D&G Meshkujt? Do t‘i bejme te na luten ne gjunje

D&G: Meshkujt? Do t‘i bëjmë të na luten në gjunjë
Ashtu siç ka ndodhur për 20 vite me radhë, flasin së bashku, njëri e fillon bisedën, ndërsa tjetri e përfundon. Biseda nis nga tema e stinës, që është moda e meshkujve. "Përbën 50 për qind të markës. Është bërë po aq e rëndësishme sa ajo femërore, kjo sepse meshkujt kanë ndryshuar shumë, sot janë më të lirë, nuk kanë frikë se mund të gjykohen nga të tjerët. Hyjnë nëpër dyqane dhe zgjedhin gjithçka vetë, pa pasur nevojë për këshilla. Tashmë nuk mendohet më si dikur që palltot me pelush ishin për homoseksualët dhe njerëzit ekstravagantë. Ato që i kanë zhveshur nga kjo vlerë janë veshjet sportive, kostumet e futbollistëve. I pari që solli këtë tendencë ishte David Beckham, i cili përdorte të gjitha ngjyrat dhe një model flokësh ndryshe... Më pas, me radhë, erdhën të tjerët. Ne kemi veshur skuadrën e Milanit. Sporti na ka pëlqyer gjithmonë. Unë merrem me palestër, më është dashur të heq dorë nga boksi sepse duart m‘u sëmurën, por tani do ta nis sërish. Domenico është i fiksuar pas futbollit dhe Formulës 1", tregon Stefano.


Si i plotësoni dëshirat e klientëve?

Na pëlqen ta jetojmë jetën dhe jemi kureshtarë. Shohim gjithçka dhe të gjithë, çdo detaj na jep shtysë dhe ide. Nuk rrimë mbyllur në guaskën tonë, dalim, shohim të rinjtë nëpër lokale e bare. Njësoj siç bënim 24 vjet më parë kur nisëm punën tonë.


Mendoni se firmat italiane nuk janë dhe aq konkurruese?

Jo, nuk është e vërtetë, sepse në Itali kemi emra të mëdhenj si Armani, Prada... Jemi më të fortët. Në Francë është vetëm "Vuitton" që shet shumë, por vetëm me produktet e lëkurës.


Të prodhosh në Itali është një faktor i rëndësishëm?

Nëse diçka është e bërë mirë dhe na pëlqen, e blejmë, nuk ka rëndësi nëse vjen nga Kina, Rusia ose India. Natyrisht që malli i prodhuar në Itali mbetet numri një.


A nuk ndiheni në faj në këtë moment krize që prodhoni artikuj luksozë shumë të shtrenjtë?

Jo. Ne punojmë në sensin estetik, duhet të ofrojmë një ëndërr. Krijimtaria kushton. Për t‘u dalluar nga të tjerët duhet të bëjmë gjëra që nuk mund të kopjohen lehtë, që për pasojë janë edhe më të shtrenjta. Ky lloj malli që tregtohet nuk është për të gjithë. Historia jonë lidhet me një lloj të caktuar veshjesh, nuk jemi të aftë të propozojmë një tjetër. Për shembull, për momentin po qepim disa xhupa me lëkurë krokodili që kushtojnë 30 mijë euro. Ka njerëz që i porosisin, janë pothuajse 30 persona. Kjo është më mirë se sa të shesësh një bluzë 15-20 euro.


Shpesh reklamat tuaja ngjallin debate, për shembull ajo që dukej sikur po nxiste një përdhunim është ndaluar në Spanjë. Pse përdorni një gjuhë kaq të fortë në komunikim?

E keqja qëndron në sytë e atyre që e shohin. Në vitin 1987, reklama jonë e reçipetave u kritikua, madje u fol edhe për rregulloren "Merlin"... Ne e kishim krijuar atë veshje me shumë pafajësi, duke sjellë ndërmend korsetë e nënave tona. Reklama tjetër që do të dalë këto ditë paraqet disa meshkuj që janë ulur në gjunjë duke u lutur. Fotografi është përpjekur që të shprehë përmes fotos thelbin e koleksionit tonë barok. Natyrisht që disa do të thonë se po ofendojmë fenë, ndërsa për të tjerë mund të lexohet si një rikthim te vlerat dhe këto kohë, njerëzit kanë shumë nevojë për to.


