Pas arratisjes së dytë të dy personazheve të njohura në Greqi ka ardhur edhe reagimi i gjithë kaheve politike për sigurinë në vend, ndërkohë që policia ka vijuar hetimet për gjetjen dhe kapjen e dy të shumëkërkuarve. Opozita ka sulmuar kreun aktual të qeverisë helene Karamanlis, të cilit i ka kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe e ka thirrur në një takim përfshirës të politikës për të diskutuar mbi këtë çështje. Edhe analistët e medias greke e kanë cilësuar këtë ngjarje si një turp për vendin, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe reagimet. Kështu, Ministri i Drejtësisë, Nikos Dendias, ka urdhëruar shkarkimin e tre zyrtarëve të lartë për sigurinë në burgje. Sipas mediave greke, janë pushuar ministri i Burgjeve të Sigurisë së Lartë, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe drejtori i burgut Korydallos, ku ndodhi arratisja.
Veç këtyre shkarkimeve, hetimet janë fokusuar te katër gardianë të burgut, për të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në arratisjen e shqiptarit dhe shokut të tij grek. Kështu, ata janë arrestuar dhe akuzuar sipas kodit të procedurës penale greke, ndërkohë që është kërkuar edhe një hetim më i detajuar. Sipas një prononcimi të ministrit të Drejtësisë në Greqi, është urdhëruar që t‘u kontrollohen llogaritë bankare gjithë të arrestuarve për të vënë re nëse kanë pasur ndonjë transfertë gjatë kohëve të fundit. Një veprim i tillë do të kryhet edhe për gardianët e tjerë të burgut, me qëllim për të zbuluar se kush kanë qenë bashkëpunëtorët në arratisje.
Gjithashtu, prangave nuk u ka shpëtuar as piloti i helikopterit, me të cilin u krye arratisja spektakolare. Ai është gjetur i lidhur dhe me një qeskë në kokë. Ai i ka deklaruar policisë se e kishin kërcënuar se do ta vrisnin, nëse nuk kryente veprimet që e urdhëronin. Kështu, ai ka shpjeguar se disa herë, një çift e kishte marrë me qira për të udhëtuar nga Itea deri në Athinë. Sipas tij, e njëjta gjë ka ndodhur edhe ditën e diel, por gruaja kishte nxjerrë një armë automatike, ndërsa burri mbante një pistoletë dhe një granatë me të cilat e detyruan të ndiqte destinacionin që i kërkuan. Megjithatë, ky nuk ka qenë një version i besueshëm për grupin hetimor, që ka vendosur arrestimin e pilotit të helikopterit duke dyshuar se ai është bashkëpunëtor në arratisjen spektakolare. Sipas policisë greke, ata kanë ndërtuar edhe identikitet e burrit dhe gruas që u përfshinë në arratisjen e të burgosurve, por ende nuk ka të dhëna konkrete për ta. Sipas policisë, mendohet se ata pasi detyruan helikopterin të fluturonte sipër burgut, gruaja ka hedhur shkallët me litar, nga ku janë ngjitur Rizai dhe Paleokostas. Në këto momente, gardianët e burgut kanë qëlluar në drejtim të helikopterit, por gruaja është kundërpërgjigjur po me armë. Më pas, helikopteri është larguar duke u gjetur pak kohë më vonë i braktisur. Aty mendohet se të arratisurit janë larguar me dy makina "Jeep". Madje, arratisja është filmuar edhe nga një kamerë amatore, nga një banor i zonës, i cili ka filluar filmimet kur ka dëgjuar krismat. Ndërkaq, policia tha se ka nisur punën për ngrirjen e pasurisë së Paelokostas, e cila mendohet se arrin në pesë milionë euro dhe fshihet në një bankë jashtë Greqisë.
Dënimi
Kush është shqiptari i shumëkërkuar
Shqiptari Alket Rizai, 34 vjeç nga Ballshi, i biri i Donikës dhe i Ramizit, konsiderohet po kaq i rrezikshëm sa edhe shumë të dënuar të tjerë. Emigrant prej vitesh në Greqi, Rizai vuante dënimin për vrasjen e një qytetari grek, sipërmarrësin Thanasi Koropiotis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Oksana. Ngjarja ka ndodhur më 3 maj 2003. Autorët e rrëmbyen të riun helen Koropioti, në Marusi dhe më tej me një makinë e dërguan në pyjet e zonës së Atikës, ku edhe e ekzekutuan e më pas zhdukën kufomën. Fillimisht, policia arrestoi tre bashkëpunëtorët e Rizait, dy grekë dhe një ruse, ndërsa një muaj më vonë u arrestua edhe i dyshuari shqiptar. Në pranga ranë edhe grekët Kiriako Pakaturidi, Janguli Foka dhe rusja Viktorja Tarasevic.
