Rikthimi i madh i Sofia Lorenit

Rikthimi i madh i Sofia Lorenit
Kjo është Sofia Loren, aktorja e madhe, diva ndërkombëtare, gruaja sekrete, nëna krenare e dy fëmijëve të suksesshëm. Këtë herë, Loren është protagonistja e filmit "Nine", marrë nga "musical"-i i Frederiko Felinit "Tetë e gjysmë", i cili u shfaq në skenë në vitin 1982. "Po jetoj një përvojë shumë të bukur, kinemaja është ndërtuar kështu, në çdo film të duket sikur je në një familje të re. Kjo më duket shumë e harmonishme. Regjisori Bob Marshall është një njeri për t‘u adhuruar. Personalisht, të marr pjesë në një ‘musical‘ është një përvojë e re, kjo më mallëngjen. Gjëja më e bukur është se këndoj, madje një këngë që më pëlqen shumë ‘Shih hënën‘".

Në rolin e Marçelo Mastroianit, regjisori ka zgjedhur Daniel Dej-

Lius. Sofia është muza e kujtimeve të tij kur ai ishte adoleshent, gruaja e bukur dhe e pazëvendësueshme, asnjë femër nuk është në lartësinë e saj; është gruaja, e dashura, muza, aktorja që të gjithë meshkujt e ëndërrojnë dhe do ta dëshironin në krah. Duke e krahasuar me aktoret e tjera të Hollivudit, për shembull Penélop Kruz, Nikol Kidman, Sharon Ston, etj., që janë shumë të talentuara e të bukura, asnjëra prej tyre nuk ka sharmin dhe feminilitetin e Sofias. Ndoshta nuk do të arrijnë kurrë të jenë një mit siç ka qenë gjithmonë ajo, një yll i njohur në të gjithë botën, me një karrierë të gjatë artistike, pothuajse 70 vjet në kinema, personazh i shumë filmave, një grua që edhe pse nuk ka sekrete për të fshehur, mbart në vetvete mister.

"Fjala ‘aksion‘ më çliron, jam shumë natyrshme, frika dhe emocionet zhduken si me magji, me pak fjalë harroj gjithçka", thotë Sofia. Kjo është edhe një nga thëniet që është përdorur në librin fotografik të Sofia Loren, fotografi nga e gjithë jeta. Një jetë e treguar përmes objektivit të aparatit, nga pamja e jashtme, i cili nuk e prek xhelozinë e saj, ndjenjat, misterin, që asnjë intervistë apo biografi nuk ka arritur t‘ia shfaqë.

Edhe pse është rreth të 75-ve, Sofia vazhdon të punojë intensivisht: dy vite më parë, në prill të 2006-ës, bashkëpunoi me një ekspozitë të madhe në Romë, e cila e bëri edhe më të famshëm imazhin e saj. "Për tre muaj, kam rrëmuar në të gjithë shtëpinë, duke lundruar në një lumë të gjatë kujtimesh, të bukura e të shëmtuara dhe mblodha gjithçka, veshje, fotografi, kopertina gazetash e revistash, çmime pafund. Çfarë jete kam jetuar! Kam pasur gjithçka. Mund të them me plot gojën se kam pasur një jetë plotësisht të realizuar", kujton aktorja.

Në tetor të 2007-ës, në Festën e Kinemasë, në Romë, karrierës së saj iu shtua një çmim i rëndësishëm, dhe ndërsa shkelte tapetin e kuq për të marrë çmimin, pas kuintave, një turmë e madhe njerëzish duartrokisnin dhe prisnin me padurim t‘i merrnin autograf.

Historia e jetës së saj, karrierës, filmave, bukurisë vazhdon të na bëjë kureshtarë. Për të shuar "kuriozitetin" e të gjithë adhuruesve të saj, do të publikohen njëherësh dy libra. Njëri përmbledh fotografitë e saj të pashfaqura më parë, me bashkëshortin Karlo dhe dy fëmijët e vegjël, imazhe të lumturisë intime shtëpiake dhe ato si divë ndërkombëtare. Tjetri përmban të gjitha fotografitë e yllit, ato më domethënëset për Yann-Brice Dherbier, që është shprehur për të: "Edhe në kulmin e karrierës së saj, nuk e ka mbivlerësuar kurrë veten, kjo ndoshta për shkak të edukatës. Gjithmonë ka qenë e kujdesshme dhe e vetëdijshme se gjithçka mund të shembej nga çasti në çast: një gjendje shpirtërore që shpjegon energjinë dhe teknikën e çdo hapi të jetës së saj".

"Libri më pëlqeu shumë, sepse janë publikuar fotografi që nuk i mbaja mend. Në fakt, asnjë nuk më ka lajmëruar se po përgatitej ky libër, askush nuk më ka pyetur. Nuk është e hera e parë që më trajtojnë si një fagot, por e kam përmbajtur veten, sepse në fund më ka pëlqyer ideja e gjithë kësaj", thotë Sofia.

Në Londër, punon katër orë në javë, më pas kthehet menjëherë në Gjenevë, në atë shtëpi që për të nuk ka të krahasuar, mes mijëra fotove dhe çmimeve. Në atë zbrazëti, në atë qetësi që ka pushtuar çdo dhomë, që kur Karlo Ponti vdiq, ajo gjen çdo kujtim që e rilidh me të: një martesë që ka zgjatur më shumë se 40 vjet dhe një besnikëri e dyanshme, e cila nuk u shkel kurrë.

"Është bukur që jeta vazhdon, të dish se një pjesë e jotja nuk do të shuhet kurrë. Fatmirësisht fëmijët dhe nipërit e mi më bëjnë të harroj çdo trishtim. Të jesh gjyshe është më e këndshme sesa të jesh nënë, sepse nuk e ndjen shumë peshën e përgjegjësisë", thotë Sofia. Koha fshin atë që është kalimtare, famën, suksesin, bukurinë e divave, por nuk prek Sofian.

Të gjithë bashkohen me shprehjen që ka thënë dikur i madhi Xhanfranko Ferre: "Ajo është diva e fundit e madhe, nuk e duan se është e bukur, por sepse është e vërtetë".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama