Basha nen akuze rrezikon shtate vjet burg

Basha nën akuzë, rrezikon shtatë vjet burg
Ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, do paraqitet nesër në prokurori për t’u njohur me akuzat që janë ngritur ndaj tij. Lajmi është konfirmuar nga prokuroria, ndërkohë mbrojtësit ligjorë të Bashës thonë se prokuroria po ndërmerr një veprim politik, pasi gjykata me një vendim të para disa ditëve nuk ia lejon një gjë të tillë.

Por burime pranë prokurorisë thonë se çështja është në Apel dhe nuk është dhënë ende një vendim për hetimet, ndërkohë që për Bashën janë grumbulluar provat e nevojshme për të ngritur akuzën për shpërdorim të detyrës, duke rrezikuar kështu burgim deri në shtatë vite. Lajmi për marrjen të pandehur të Bashës, fillimisht, ka dalë nga avokati i zotit Basha, zoti Zef Nikaj, i cili iu ka dërguar mediave shqiptare një deklaratë. Hetimet rreth kësaj çështjeje kanë më shumë se një vit që kanë filluar. Së bashku me zotin Basha janë hetuar dhe disa zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, por dy prej tyre janë liruar nga akuzat.

 Ende nuk është bërë e qartë se në çfarë shumash është abuzuar, por flitet për shifrën e 230 milionë eurove, afro një e katërta e kostos së deritanishme të veprës. Ministri aktual i Transporteve ka pranuar në një intervistë të para disa kohëve se kostoja do shkojë rreth 580 milionë euro, por tashmë kjo shifër po shkon drejt dyfishimit. Po dje, Ministria e Transporteve ka reaguar në lidhje me këtë çështje duke përmendur disa rrugë të ndërtuara në rajon që janë po kaq të shtrenjta e në mos më shumë. “Në Kroaci, segmenti Krapina - Macelj pati një kosto prej 15 milionë eurosh për kilometër, në Slloveni, rruga Sentiv - Koseze kushtoi 240 milionë euro për 4.5 kilometra, pra 55 milionë euro për kilometër, në Sllovaki rruga Sverepec - Vrtizer kushtoi 300 milionë euro për 9.5 kilometra, pra 31 milionë euro për km, në Poloni seksioni autostradal S8 kushtoi 1 miliard ose 100 milionë dollarë për km, në Suedi autostrada Sodra, 6 km, kushtoi 850 milionë euro, ose 140 milionë euro për km, në Holandë, rruga Delft - Rotterdam, 7 km e gjatë ka kushtuar 700 milionë euro, pra 100 milion euro për kilometër”, - tha zëdhënësja e kësaj ministrie.

Që prej fillimit të hetimeve rreth kësaj çështjeje nga prokuroria shqiptare, ministri Basha e ka hedhur poshtë implikimin e tij në një aferë korrupsioni. Ai ka thënë se është i gatshëm të japë sqarime në prokurori. Vitin e kaluar, parlamenti hoqi imunitetin e zotit Basha, menjëherë pasi ishte shkarkuar ish-kryeprokurori, Theodhori Sollaku. PD u shpreh në atë kohë se ky ishte një vendim politik në të mirë të transparencës. Opozita shqiptare vazhdimisht e ka quajtur ndërtimin e rrugës Durrës - Morinë një aferë të pastër korrupsioni dhe e ka cilësuar zotin Basha si një nga personat më të rëndësishëm të implikuar në këtë aferë. Ende nuk është e qartë, nëse ndaj zotit Basha do të merret ndonjë masë sigurie për kryerjen e mëtejshme të hetimeve. Por, si në rastin e heqjes se imunitetit do të duhet që prokuroria t’i drejtohet parlamentit.


Gazeta: Tema

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama