Z. ambasador, si mendoni do të jetë dita e parë për Presidentin Obama?
Mendoj që do të jetë jashtëzakonisht emocionuese si për Presidentin, ashtu edhe për popullin e SHBA. Sapo u ktheva nga Uashingtoni dy ditë më parë dhe atmosfera atje është absolutisht e pabesueshme. Njerëzit janë shumë të emocionuar për zgjedhjen e Presidentit Obama, shumë të emocionuar për rëndësinë që kanë këto zgjedhje për historinë e vendit tonë dhe kushdo ka dëshirën të jetë aty. Edhe dje, kur kryheshin disa prej veprimtarive paraprake dhe koncerti, e gjithë pjesa qendrore e Uashingtonit që quhet Moll, ishte e tejmbushur me njerëz. Kam shumë e shumë miq të mi që po diskutonin dhe më thanë që do ishin aty; nuk e dinë si do të arrijnë aty, sepse do ketë shumë njerëz nëpër metro e autobusë… por të gjithë e shohin si një pikë kthese në histori dhe duan që të jenë aty. Mënyra si do ta shprehja unë është që përurimi i një Presidenti të SHBA ndodh një herë në katër vjet; përurimi i këtij Presidenti, i Presidentit të parë afro-amerikan, ndodh një herë në katërqind vjet. Kaq e veçantë është.
Emocionet e ditës së përurimit do të kalojnë. Cila mendoni do jetë sfida e parë madhore me të cilën do të përballet Obama?
Sfida e parë do të jetë afërmendsh ekonomia. Mendoj që rifunksionimi i ekonomisë, gjetja e vendeve të punës, rindërtimi i të gjithë infrastrukturës së SHBA. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme që ai do të duhet t\'i ndërmarrë menjëherë. Por, mendoj që ai ka një vizion të madh për botën dhe me këtë mendoj që ai do të fillojë të rivendosë, zhvillojë dhe përforcojë pozitën e Amerikës në botë. Ka fusha në të cilat amerikanët, për të qenë i sinqertë, nuk kanë popullaritetin që kanë pasur dikur. Ka pasur tensione me aleatë të vjetër dhe ai do që ta ndryshojë të gjithë këtë. Ai do që të ndërtojë një strukturë bazuar mbi komunikimin, diplomacinë, shkëmbimin e lirë të ideve dhe mendoj që në themel të gjithë kësaj, në themel të vizionit të tij është një fjalë që ne e përdorim shumë shpesh, por që është absolutisht në zemrën e tij si President dhe si qenie njerëzore dhe kjo fjalë është demokraci. Për Obamën, demokracia është ajo që e krijoi. Në fjalimet e tij, të cilat janë shumë elokuente, ai ka folur se si Amerika, sipas pikëpamjes së tij, është pikërisht vendi për të, një person që ka një baba që ka qenë student i huaj nga Afrika, një nënë amerikane të bardhë, është vendi për mundësi të pakufizuara. Kjo është ajo që po provohet sot. Përsëris që duhet të kuptoni emocionet e fuqishme që janë çliruar në SHBA dhe nga kushdo. Është një koalicion ylberi për nga ngjyrat. Është një koalicion racash, fesh, gjithçkaje, njerëzish të moshuar e të rinj, të bardhë e zezakë, homoseksualë ose jo, të gjithë janë pjesë e këtij bashkimi. Ndoshta, nëse jeni të interesuar, një prej simboleve më të pabesueshme dhe të fuqishme që do të ndodhë sot është që ky burrë do të qëndrojë në shkallët e ndërtesës së Kongresit dhe do të bëjë betimin për postin më të fuqishëm në Amerikë, e ndoshta në botë, në shkallët e një ndërtese të ndërtuar nga skllevërit. Demokracia është motori i madh i ndryshimit. Demokracia është motor i mundësive jo vetëm për Amerikën, por kudo. Dhe pikërisht për këtë mendoj që Obama ka fituar kaq popullaritet, jo vetëm për amerikanët, jo vetëm krenari të madhe për afro-amerikanët si unë, por anembanë botës. Emocionet që ky burrë ka gjeneruar anembanë botës, për shkak të asaj që ai do të bëjë pikërisht sot, tregon që ka shpresë, që ne thjesht na duhet kurajo për të besuar tek shpresa. Kjo është e vërtetë kudo, edhe këtu në Shqipëri.
