Prokuroria mbyll hetimet dergon Bashen per gjykim

Prokuroria mbyll hetimet, dërgon Bashën për gjykim
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar dje pasdite në Gjykatën e Lartë dosjen hetimore për rrugën Durrës-Kukës. 10 orë pasi të mbaronte afati i hetimit, akuza ka vepruar në mënyrë për përshpejtuar, duke dorëzuar në konspiracion të plotë dosjen dhe duke zgjidhur kështu të gjitha procedurave. Do të jetë shkalla më e lartë e gjyqësorit që do të vendosë për fatin e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, i pari ish-ministër i Transporteve dhe i dyti ish-drejtor juridik në këtë ministri kur është firmosur dokumenti që i ka hapur rrugën ndërtimit të rrugës patriotike. Dy zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre dhe favorizim në tender. Ndërkohë, dje ministri aktual i Jashtëm refuzoi institucionet kushtetuese të shtetit shqiptar, duke injoruar për të disatën herë Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do t‘i njoftonte mbarimin e hetimeve për abuzimet e rrugës Durrës-Kukës, ku është marrë i pandehur.

Dje prokurori i çështjes, Arben Kraja, kishte ftuar mbrojtësin ligjor të Bashës në prokurori për t‘u njohur me aktet e dosjes, por avokati Zef Nikaj nuk ka firmosur asnjë shkresë, me pretendimin se procedura e organit qendror të akuzës është e pavlefshme. Ai ka depozituar një memorie ku i bën me dije prokurorit se veprimi i tij është në kundërshtim total me ligjin. Ai nuk ka pranuar që klienti i tij ka statusin e të pandehurit. Sipas avokatit, ish-ministri i Transporteve, ka statusin e personit nën hetim. Nëse avokati Nikaj nuk do të paraqitej, atëherë prokurorisë do t‘i duhej të caktonte një avokat nga shteti dhe ta dërgonte Bashën në Gjykatën e Lartë si të pandehur në mungesë.

Shkeljet e rrugës

Prokuroria e Përgjithshme ka përcaktuar pas përfundimit të hetimeve se rruga Durrës-Kukës ka marrë 70% më shumë lekë nga buxheti i shtetit më shumë nga sa ishte parashikuar në fillim. Nga hetimet ka rezultuar se një nga shkeljet është se: "Çmimi i kësaj rruge prej 418.333.986 eurosh është një çmim i synuar dhe jo çmim përfundimtar. Çmimi fillestar i synuar në momentin e lidhjes së kontratës ishte 418.333.986 euro, pas mbarimit të projekt-idesë çmimi është rritur në masën mbi 70 për qind të çmimit fillestar dhe ky çmim vazhdon të rritet dhe nuk dihet saktësisht se sa do të shkojë ai deri në fund të hartimit të projektit përfundimtar".

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm saktësoi se deri tani një fakt është i qartë, që çmimi i rrugës vazhdon të rritet që nga momenti i lidhjes së kontratës dhe nuk dihet se sa do të shkojë. Ndër 19 shkeljet e Bashës dhe Tomës prokuroria ka renditur se projekti përfundimtar i zbatimit nuk ka përfunduar. Ndërsa në projektin përfundimtar mungon oponenca teknike. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i shkruan Lulzim Bashës me postë se dyshohet se një ndër shkeljet e rrugës Durrës-Kukës është fakti se megjithëse kontrata është lidhur, miratuar më pas me VKM dhe ka filluar përmbushja e detyrimeve të kontratës pa pasur mbikëqyrësin e punimeve, rezulton se tenderi për përzgjedhjen e supervizorit të punimeve të rrugës Rrëshen-Kalimash ende nuk ishte hapur në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.

S‘ka fond limit

Ndërkohë, mësohet se gjithmonë, kur bëhet një tender, ka një fond limit. "Mungesa e fondit limit lidhet me faktin e mungesës së projektit përfundimtar të zbatimit", tha dje prokuroria, duke saktësuar se Ministria e Transporteve i ka dhënë firmës që do të ndërtonte rrugën një paradhënie më të madhe nga sa parashikohet në ligjet shqiptare. Në lidhje me zbatimin e kontratës, prokuroria saktëson se në asnjë rast nuk mund të zbatohen dhe të kenë efekt në Shqipëri ligjet ose dispozitat e tjera të një shteti të huaj. Mësohet se shkelje tjetër është dhe fakti se një pjesë e dokumenteve të paraqitura për pagesë, si dhe të dokumentacionit në përgjithësi janë në gjuhën angleze, çka përbën një shkelje të ligjit për prokurimet publike.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm sqaron se procedura e prokurimit për rrugën Durrës-Kukës gjatë tenderit nuk është zbatuar asnjë ligj ose rregull, qoftë kombëtar ose ndërkombëtar, thjesht është dhënë vlerësimi për disa firma konkurruese dhe vetëm kaq. Për ndërtimin e rrugës nuk rezulton se është marrë ndonjë leje mjedisore dhe gjeologjike, çka përbën një shkelje të ligjit.

Vendimet e gabuara të qeverisë

"Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 kanë legjitimuar një gjendje të tillë paligjshmërie me pasoja të rënda financiare ekonomike për buxhetin e shtetit, këto vendime nuk bazohen në Kushtetutë dhe ligje, nuk kanë asnjë bazë ligjore, janë nxjerrë në kapërcim të kompetencave ligjore që ka Këshilli i Ministrave dhe janë në kundërshtim flagrant me ligjin (absolutisht të pavlefshëm). Kushtetuta në nenin 100 të saj parashikon: Neni 100/ 4. Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues.

Në këtë rast konstatojmë se nuk kemi ndonjë arsye emergjente të shtetit shqiptar apo cenohet siguria kombëtare, apo vendi rrezikohet nga ndonjë sulm i jashtëm dhe ka emergjencë në ndërtimin e rrugës (forcë madhore), nuk ka asnjë shkak të ligjshëm, ku bazohet detyrimi i ngarkuar nga VKM nr. 651 datë 27.09.2006, në disfavor të Republikës së Shqipërisë" thuhet në dosjen e prokurorisë. Sipas saj, shkelje tjetër është fakti se për VKM nr. 460, 481, 526 dhe 651 të vitit 2006 ka pasur vërejtje dhe kundërshtime nga Ministria e Financës, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Prokurimit Publik, të cilat nuk janë marrë fare në konsideratë nga Ministria e Transporteve. "Shkelje tjetër është fakti se, në momentin që anëtari shqiptar i Komisionit të Vlerësimit të Tenderit, Niko Naska, ka dhënë dorëheqjen për mosnjohjen e gjuhës së huaj, duhej që tenderi të ndërpritej dhe të mos vazhdonte më.

Ministri Basha ka qenë në dijeni të faktit të dorëheqjes së Niko Naskës si anëtar i tenderit, pasi Niko Naska ia ka paraqitur vetë personalisht atij dorëheqjen. Ministri gjithashtu ka pasur dijeni për tenderin ndërkombëtar që po zhvillohej, pasi dhe ai vetë ka qenë pjesëmarrës në çeljen e tenderit", thuhet në aktakuzën kundër ish-ministrit të Transporteve. Shkelja e radhës është edhe kufizimi i sipërmarrësit nga detyrimet tatimore, ndërsa ka rezultuar se çmimet për njësi janë më të larta se çmimi i tregut shqiptar.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama