Për më shumë se dy orë komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka arritur në hartimin integral të të gjithë neneve të Kodit Zgjedhor. Në mbledhjen e djeshme kanë munguar dy anëtarët Braho i LSI-së dhe Shpani i PDK-së, pasi janë në grevë urie, si dhe deputeti i PSD-së, Engjëll Bejtja. Bashkëkryetari demokrat i komisionit, socialisti Fatmir Xhafaj në prononcimin për mediat deklaroi se “ishte mbledhja përfundimtare për të kaluar tekstin integral të Kodit të ri Zgjedhor. Pasi shqyrtuam çështjet e mbetura, do i kalojmë së shpejti seancës plenare për shqyrtim dhe miratim”.
Xhafaj nuk ka bërë ndonjë koment në lidhje me grevën e urisë së 10 deputetëve, të cilët kërkojnë rishikimin e nenit për përbërjen e KQZ-së, si dhe komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta që merren me administrimin e zgjedhjeve. “Komisioni i Reformës Zgjedhore ka pasur për detyrë si qëllim të tij të përgatisë projektin që do t’i paraqesë Kuvendit.
Komisioni e konsideron të përfunduar detyrën e tij në përputhje me vendimin e Kuvendit. Kjo është ajo që mund t’ju them për sot”, deklaroi Xhafaj. Kodi Zgjedhor i ri ka në total 183 nene, për të cilën kanë punuar kryesisht ekspertët e PS-së, Damian Gjiknuri dhe i PD-së, Oerd Bylykbashi. Për Xhafajn “kodi i ri ka si risi të parë dhe kryesore sistemin. Sot kemi një sistem proporcional rajonal”.
“Së dyti, ka të bëjë me administrimin, me thjeshtëzimin e administrimit. Së treti, ka të bëjë me numërimin, një nga elementët e rëndësishëm, për shkak jo vetëm të një transparence të gjerë që siguron ky rregullim ligjor që kemi bërë, por edhe për shkak të futjes së teknologjisë në procesin e numërimit. Po kështu dhe në procesin e ankimimit, e një sërë elementesh të tjerë si financimi dhe media, të cilat e bëjnë Kodin më të thjeshtë dhe më praktik në përdorim”, deklaroi Xhafaj. Sipas tij, në këtë draft të ri është bërë e mundur “futja e disa elementëve të reja, normave të reja, që ndihmojnë në transparencën e votimit dhe ajo që është shumë e rëndësishme në eliminimin e disa dukurive negative të vërejtura në proceset e mëparshme zgjedhore”.
Fati i KQZ-së
Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji duhet të zgjedhë 7 anëtarët e rinj të KQZ-së, sipas skemës së re. Po nëntë anëtarëve të vjetër shteti i duhet t’i paguajë pagën e tyre deri në fund të mandatit. “Mandati i anëtarëve të KQZ-së të zgjedhur sipas ligjit 9087, 2003, i ndryshuar, që ju ndërpritet mandati para kohe për shkak të këtij Kodi, qëndron në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj. Anëtarit të KQZ-së që i ndërpritet mandati përfiton pagën e funksionit deri në përfundim të mandatit të tij sipas ligjit, me të cilin është zgjedhur, por jo më shumë se tre vjet”, thuhet në nenin 180 të Kodit. Anëtari i KQZ që i ndërpritet mandati kthehet në vendin e punës së mëparshme ose emërohet në një vend ekuivalent me të. Ndërsa është përcaktuar që votimi të realizohet me anën e pasaportave aktuale me jashtë shtetit, si dhe me kartat e reja të identitetit.
Malaj: Seancë me grevë urie, cinike
Aristir Lumezi
"Është cinike të zhvillosh seanca parlamentare kur deputetët janë në grevë urie". Anëtari i kryesisë socialiste Arben Malaj, tha dje në një prononcim ekskluziv për gazetën "Panorama", se nuk mund të zhvillohen seanca në Parlament kur 10 për qind e deputetëve të tij janë në grevë urie. "Aktualisht Parlamenti shqiptar ka miratime shumë të rëndësishme, siç është buxheti apo dhe Kodi Zgjedhor. Në çdo parlament përgjegjësinë për të zhvilluar një seancë normale e ka kryetarja e parlamentit. Zhvillimi i seancave me deputetë në grevë nuk është normale as nga ana etike, as njerëzore dhe as politike. Në këtë mënyrë kërkohet të ndikohet mbi grevën e urisë së deputetëve për ta injoruar atë. Pjesa politike e grevës së urisë është më e vështirë, por s\'duhet të marrin trajtën e cinizmit dhe të mospërputhjes ndaj tyre me vazhdimin e seancave. Anëtari i kryesisë socialiste komentoi dje dhe mungesën e tij në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë pak minuta para seancës parlamentare. "Nuk kam dëshiruar të shkoj në mbledhjen e grupit para seancës, pasi nuk doja të mendoja se ishin deputetët socialistë që po fyenin grevën. Shkova në seancë vetëm kur vetë përfaqësuesit e grevës deklaruan se seanca mund të vazhdojë", tha Malaj. Ish-ministri socialist i Financave e sheh vështirësinë e gjetjes së një zgjidhje politike të grevës, tek qëndrimet kategorike të palëve. "Produkti politik i grevës duhet të vijë nga një proces politik që nuk ka munguar, por ka qenë qëndrimi kategorik që nuk ka sjellë rezultat", tha Malaj. Anëtari i kryesisë socialiste hedh poshtë deklaratat e deputetëve të djathtë, që e shohin grevën e urisë së deputetëve vetëm si konflikt PS-LSI. "Nuk ka konflikt mes PS dhe LSI, siç kërkojnë ta shesin disa deputetë të Partisë Demokratike. Në grevë ka dhe deputetë të djathtë, parti e koalicionit qeveritar, prandaj çështja është më e gjerë se një marrëdhënie brenda opozitës", tha Malaj.
Olldashi
Opozita ka një ngërç shumë të madh sot, nuk është i yni është i tyri. Por atë ngërç nuk mund ta kapërcejnë duke u marrë duke u marr me probleme të tjera. Nëse duan të merrem me problemet e tyre le të merren, por s\'mund të merren me problemet e mia për të fshehur problemet e tyre.
Braçe
"Këtu është bërë një zgjedhje të cilën askush nga ne, askush nga ne, nga opozita, nuk do ta dëshironte apo ta kishte nga pikëpamja humane. Eshtë një zgjedhje të cilën e ka të drejtë ta bëjë cilido, të cilën ne ia njohim si të drejtë kushtetuese dhe sovrane kujtdo", tha Braçe.
Panorama