Precedenti Arratisja e parë e Rizait, bashkë me Paleokostas
Arratisja e parë e shqiptarit Rizai me shokun e tij ndodhi pikërisht më 2 qershor të vitit 2006. Ndërsa të gjithë të dënuarit shijonin orët e ajrimit në oborrin e burgut dhe gardianët mbikëqyrnin situatën, sipër burgut është shfaqur një helikopter, që fillimisht është menduar si një mjet fluturues i policisë. Madje, shfaqja e tij nuk ka shqetësuar as rojet e burgut, të cilët nuk kanë bërë dot asgjë në momentin kur ai ka ndaluar fluturimin dhe në mes të oborrit ka hedhur një litar me shkallë, duke marrë me vete dy të dënuar.
Arratisja ka ndodhur orët e pasdites së datës 2 qershor 2006 dhe autorë të kësaj arratisjeje janë pikërisht shqiptari Alket Rizai dhe miku i tij grek, i dënuar për disa vepra penale. Sipas mediave greke në atë kohë, u mësua se ndërsa dy të dënuarit ngjisnin shkallët drejt helikopterit, të dënuarit e tjerë kanë mbetur të shokuar nga shfaqja, ndërsa policët, si të magjepsur, nuk kanë mundur as të lëvizin për t‘i ndaluar. Pasi kanë hipur në helikopter, shqiptari dhe miku i tij grek, Vasilis Paleokostas, i dënuar për rrëmbim dhe grabitje bankash, kanë ndaluar në një zonë periferike pranë varrezave të një prej lagjeve të Athinës dhe më pas janë larguar pa lënë asnjë gjurmë.
Policia greke tha se dy të arratisurit dhe ndihmësit e tyre, pasi kanë braktisur helikopterin në bordin e disa motorëve shumë të fuqishëm, janë futur në thellësi të zonës së pyllëzuar dhe askush nuk ka arritur t‘i shihte më. Vetëm pas tre muajsh nga dita e arratisjes, policia greke do të mund të arrestonte në një zonë bregdetare jashtë Athinës Alket Rizain. Ky i fundit është gjetur në një vilë dykatëshe dhe strehohej atje nga një kushëri i vet që prej tre muajsh. Në banesë u gjetën një granatë, një pistoletë dhe një automatik tip UZI. Në operacion u angazhuan mbi 30 forca speciale të policisë greke.
Siç u shprehën burimet policore, gjatë arrestimit të Alket Rizait pati shumë kujdes se kishin frikë se mos qëllohej drejt policisë dhe se mos merrej edhe ndonjë peng prej tyre. Kur u futën në banesë, Alket Rizai menjëherë në përballje me policinë greke tentoi të merrte një granatë që e kishte atje pranë, por policia e neutralizoi menjëherë atë. Bashkë me Alket Rizain, policia greke bëri edhe arrestimin e kushëririt të tij, duke e akuzuar atë si strehues të tij. Sipas policisë, mësohet se Alket Rizai, për të humbur gjurmët nga policia greke, kishte ndryshuar luk, kishte lënë mjekër dhe kishte lyer flokët e tij, duke i transformuar nga ngjyrë të zezë më parë në biondë.
Ballsh, banorët e krahasojnë
Rizain me Avni Rustemin
Shumë prej banorëve të Ballshit e konsiderojnë Alket Rizain një Avni Rustemi të dytë, ndërsa të tjerë e shohin si një Konti i Monte Kristos. Në këtë qytezë, askush nuk e ka dënuar veprimin e Alketit, ndërkohë që para lokalit dhe banesës së prindërve të tij shumë qytetarë të Ballshit kanë shprehur se do të hapin dyert për strehimin e tij. Ata kërkojnë që Rizai, nëpërmjet ndërhyrjeve të shtetit tonë, nëse kapet, të kthehet në atdhe. Xhemal Malaj, kushëri me Alketin, thotë se ai "është një hero. Ai do të vërë drejtësinë në vend. Ai nuk është vrasës dhe për të vërtetuar këtë po regjistron edhe arratisjen".
Teza e një arratisjeje të stisur bazohet në pretendimin se këtë herë ajo është bërë nga autoritetet e burgut me qëllim vrasjen. "Të mundesh që nga një burg i sigurisë së lartë të ikësh me helikopter është diçka e paimagjinueshme. Jo vetëm kjo, por edhe plumbat e shtënë ndaj Alketit dhe Kostës, atij grekut, tregojnë atë që ishte vendosur", shprehen familjarët. Sipas të dhënave, Qarku i Fierit është prekur edhe herë të tjera nga arratisje spektakolare nga burgu. Kujtohet rasti i Fatmir Kallashit nga Krapsi i Fierit, i cili katër vite më parë, me anën e një litari 40 metra të gjatë, mundi të dalë nga një burg i sigurisë së lartë dhe pasi ka qëndruar për katër ditë në një shpellë, mundi të kthehej në Shqipëri nëpërmjet kalimit ilegalisht nga Korfuzi. Fatmir Kallashi ishte në burg për trafik droge, ndërkohë që vuan të njëjtin dënim në burgun e Rrogozhinës në Shqipëri.
Rrëfimi i së ëmës, Donika: Telefonata e fundit me Alketin "Më tha që e drejta do të dalë shumë shpejt"
Banorët e qytezës së vogël të Ballshit e shohim si diçka heroike arratisjen spektakolare nga burgu të 34-vjeçarit Alket Rizai. Krejt ndryshe, familjarët e tij shprehin dyshimet se gjithçka është sajuar me qëllim eliminimin e tij. Që prej mbrëmjes të së dielës, kur ekranet e televizioneve shfaqën riarratisjen e Rizait, në banesën e tij, që ndodhet vetëm pak metra larg qendrës së Ballshit, në katin e parë të një pallati trekatësh, nisën vizitat e shumta të të afërmve të familjes. Nga bashkëbisedimet me ta mësojmë se jo vetëm të afërmit, por një pjesë e madhe e komunitetit të Ballshit ka uruar prindërit e Alketit, Donikën dhe Ramizin, për "lirinë" e fituar të të birit. Vizitat e urimit si dhe interesimi kanë vijuar edhe të hënën. Të gjithë vlerësojnë arratisjen dhe përsëritjen e skenarit të para tri viteve. Sakaq, policia lokale ka ngritur postblloqe policore në të gjitha hyrjet e daljet e qytetit dhe banesa e të afërmit e Alket Rizait mësohet se po mbahen nën survejimin e policisë. "Plumbat ndaj tim biri treguan fatin e tij.
Atë po përpiqen ta eliminojnë", vlerëson Donika Rizai, nëna e Alketit. Në moshën 56-vjeçare, ajo e ka humbur normalitetin e jetës vite më parë, atëherë kur njëri nga tre djemtë e saj, Alketi, arrestohet nën akuzën e vrasjes. Por, qershori i vitit 2006, kur i biri shënoi arratisjen e parë spektakolare për Donikën ishte periudha më e vështirë e jetës. "Im bir, nëse do të ishte vrasës, gjatë tre muajve që nuk u kap pas arratisjes së parë, do të realizonte të tilla. Ai kërkon drejtësinë e munguar nga shteti grek. Ai ende nuk ka dalë në gjyq dhe zvarritja e procesit dhe e hetimeve bëhet me qëllim nga qarqe raciste të qeverisë greke", shton Donika. Ajo përpiqet të mos flasë shumë për çështjen e të birit, madje shpesh kërkon të mos pyetet. Donika thotë se që nga mbrëmja e së dielës nuk ndihet mirë me shëndet dhe gjatë gjithë natës së kaluar nuk ka vënë gjumë në sy. Megjithatë, pret e përcjell në lokalin përballë shtëpisë shumë të afërm dhe të njohur, të cilët i thonë shprehjen "shyqyr që shpëtoi". "Kam komunikuar në telefon shpeshherë me tim bir. Kurrë nuk më ka thënë për arratisje nga burgu, por vetëm ka pohuar që e drejta do të dalë shumë shpejt në shesh", rrëfen nëna e Alketit për "Shqip".