Folët mbi popullaritetin e Amerikës. SHBA gëzojnë popullaritet të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Mendoni që në vitet e presidencës Obama, politikat e SHBA-së ndaj rajonit në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti do të ndryshojnë?
Shpresoj që gjërat do të ndryshojnë. Dhe shpresoj shumë që ky ndryshim të jetë për mirë. Keni të drejtë, Shqipëria është një prej vendeve ku lidhja mes popullit amerikan dhe popullit këtu është shumë e fortë. Por, le ta bëjmë më të fortë, le ta bëjmë më të mirë; le të nxjerrim pikërisht ato mësime që Shqipëria ka marrë nga tradita e saj e pasur dhe amerikanët të nxjerrin mësimet nga gjërat që ne amerikanët kemi mësuar. Më lejoni t\'ju rrëfej një histori personale. Kur u emërova nga Presidenti Bush për këtë post, ambasador në Shqipëri, Senati duhet të bëjë konfirmimin. Kryetari i panelit të senatit për konfirmimin tim ishte pikërisht Barak Obama. Ishim pesë vetë që po shqyrtoheshim, që po pyeteshim atë ditë, dhe ngaqë respektohej radha alfabetike e vendeve, unë isha i pari. Ai bëri pyetje shumë të mirinformuara mbi Shqipërinë. Më pas, pasi konfirmimi kish përfunduar, tradita është që ne i afrohemi kryetarit të komisionit dhe i shprehim mirënjohjen për kohën dhe shqyrtimin dhe kështu pata pak minuta për të folur me Senatorin e atëhershëm, që tani është President. Ishte shumë e qartë që kishte dije për Shqipërinë dhe rajonin. Ambasadorët e tjerë që po konfirmoheshin për të shkuar në Bosnje, Malin e Zi, Serbi, dhe ishte e qartë që ai kishte dije për rajonin dhe mendoj që kjo është shumë e rëndësishme, ky lloj familjariteti bazë. Presidenti do të ketë shumë gjëra në mend, Rusinë, Lindjen e Mesme, Kinën, Indinë, terrorizmin, luftërat në Afganistan dhe Irak, pra nuk do të jetë në gjendje t\'i kushtojë vëmendje konstante një çështjeje të vetme. Por, fakti që duket se ka një lloj dijeje mendoj është shumë i rëndësishëm.
Cilat ishin arsyet që e bënë Obamën aq popullor në mbarë botën? Siç e dimë miliona njerëz do ta ndjekin përurimin drejtpërdrejt në Uashington sot dhe shumë e shumë të tjerë në televizion.
Mendoj që duhet të shohim filozofinë e tij politike, që mendoj është një mesazh i vërtetë frymëzimi. Është një mesazh që ne të jemi në gjendje të ngrihemi më lart, të heqim të gjitha barrat dhe të kemi horizonte të pamata që nuk janë fantazi apo ëndërr, por gjëra që mund t\'i shndërrojmë në realitet. Do doja t\'ju lexoj citimin tim të preferuar nga fjalët e Obamës, fjalë që mendoj e rrokën këtë energji, këtë shpirt rinor, këtë entuziazëm, që karizma e tij e lejon ta shpërndajë kudo dhe të na infektojë të gjithëve. Ja se ç\'tha, jo shumë kohë më parë. Po fliste për zgjedhjet dhe tha: "Ky është shansi ynë për t\'iu përgjigjur thirrjes. Ky është çasti ynë. Kjo është koha jonë për t\'i kthyer njerëzit në punë dhe për të hapur dyert e mundësive për fëmijët tanë; për të rivendosur begatinë dhe për të ripërtëritur kauzën e paqes; për të rifituar ëndrrën amerikane dhe konfirmuar atë të vërtetë themelore që, nga shumë ne jemi një; për sa kohë marrim frymë, shpresojmë; dhe që ku përballemi me cinizëm dhe dyshim dhe ata që na thonë se nuk mundemi, të mund të përgjigjemi me atë kredo që nuk njeh kohë që përmbledh frymën e popullit: Po, Ne Mundemi". Këtë mendoj se na ka dhënë të gjithëve ne.
Gazeta: Panorama











