Nikoll Lesi Jam i pasur dhe kam perseri ambicie per te qene ne politike dhe ne media

Nikoll Lesi Jam i pasur dhe kam përsëri ambicie për të qenë në politikë dhe në media
 Aktualisht, ka shitur televizonin “Koha”, si dhe gazetën “Koha Jonë” deri dje në pronësi të tij. Ka arritur të marrë dy mandate deputeti, duke qenë një herë i mbështetur nga socialistët dhe një herë nga demokratët, ndërkohë që në sallën e parlamentit ka dëshmuar se në fakt është i askujt. Madje sot, nuk mban as kreun e PDK-së. Me gjithë këto ish-e në CV-në e tij, përsëri Nikoll Lesi duket se ka dëshirë për të qenë i angazhuar, madje rrëfen se do të jetë edhe më luftarak se më parë.

Marrim shkash nga dekorimi që iu bëri presidenti i Republikës për kontributin që keni dhënë në media, për t’ju pyetur nëse iu mungon profesioni juaj i gazetarit të cilin gradualisht e keni zëvendësuar me atë të politikanit?

Mbi të gjitha mbetem gazetar, pa asnjë mëdyshje. Futja ime në politikë ka qenë rastësisht, në zgjedhjet e vitit 1997, pasi asokohe isha botues dhe drejtues i medias “Koha Jonë”, e cila për kurajën, autoritetin e fjalës dhe luftën që bëri me pushtetin e kohës, pushtet që duhet thënë e masakroi median time, u bë de facto opozita e mirëfilltë e atyre viteve. Më pas, filloi të zinte vend brenda meje, nga pak e përditë, ideja se duhej të hyja në parlament. Fillimisht u tremba pasi aty gjeta si ata që kisha kritikuar, ashtu edhe ata që pata ndihmuar, natyrisht kur kishin të drejtë. U stepa, pasi nuk dija lojërat politike si bëheshin në skuta të parlamentit, por shpejt i njoha dhe më bënë të jem më i vëmendshëm në raport me të gjitha krahët e politikës. Si për çudi kur kritikova socialistët në pushtet, te cilet duhet pranuar se i ndihmova të vinin në qeverisje, ata më nxorrën dhëmbët e inatit dhe të hakmarrjes. Filluan kontrollet tek gazeta si presion, por ngaqë nuk doja t’ia dija për formën e tyre të shantazhit, nxituan të më bojkotonin dhe provuan të më hapnin ndonjë çështje penale për akuzat e mia publike. Nuk u stepa. Përkundrazi e prisja si një engledisje këtë sulm të tyre…

Ju kishit një televizion dhe një gazetë që nuk janë më në pronësinë tuaj. Kjo do të thotë që nuk do merreni më me media si drejtues, apo thjesht e keni shtyrë në kohë?

Pa asnjë diskutim që me media do të merrem. Nuk rri dot dhe po mendoj e rimendoj mënyrat, pasi ka ndryshuar shumë tregu mediatik. Jam duke gjetur një zgjidhje ku përvoja ime 20 vjeçare të rrijë brenda kurajos time të lindur!

Le të ndalemi pak tek politika, po ajo a do të jetë një bashkëudhëtare e gjatë e juaja dhe nëse po, ku do të rreshtohet Nikoll Lesi këtë herë për tu rizgjedhur deputet?

Mendoj sinqerisht se mund t’i vlejë politikës dhe kryesisht publikut qënia ime si deputet edhe një mandat tjetër. Është e vështirë me këtë Kod Zgjedhor, porse mendoj se do të jem në parlament. Natyrisht që në Lezhë do të kandidoj pa asnjë diskutim. Nga Lezha fillova median, nga Lezha hyra në parlament, kështu që nga Lezha le të më vijë fundi politik.

Ju keni pasur kurajo që të rrëfeni në një libër të gjitha eksperiencat tuaja me dy liderët e politikës siç janë Nano dhe Berisha? Cila ka qenë kostoja politike që iu është dashur të paguani në këmbim të bërjes publike të disa fakteve jo shumë të pëlqyeshme për ata?

Shume kosto. Po e përsëris, shumë, ndonëse të kamufluara, por kam patur goditje. Por nëse nuk do të jem deputet, do të kem më tepër kohë për të treguar edhe gjysmën tjeter apo më shumë të atyre që di e të cilat nuk janë bërë publike për shkak të mosuljes time në kompjuter per t’i hedhur në letër e me pas të shkojnë tek lexuesi. Kemi kohë ! Populli thotë që “vera sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë bëhet “ !

Sipas jush në Shqipëri politika reflekton falë pjekurisë së saj apo sepse media e vë shpesh me shpatulla pas murit?

Politika dalëngadalë po piqet. Nuk mund të themi se ka arritur shkallën e perfeksionit, por duhet pranuar se ka ngritje. Media mbetet pa asnjë dyshim fuqia e madhe që e detyron politikën ose të piqet ose ndryshe do të digjet, siç ndodhi në vitin 1997.

Çfarë do të thotë të jesh gjithmonë në krah të atij që denoncon si në gazetari apo dhe politikë?

E rrezikshme. Por profesioni i gazetarit e ka të nevojshme dhe nëse don të jesh njeri publik e kurajoz, duhet të marrësh parasysh edhe rrezikun.

Një pyetje hipotetike, nëse një ditë nuk do të zgjidheshit deputet, por ndërkohë nuk do të merreshit as me mediat, cila do të ishte alternativa rezervë e Nikollë Lesit?

Vetëm me media !

Kalojmë tek disa pyetje private, në këto 19 vite aktivitet intensiv keni qenë aq i aftë sa punën tuaj ta konvertoni kënaqshëm në para?

Natyrisht që i kam shitur mediat e mia, pasi janë djersa e puna ime pothuaj 20 vjeçare. Është korrekte që ato bëjnë lekë apo jo, por më mirë që i shita, pasi doja të shijoja nja dy apo tre vite qetësi. Tani po bëhen ato vite dhe po rimendoj hyrjen në treg me sulm frontal që do të thotë me dosje të plota e skandaloze si dhe kurajon të cilën e kam me shumicë .

Ndërkohë miqtë tuaj rrëfejnë se ju jeni dhe shumë bujar dhe shpesh nuk lini asnjë të fusi dorën në xhep. Por kur tek xhepi nuk gjeni më asnjë lek si ia bëni?

Ah ! Kam ndihmuar me shumë shpirt gjithkënd që kishte nevojë për mua. Natyrisht brenda mundësive. Nuk jam penduar ndonëse nja dy apo tre prej tyre janë treguar mosmirënjohës. Megjithatë Zoti sheh! Parrulla ime me humor mbetet “As nuk kam e as nuk më mbarohen!”

Po familja juaj çfarë jete bën? Meqë ra fjala vijoni t’i bëni fundjavat në Mal të Zi edhe në dimër?

Në vitet e para të punës në gazetë, nuk kisha mundësi t’i kushtoja kohën e duhur familjes. Tani kam me tepër kohë, pasi familja është zemreku i orës time. Kam dy djem të mrekullueshëm. Njëri në shkollë në Angli dhe tjetri këtu në Tiranë. Me bashkëshorten time, Natalinë po bëjmë maksimumin për djemtë. Ndërsa për atë që thuhet për në Mal të Zi, është kthyer në humor pasi kur nuk dua t’i pergjigjem ndonjërit që më bezdis shumë, i them: “Jam në Budva!” Ç’të bësh! Na i mësoi jeta edhe këto!

Bashkëshortja juaj mendon që ka pasur fat me një bashkëshort si ju apo shpesh iu ngacmon duke rrëfyer se një sipërmarrës i mirëfilltë mund të kishte qenë zgjedhja e përkryer për kushtet shqiptare?

Natalina më ka marrë sepse më donte dhe nuk do t’ia dijë për të tjerat. Pastaj a nuk jam edhe unë paksa sipërmarrës tani?! Nuk jam pa lekë, pasi bashkë me bashkëshorten i kemi bërë, porse gjithçka e kemi vënë në funksion të shkollimit të fëmijëve.

Së fundi diçka nga planet tuaja për vitin 2009, por jo vetëm në politikë...

Kam fushatën elektorale para, ndërsa në korrik do të mundohemi me Natalinë t’i çojmë djemtë për pushime në Spanjë, në ishujt Grand Canarie ku kanë dhe tezen e tyre të martuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama