Fajdet
Që pas ardhjes në pushtet, qeveria e djathtë nuk e ka pasur prioritet identifikimin e atyre aseteve të mbetura në administrim të kompanive rentiere, tashmë të falimentuara që në 1997-ën. Ka mjaftuar me ristrukturimin e Këshillit Mbikëqyrës të Fajdeve, si dhe me përllogaritjen e koeficientit, në bazë të fondit të krijuar nga shitja e aseteve, i cili, në raport me vlerën reale, paraqitet tepër modest. Aktualisht po shikohet mundësia e shpërndarjes së 10 milionë dollarëve të "Gjallicës", ndërkohë që kjo shoqëri ka të depozituar në bankat jashtë vendit shuma deri në 60 milionë dollarë. Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve e shikon me mjaft shqetësim, jo vetëm këtë çështje, por edhe të tjera, të ngjashme me të, ndërsa nga ana tjetër, qeveria po has vështirësi në gjetjen e "gjuhës" së përbashkët me palën greke, vend ku mendohet se janë të depozituara qindra milionë dollarë. Mendohet se rreth 300 mijë familje humbën kursimet e tyre në 1997-ën dhe këtë pikë, Kryeministri e cilësoi si "momentin më të vështirë, për qeverinë dhe shqiptarët". Duke folur për një moment për krizën financiare globale, Berisha tha se, "ne jemi një vend që vuajti nga një sistem mashtrues i piramidave. Në atë kohë, unë isha President i vendit dhe ne kishim një vakum total mjetesh për t‘i bllokuar ato. Unë pashë me kujdes nëse ndonjë agjenci publike ishte e përfshirë në këto skema, ashtu siç ka ndodhur në disa vende të botës, por ky nuk ishte rasti i Shqipërisë. Vendi përjetoi një eksperiencë shumë të hidhur. Ishte jonjerëzore dhe për këtë rast kërkoj falje. Por në rastin e krizës financiare aktuale, unë kam besim se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë drejt zgjidhjes".
Pronat
Një ndër çështjet që konsumoi kohën më të madhe gjatë konferencës së djeshme ishte elementi i pronës. "Nuk janë bërë shumë përmirësime, por qeveria po punon në shumë drejtime, duke nisur nga identifikimi i titujve të pronësisë, legalizimet, e deri në shpërndarjen e fondit 5 milionë dollarë për ish-pronarët", u shpreh Berisha, duke shtuar se për hipotekat është duke u zbatuar një projekt i dixhitalizmit të dosjeve, me mbështetjen e Bankës Botërore.
Taksat
Kreu i qeverisë foli qartë: nuk do të ketë prekje të TVSH. Kësaj takse i janë shtuar edhe të tjera, të cilat për Berishën e kanë marrë formën e plotë të tyre, si tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Një pyetje e drejtuar nga salla ishte, "nëse duhen rishikuar taksat për bizneset që investojnë në zonat rurale" ose "a përjashtohen nga taksat emigrantët që duan të kthehen në atdhe për të investuar". Kreu i qeverisë u tregua i hapur se, një strategji e tillë do të ishte e padobishme, pasi krijon diskriminimin te shtresat e tjera. Pak a shumë për të njëjtën çështje, Berisha pati një replikë me kreun e OSBE-së, Robert Bosch, i cili sugjeroi uljen e interesave për kredi nga ana e bankave për emigrantët shqiptarë. "Kjo nuk mund të bëhet, por qeveria ka një tjetër projekt (Thithja e Trurit), që synon rikthimin e intelektualëve në atdhe, duke ofruar vende pune sipas profesionit", u përgjigj Berisha. Ai tha se për taksën e TVSHsë janë bërë disa ndryshime, ku e fundit ka të bëjë me përjashtimin dy vjet të saj për makineritë dhe pajisjet.
FMN
Një tjetër pyetje lidhej me qëndrimin që do të mbajë qeveria për mandatin e FMN-së, programi i së cilës mbyllet në janar 2009. "Ne jemi anëtarë të Fondit dhe do të respektojmë çdo marrëveshje me të, por duhet të kini parasysh se Shqipëria e ka kaluar stadin e vendit të varfër dhe për këtë duhet kaluar në të tjera marrëveshje. Për këtë çështje, FMN-ja ka rënë dakord dhe ne do të respektojmë nenin 4 të saj. Konsulencat me Fondin do të vazhdojnë përtej 2009- ës, detyrim i kërkuar edhe nga Komisioni Evropian", u shpreh kreu i qeverisë.
Gazeta: Shqip











