Greta Koci Menaxherit i kerkohet kompromis te anuloje koncertin e Shen Valentinit

Greta Koçi: Menaxherit i kërkohet kompromis të anulojë koncertin e Shën Valentinit
Sapo ke nxjerrë në treg albumin tënd të dytë. Sa ke punuar për të dhe diçka rreth përmbajtjes së tij?

Kam punuar gjatë, madje edhe gjatë kohës që kam qenë e zënë me koncerte apo me aktivitete të ndryshme paralelisht. Është albumi im i dytë dhe jam e kënaqur që e kam realizuar atë në mënyrën më të mirë. Kam pasur bashkëpunime me kompozitorë të mirënjohur si p.sh: Gramoz Kodheli, Genti Lako, Gëzim Neri, ky i fundit ka kompozuar këngën “Do të më shajë nëna”, kënga kryesuese e albumit. Në album janë të përfshira edhe një përmbledhje e këngëve të njohura, siç është p.sh: kënga fituese në “Top Fest”, “Eja zemër”, “Kolazhi i jugut”, kënga fituese e Mikrofonit të Artë. Janë disa këngë që nuk pata mundësi t’i përmbledh tek albumi i parë. Produksioni i përket ‘Supersonic’.

Sa klipe përmban albumi?

Albumi ka dalë në periudhën e Krishtlindjes dhe përmban dy videoklipe. Klipi i parë është i këngës që ka marrë dhe emrin albumi, ndërsa klipi tjetër është i këngës: “Kush të foli keq për mu”. Çdo fundvit e kam si për traditë që të bëj ndonjë këngë popullore dhe kjo ishte kënga që zgjodha nga zona e jugut.

Po punon me ndonjë këngë momentalisht?

Po merrem me një baladë, e cila sapo ka përfunduar. Tani jam duke realizuar klipin. Dëshiroj që këtë këngë ta lançoj për Shën Valentin. Është një baladë dashurie dhe titullohet “Nuk ta kam thënë”.

Ku i kaluat festat e fundvitit?

Për festa isha në Athinë. Kam pasur një publik shumë të madh dhe të mrekullueshëm. Më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë e kënaqur për këtë.

Keni qenë në shumë koncerte. Cili publik iu ka pëlqyer më shumë?

Pa mëdyshje, ai i Athinës. Kalova vërtet shumë mirë.

Prej disa javësh edhe motra juaj ka lançuar këngën e saj. Si ndihesh tani që edhe ajo hyn në elitën e këngëtarëve?

Shumë e lumtur. Ku ka më mirë sesa të kesh motrën këngëtare. Më vjen mirë, sepse e kam ndihmuar dhe kam dhënë një kontribut të madh në paraqitjen e parë të saj. Momentalisht, Eni po realizon një këngë tjetër e cila do të regjistrohet këto ditë.

Kaloni shumë kohë bashkë?

Ditët e javës jemi gjatë gjithë kohës bashkë, pas shkolle. Kemi dhomën tonë dhe aty kemi çdo gjë që na nevojitet. Jemi si në një shtëpi brenda shtëpie. Jemi shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe punojmë shumë. Ku e ku të shohim sa më shumë muzikë e të dëgjojmë sa më shumë këngë të reja që dalin.

Në një prej programeve më të ndjekura në TV, në emisionin “E diell”, Irma Libohova është shprehur me notat më superlative për ty. Si ndiheni teksa merrni këtë vlerësim prej saj?

Në fakt, kur e kam marrë vesh që më ka vlerësuar shumë pozitivisht, kam fluturuar. Kam qenë shtrirë, se po pushoja. Jam kënaqur shumë, sepse ishte një vlerësim shumë i madh. Njësoj si të kem fituar disa festivale. E them këtë, sepse ajo është një këngëtare profesioniste e vjetër dhe e adhuruar nga disa breza.

Pak kohë na ndan nga dita e Shën Valentinit. Ku do të jeni e ftuar për të kënduar?

Jam ftuar të këndoj në Athinë.

Sipas disa burimeve, në Greqi organizatorët e disa koncerteve të tjera nuk e duan prezencën tënde në vendin ku je ftuar, ndoshta për shkak të frikës së dështimit. Keni informacion sa vërtetësi ka mbi këtë?

Di që do të jenë 4-5 koncerte në Athinë me këngëtarë të ndryshëm. Në fakt me menaxhimin tim nuk merrem unë, por kam dëgjuar që menaxherit tim i është thënë: Mos na e sillni Gretën në Athinë se na prishni punë. Na falimentuat koncertin. I kanë kërkuar që ta anulojë koncertin. Unë di të them vetëm diçka. Unë këndoj për publikun tim. Atje ku unë shkel, më presin në mënyrë të mrekullueshme. Gjithsesi, unë uroj që edhe pse do jenë shumë këngëtarë të tjerë, t’u shkojë të gjithëve mirë.


Bluetooth

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama