Ndërkohë, caktimi i Gërdecit, si vend çmontimi dhe çmilitarizimi të municionit, është bërë në mungesë të verifikimit dhe vlerësimit të strukturave përkatëse të specializuara të Shtabit të Përgjithshëm. Ngritja e Gërdecit "Në urdhërimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, për caktimin e Gërdecit, si vend demontimi është shpërfillur, gjithashtu, mendimi i strukturave të Forcave të Armatosura, në komentet e bëra lidhur me kërkesën e kompanisë SAC, që kishte sugjeruar paraprakisht Bërzhitën, si vend të mundshëm për të realizuar procesin e demontimit. Kjo, sepse, në memon, datë 28 dhjetor 2007, me subjekt ‘Dhënie mendimi lidhur me ofertën e paraqitur nga SAC për asgjësim municioni‘, që Drejtoria e Logjistikës, i ka dërguar ish-ministrit Mediu, nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, i është bërë e ditur se ‘... Rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon është i pa licencuar për depozitim dhe demontim municionesh, është pranë rrugës nacionale Tiranë- Elbasan dhe qendrave te banuara‘", thuhet në dosjen e akuzës. Municionet në fabrikë Urdhri në praktikë, ka lejuar të depozitohen dhe akumulohen sasi të mëdha municioni e baruti në kundërshtim me distancat e sigurisë, duke determinuar pasojat e rënda që kanë ardhur ndaj jetës së njerëzve, shëndetit të tyre, apo edhe për dëme materiale.
Prokuroria thotë se propozimi i Delijorgjit për ngritjen e "fabrikës së vdekjes" është pasuar nga urdhri 550, i ish-ministrit të Mbrojtjes, ku është urdhëruar fillimi i një aktiviteti me një natyrë të lartë rrezikshmërie, pa u krijuar më parë të gjitha premisat paraprake, që do të siguronin një funksionim normal të këtij aktiviteti. "Caktimi i Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve luftarake, në kushtet e ekzistencës të një përgjigje negative nga Shtabi i Përgjithshëm për rajonin e Bërzhitës, vjen në të njëjtën linjë me ofertën e datës 27 dhjetor 2006 të kompanisë SAC, të analizuar më lart, ku kërkohej që procesi i çmontimit të kryhej në një ambient në afërsi të Tiranës, çka ka mundësuar cenimin e sigurisë gjatë gjithë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve", thuhet në dosjen e akuzës.
Demontimi, Mediu "mashtroi" Berishën
Organi i akuzës thotë se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të realizuar synimin e tij, ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekturdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipërpërmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL sh.p.k, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme, që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre.
"Kjo provohet me inicimin, më datë 12 shkurt 2007, për miratim të projektvendimit të KM me titull ‘Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC‘. Sipas prokurorisë, ky projektvendim nuk është miratuar nga qeveria, për shkak të mungesës së përqasjes me ligjet aktuale të Shqipërisë. Më datën 14 mars 2007, Mediu ka ridërguar për shqyrtim e miratim projektvendimin me titull "Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi", i cili po atë datë është shqyrtuar edhe miratuar nga qeveria.
Pas kësaj, ish-ministri ka miratuar urdhrin. Akuza thotë se urdhri është hartuar nga zyrtarët e ministrisë, duke anashkaluar Shtabin e Përgjithshëm. Zyrtarët e akuzës kanë renditur disa shkelje të urdhrave për licencimin e kompanisë amerikane SAC për demontimin e municioneve në Gërdec, në Vorë, duke shkelur në këtë mënyrë urdhrin e Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, ka shkelje për përcaktimin e vendit ku do të kryhej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.
Edhe 6 muaj burg për grupin e Gërdecit
Apeli i Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për shtyrjen edhe me 6 muaj për afatet e paraburgimit të tre të arrestuarve për ngjarjen e Gërdecit. "Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e disa ditëve më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila zgjati me 6 muaj të tjerë afatet e paraburgimit për dy drejtuesit e fi rmës "Albademil", që administronte fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli si dhe ish-drejtorin e Kompanisë "Meico" në Ministrinë e Mbrojtjes, Ylli Pinari", thanë burimet pranë gjykatës. Kërkesa për shtimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit Delijorgji, Minxholli dhe Pinari, lidhet me akuzën e re të ngritur ndaj tyre nga organi i Prokurorisë për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese të disa personave", krahas asaj të mëparshme për "shkelje të rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive".
Si u lidh kontrata me Patrik Henrin
Në kërkesën drejtuar Parlamentit të Shqipërisë, grupi i 16 hetuesve të "Gërdecit" ka evidentuar se përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, Patrik Henry III, kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në takimet me Pinarin, ishte informuar për të ngritur aktivitetin e çmontimit, duke e orientuar drejt përfshirjes në këtë aktivitet të pandehurin Mihal Delijorgji. Pinari i ka shpjeguar Henry III, një numër elementesh juridikë dhe kushtesh që duhet të plotësonte kompania SAC për këtë aktivitet. Prokuroria thotë se SAC ka krijuar paraprakisht një shoqëri shqiptare, të quajtur ALBADEMIL sh.p.k, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes. SAC u pajis me tre lloje licencash: për depozitim municioni; për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve dhe për eksportimin e produkteve të dala nga demontimi.
Ndërsa po aty u përcaktua detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila do të mbulonte shpenzimet e transportit të municioneve. Prokurorët kanë zbardhur se SAC kërkonte që ambienti industrial i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën. Oferta e kompanisë SAC ka dalë nga zyra e ish-ministrit të Mbrojtjes me shënimet përkatëse, drejtuar Shefi t të Shtabit të Përgjithshëm. Ndërkohë, po më datë 28 dhjetor 2006, evidentohet fakti i krijimit të shoqërisë ALBADEMIL, me ortakë përfaqësuesin e kompanisë SAC, Patrik Henry III dhe të pandehurin Mihal Delijorgji.
Gazeta: Shqip











