Disa hetues të tjerë do të deklaronin se avokatja do të thirrej ditën e premte në orët e paradites. Pra, një skenar i mirëmenduar pas gjithë këtij dizinformimi po luhej nga hetuesit e çështjes. Sipas burimeve konfidenciale nga prokuroria, mësohet se Flutura Kola, ka pranuar të dëshmojë me një kusht: të mos filmohej duke hyrë dhe dalë nga organi i akuzës. Kushti është plotësuar nga grupi hetimor, të cilët pranuan lojën e dëshmitares, duke publikuar në media, ditë dhe orare të ndryshme për thirrjen e saj. Dje më në fund, grupi hetimor ka pranuar të bashkëpunojë zyrtarisht rreth disa elementëve të dëshmisë së Flutura Kolës për organin e akuzës. Dëshmia e fshehtë Ditën e enjte, rreth orës 19:00, avokatja është paraqitur në sportelin e akuzës së Tiranës, nga ku është ngjitur në zyrën e prokurorit të çështjes, Besnik Cani.
Gjatë dëshmisë 120 minutëshe, Kola ka dhënë të gjitha detajet e shitjes së kompanisë "Crown Acquisitions", duke përjashtuar veten nga kjo aferë, madje ka mohuar në mënyrë kategorike të gjitha pretendimet e hetuesve. Por ka pranuar zyrtarisht se ka vepruar në emër të klientit të tij, Damir Fazliç. "Kam qenë e autorizuar nga klienti im për të përfaqësuar atë ligjërisht në Shqipëri. Kam kryer të gjitha procedurat në emrin e tij", mësohet se ka deklaruar avokatja, duke rrëfyer edhe transaksionin bankar prej 1.7 milionë eurosh. Prokuroria thotë se ka dyshime se avokatja Flutura Kola ka tërhequr të gjithë shumën e shitjes së kompanisë së Damir Fazliç "Crown Acquisitions". Shuma në euro dyshohet se ka shkuar në "xhepat" e Kolës, për të cilën nuk dihet ende ku i ka "dorëzuar", megjithëse dëshmoi dje në prokurori. Hetuesit thanë se paratë janë tërhequr për një muaj, me këste, duke tërhequr dhe vëmendjen e zyrtarëve të bankës.
Por asnjë detaj nuk është bërë publik. Avokatja, sipas të dhënave në gjykatë, ka qenë për disa muaj ortake me vajzën e Kryeministrit, Argita Malltezin. Ajo, pas tërheqjes së shumës, të paktën në rrugë bankare, nuk ka bërë asnjë transfertë në drejtim të Damir Fazliç. Hetimet Akuzat e ngritura kundër mikut, (tashmë i deklaruar publikisht) të Kryeministrit, Damir Fazliç, e kanë detyruar Prokurorinë shqiptare që të verifikojë të gjitha transaksionet e kryera në emrin e tij, në bankat e nivelit të dytë në vend. Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, prokurorët e çështjes, Besnik Cani dhe Dritan Rreshka, u kanë kërkuar të gjitha filialeve të bankave në Shqipëri të verifikojnë në listën e klientëve të tyre emrin e Damir Fazliç dhe punonjësve të tij, që nga viti 2005 e në vazhdim.
"Me fillimin e hetimeve kryesisht është kërkuar zyrtarisht nga të gjitha filialet e bankave në Shqipëri që të paraqesin pranë organit të akuzës çdo të dhënë apo veprim të kryer me emrin e shtetasit anglez me kombësi serbo- boshnjake, apo administratorit të tij, Erion Isufi. Ky verifikim kryhet pas dyshimeve se aktshitja e përpiluar nga avokatja Flutura Kola dhe vetë Fazliç për kalimin e kompanisë ‘Crown Aquisitions‘ te kompania mëmë në Qipro, ka mundësuar pastrimin e parave", mësohet nga burimet e mësipërme. Pas kërkesës kanë mbërritur informacionet e para, ku rezulton se shuma totale e shitjes së kompanisë është tërhequr kesh nga avokatja Flutura Kola.
Gazeta: Shqip











