do të kishim prapë një lloj kontrate morale bashkë, që mos ndodhte siç ka ndodhur me disa të tjera që kanë ardhur, kanë ndenjur ca kohë, dikush ka ikur, dikush ka bërë... E ndajmë mendjen të punojmë bashkë?
Fiksi - Sigurisht kam ardhur të zë një vend, një vend pune pa dashur të lëviz dy muaj.
Ylli Pango - Si person vetë ke marrë ndonjë rrogë?
Fiksi - Unë s’është se kam punuar, edhe kur kam punuar, kam punuar në një televizion lokal dhe kam punuar për kënaqësi nuk është se kam punuar për pagesë.
Ylli Pango - Rrogë të madhe?
Fiksi - Jo, vetëm kur kam prezantuar aktivitete kulturore.
Ylli Pango - Kjo nuk do të thotë që ti nuk e vlerëson pagën?
Fiksi - E vlerësoj sigurisht, sepse vlerësohet puna ime, por kjo nuk do të thotë që punoj vetëm për pagesë ose nuk do të thotë që duhet një punë patjetër për pagën.
Ylli Pango - Mund edhe të mos punosh fare, pa pagë. Je e qetë pa pagë?
Fiksi - Do më vinte mirë që për sa kam studiuar të merrja një pagë që të vlerësohej puna ime, por që jo ta kem qëllim në vetvete pagesën. Më intereson një punë që ta kem edhe si kurrikulum dhe të ndihem mirë.
Ylli Pango - Duhet të bëhej një bisedë qoftë edhe pak më e gjatë, unë nuk e kisha parashikuar, qoftë edhe në ndonjë lokal, që do të kishte qejf ti më shumë kështu, që të ishe më e qetë ti.
Fiksi - Unë jam shumë e qetë në fakt.
Ylli Pango - S’jam unë i qetë, se edhe njerëz më presin prapa dere, edhe mbledhje qeverie kam dhe asnjëherë nuk besoj, siç është krijuar kjo situatë.
Ti s’ke asnjë problem, ti je grand, por duhet parë raporti i brendshëm, duhen parë të dy njerëzit. Sepse ideja tjetër ka qenë edhe kjo. Zakonisht sot nëse ti e ke ndarë mendjen është thjesht puna te rroga.
Fiksi - Shumë faleminderit.
Vajza e Fiksit
Gazetarja e “Fiks Fare” që u fut në lojë menjëherë pas tërheqjes së denoncueses së parë, fillimisht shkoi ta takonte ministrin Pango në ambientin e tij zyrtar të punës, pra në Ministrinë e Kulturës. Me të mbërritur aty, ajo takon shoferin e ministrit, i cili i thotë orën se kur Pango dilte për t’u larguar nga puna. Gazetarja e pret dhe arrin ta kontaktojë. Ajo i kërkon punë, ndërsa Pango i thotë që të vijë të nesërmen se e pret në zyrë. Më tej gjithçka incizohet dhe filmohet.
“Në shtëpinë e Pangos pata shumë frikë”
Në një intervistë për emisionin “Top Story”, që drejtohet nga gazetari Sokol Balla, vajza e “Fiks Fare” që guxoi të futej në shtëpinë e Ylli Pangos për të finalizuar investigimin, pohoi se për pak e kishte lënë atë në mes, e frikësuar nga rrethanat e krijuara në shtëpinë e ministrit. Ja biseda e realizuar në studion e Top Channel. Sokol Balla: Ishte hera e parë që merreshit me detyra të këtij niveli?
Vajza: Jam marrë edhe me detyra të tjera
Balla: Çfarë e bënte këtë detyrë të vështirë?
Vajza: Ashtu si e tha edhe kryeredaktori Armir Shkurti, ishte hija e një pushtetari. Denoncime ka pasur edhe herë të tjera, por zoti Pango ishte edhe deputet edhe ministër dhe pedagog i njohur prej shumë vitesh. Gjithë stafi ishte i bindur se sjellja e Pangos do ishte e njëjtë me atë të sjelljes me vajza të tjera. Videoja e Ylli Pangos do ishte njëlloj sikurse është njohur edhe me femra të tjera që e kanë denoncuar tek emisioni Fiks Fare. Dhe ashtu sikurse ishte sjellë edhe me vajzën që erdhi e fundit. Por gjithçka na e lehtësoi vetë Ylli Pango.
Balla: Në pjesën e transmetuar duket qartë se nuk ka provokim nga ana e juaj në drejtim të ish ministrit të Kulturës. Si gazetare por edhe si femër më duhet t’ju pyes, si e gjykoni rastin e tij?
Vajza: Kam vite që punoj aty dhe parimi kryesor i punonjësve të Fiksit është profesionalizmi. Nga ana jonë, në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë provokim. Në punën që kam bërë, në videot e mia, kemi shumë kujdes në këtë pikë. Në çdo rast unë kam pasur komunikim me drejtuesit e Fiksit që më kanë drejtuar dhe mësuar deri diku, duke pasur parasysh momentet e provokimit. Duke folur si femër natyrisht që jam ndierë shumë keq dhe në raste të tilla dhe të bën të mendosh se sa e vështirë është të jesh femër. Ndërsa si gazetare, do ta kisha lënë përgjysmë.
Balla: Je futur në shtëpinë e një funksionari të lartë publik, në një ambient të panjohur, dera që është mbyllur pas, të paktën kjo mund të ketë qenë në imagjinatën e shumë vetave në momentin kur nuk pamë më se çfarë ndodhi, vetëm dëgjuam atë dialog komprometues. Më thoni dot se çfarë ngjau brenda ose të themi çfarë ne nuk pamë dot.
Vajza: Asgjë më pak dhe më shumë nga ajo që është transmetuar. Duket qartë tentativa e tij. Ai nisi të zbatojë qëllimin për të më bërë për vete. Unë isha e vetme brenda një shtëpie gjigande që kishte shumë dyer dhe unë kisha përballë një person që tentonte, tentonte dhe që hasi në rezistencë nga ana ime.
Balla: A pate frikë dhe a mendove në ndonjë moment të lije gjithçka sepse gjërat mund të shkonin deri tek pika e pakthimit për ty, në atë situatë të rëndë?
Vajza: Sigurisht pata frikë se gjërat mund të shkonin në një pikë pa kthim, duke parë edhe reagimin e tij shumë agresiv. Mendova në një moment pra të lija gjithçka dhe të ikja, por..
Balla: Pse nuk e bëre?
Vajza: Ishte pikërisht ajo ana profesionale, ana gazetareske e përfaqësuar deri në fund, ose më mirë për të goditur fenomenin e shëmtuar.
Balla: Nëse do ju propozohej në rrethana të ngjashme, a do ta bënit sërish këtë?
Vajza: Profesionalisht po. Por personalisht është një gjë e vështirë për ta bërë
Balla: Ju që bëni kamerat e fshehta në brendësi të Topit, konsideroheni si heronj të heshtur. Si ndiheni që keni realizuar një diçka të tillë dhe ju duhet të mbeteni anonime?
Vajza: Ndjehem mirë që u realizua një diçka e tillë, në shërbim të atyre vajzave që sapo dalin nga bankat e fakultetit, që janë në kërkim pune dhe që shpeshherë hasin këtë si kriter për të gjetur punë.
Balla: Ju falënderoj, vetëm t’ju pyes për moshën, sa vjeçe jeni, nëse mund të më thoni?
Vajza: 23-vjeçe.
“Si e realizuam kurthin për ish-ministrin”
TIRANE - Me një stil lakonik, por shumë e saktë në të dhënat që përcjell, Denisa Haxhia, zv/kryeredaktorja e “Fiks Fare” rrëfen gjithë prapaskenat e veprimeve që konkluduan me rrëzimin e bujshëm nga froni të Ministrit të Kulturës Ylli Pango. “Gjatë gjithë kohës na kishin mbërritur në redaksi sinjalizime për abuzime seksuale të ministrit Pango, por për fat të keq asnjë nga denoncueset nuk merrte përsipër të shkonte më tej, të na ndihmonte të dokumentonim pretendimin”, e nis rrëfimin Denisa.
Sipas saj, një muaj e gjysmë më parë, një vajzë shumë e tronditur u kishte trokitur në derë, duke u thënë të njëjtat gjëra për ministrin Pango. Vajza kishte trokitur në zyrë për punë, por sjellja e ministrit e kishte shokuar. Ministri i kishte takuar një takim pasdite në Institutin e tij. Kështu kishte nisur loja me regjistrimin e telefonatave, ardhur menjëherë pas një telefonate të humbur të Pangos. “Pra në telefonatën e para që u transmetua, ministri i lë takim vajzës tek instituti. Në telefonatën e dytë, ai i tregon vendin se ku gjendet ky institut, ku duket qartë se ministri nxehet kur dëgjon se vajza nuk po pranon.
Pikërisht në këtë moment vajza u frikësua dhe u tërhoq”, rrëfen Haxhia. Më tej, ajo tregon se si Fiksi mendon të vazhdojë lojën duke ingranuar një gazetare të tij. Gazetarja niset edhe ajo të kërkojë punë te Pango. Në shkallët e ministrisë takon shoferin e Pangos dhe i kërkon që ai t’i rrëfejë se si mund të kontaktojë ministrin. Shoferi i tregon se ministri do të dalë në orën 02:00 pasdite dhe vajza arrin t’i dalë përpara zyrtarit të lartë dhe t’i kërkojë punë. Takimi lihet për të nesërmen në Ministrinë e Kulturës. “Këtu nisin edhe shkeljet për ministrin, pasi ai nuk i rrëfeu vajzës rrugën zyrtare për të fituar një vend pune, por i propozoi një tjetër rrugë, që kalonte përmes tij. Në kontaktin e radhës Pango i kërkon gazetares që t’ia çojë dokumentet në shtëpinë e tij në Qytetin Studenti dhe pjesa tjetër tashmë është e njohur për publikun”, përfundon zv/kryeredaktorja e “Fiks Fare”.