Ajo thotë se telefonatën e fundit e ka marrë para disa ditëve dhe si zakonisht kanë biseduar mbi shëndetin e tyre. Pas këmbënguljes sonë për të mësuar diçka nga nëna e të arratisurit, marrim vesh se pas riarrestimit në vitin 2006 të Alket Rizait, ajo dhe bashkëshorti kanë dashur të shkojnë në Greqi, por kjo u bë e pamundur për shkak të vizës. Familjarët e Alketit, babai dhe nëna, kanë kërkuar nëpërmjet qeverisë shqiptare, ambasadës shqiptare në Athinë, si dhe organizmave të tjerë që procesi gjyqësor ndaj djalit të tyre të zhvillohet sa më shpejt. Donika Rizai hedh poshtë pretendimet se Alketi është dënuar me burgim të përjetshëm dhe këmbëngul në faktin se ndaj tij ka munguar drejtësia. "Ku ka drejtësi në një shtet kur nuk respektohen afatet e daljes në gjyq? A është drejtësi ajo kur një shtet nuk ka mundësi të ndalë dy të arratisur dhe qëllon me breshëri armësh automatike ndaj tyre? A ka drejtësi ndaj një emigranti shqiptar që shkon për bukën e gojës refugjat, i duhet të përballet me përbuzjen e autoriteteve shtetërore?", shtron pyetjet Donika. Të afërmit e Rizait thonë se skenari i arratisjes ngjan më shumë me një prapaskenë për eliminimin e tij.
Reagimi? Policia merr masa
Familja Rizai, jeta në qytezën e Ballshit
Alket Rizai, sot 34 vjeç, ka lindur në fshatin Aranitas të Rrethit të Mallakastrës. Familja e tij zhvendoset pak muaj pas lindjes së tij në qendër të qytetit të Ballshit. Donika, para vitit 1990, ka punuar në një lokal në qendër të Ballshit, ndërkohë që bashkëshorti, Ramizi, punonte pranë filialit të Postës Shqiptare në këtë qytet. Familja ka një ekonomi mesatare dhe të ardhurat aktuale sigurohen nga lokali i vogël që menaxhon nëna e Alketit, si dhe paga e të atit të tij, Ramizit. Vëllai i tij më i madh ndodhet në Angli, kurse ai më i vogli në Belgjikë. Sipas Pajtimit, shokut të tij të ngushtë, i cili ka qenë gjatë gjithë së hënës në lokalin e prindërve të Alketit, mësojmë se Alketi ka ikur emigrant prej vitesh në Greqi.
Ka ikur që i vogël dhe kërkonte jetë më të mirë. Vëllezërit e tij janë me familje dhe dokumente të rregullta dhe atë dëshironte edhe Alketi. Ai ka përfunduar shkollën 8-vjeçare në qytetin e Ballshit, ndërkohë që nuk ka qenë problematik. Policia lokale, që nga mbrëmja e së dielës, ka planifikuar masa ekstra për një rikthim të mundshëm të Alket Rizait.
Kreu i Komisariatit të Policisë së Ballshit, Viktor Ago, u shpreh për gazetën se ka rritur numrin e shërbimeve policore në qytet dhe se po mban nën kontroll të plotë të gjitha hyrjet dhe daljet e tij. Nga shefi i komisariatit mësojmë se asnjë prej të afërmve të tij nuk është marrë në pyetje dhe se veprimet e mundshme mbahen sekret prej policisë shqiptare. Këtë fakt e pohon edhe drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, i cili u shpreh për "Shqip" se "nuk bëhet publik asnjë informacion që mund të sigurojë policia shqiptare lidhur me Alket Rizain". Ndërkohë që inspektorët e Policisë Kriminale të Komisariatit të Ballshit kanë mbushur qendrën e Mallakastrës dhe mjaft uniforma blu po mbajnë në mbikëqyrje banesën e tij.
Arratisjen e parë, Alket Rizai e ka shënuar më 2 qershorin e vitit 2006, ku ka përdorur të njëjtin skenar. Ai është ndaluar tre muaj më vonë në banesën e një të afërmi në Athinë. Ndërkohë që me prangat e policisë greke është njohur në mars të vitit 2003. Sipas mediave greke, Alket Rizai është dënuar për vrasje dhe po gjykohet për trafik lëndësh narkotike, si dhe për pjesëmarrje në organizata kriminale. Kurse në Shqipëri, Alket Rizai e ka dosjen e pastër.
Gazeta: Shqip