Kohët e fundit, keni botuar disa libra të rëndësishëm, mos vallë është një mënyrë për ta bërë të pavdekshme modën tuaj?

Po, më shumë sesa të bëhemi të famshëm - që s‘do mend që jemi - ajo për të cilën përpiqemi më shumë është që, përmes librave me fotografi, të lëmë një shenjë të stilit tonë në historinë e modës.


Ekzistojnë ende ikona?

Janë zhdukur personazhet e referimit. Vetëm Madonna vazhdon të jetë një model për t‘u imituar, e vetmja që ka ditur të përshtasë stilin e saj gjatë evoluimit të kohërave. Edhe Victoria Beckham është një modele gjithashtu, e nuk është antipatike siç duket. E njohim prej dhjetë vjetësh, para pak ditësh po darkonim me të dhe fëmijët e saj. Nga pamja e jashtme duket shumë e ngathët, ashtu siç ngjajnë në përgjithësi të gjithë anglezët, por është vetëm e turpshme. Kjo maskë mbrojtëse bie gjatë mbrëmjeve mes miqsh, duke treguar një grua shumë të dashur.


Dolce & Gabbana, një çift në punë, por jo më në jetë. Si keni arritur të mbani një lidhje të ndërlikuar dhe miqësi kaq të fortë?

Kur mori fund lidhja jonë sentimentale, ka pasur çaste të vështira, ashtu siç u ndodh të gjithëve në këto raste. Më pas, arritëm një ekuilibër. Ishte një moment kur të dy nuk binim më dakord me njëri-tjetrin. Gjërat tashmë kanë ndryshuar, secili bën jetën e tij, jemi si vëllezër, madje më shumë se kaq. Vitin e ri e festuam me partnerët tanë, më pas bëmë vizita te familjet tona. Nuk mund të jetojmë të ndarë.


Ziheni ndonjëherë?

Pak, si zakonisht. Marrëdhënia në nivelin personal nuk ka ndryshuar kurrë. Qëllon që të zihemi për një fund ose një palë pantallona. Domenico më mban inat, mua më kalon më shpejt, i këpus një të qeshur dhe harroj gjithçka.

Ëndrra juaj e përhershme ka qenë që të keni një fëmijë, apo jo?

Po, në fillim ishte vetëm një dëshirë e imja, por tani është edhe për Domenico. Për këtë do të flasim kur të jetë çasti, jo tani.


Vazhdojnë t‘ju quajnë "stilistë të rinj", edhe pse tani jeni rritur. Mos vallë kjo ndodh për arsye se në Itali ka shumë stilistë të moshuar dhe se fillojnë të qahen kur vjen momenti për t‘u tërhequr?

Nuk ka lidhje mosha, është një çështje mentaliteti, sepse herët ose vonë do të tërhiqesh. Nuk e mendojmë pleqërinë pa punë, por është e udhës që t‘ia lëmë trashëgiminë tonë dikujt që është më i ri se ne, ndoshta duke e ndihmuar pas kuintave. Talente të reja ka pafund, por mos na pyesni se kujt do t‘ia lëmë pasurinë, sepse është ende herët.


Cilat janë hobet tuaja?

Kemi shumë miq. Mua më pëlqen të luaj me letra, të udhëtoj dhe të bëj ski. Një tjetër pasion i imi, që nuk ia kam treguar askujt, është piktura. Pikturoj flutura, lule, zemra... disa prej tyre i mbaj, të tjerat i dhuroj. Domenico është i sëmurë pas punës. Gjithashtu i pëlqen të lexojë romane, qofshin policeskë ose libra mode.


Çfarë mendoni për Obaman?

Nuk e njohim aq sa duhet për të dhënë një opinion!


Ju keni thënë se moda është më shumë se modë, çfarë e ka zëvendësuar?

Udhëtimet, dija, kultura. Gjithsesi moda do të "rikthehet në vetvete" së shpejti. Ky mbetet një argument me shumë interes për jetën, ndërkohë që ne vazhdojmë të ecim përpara.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama