Përmbysja
Nga banorë të zonës, të cilët ishin të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes, mësohet se rreth 20 persona kishin hipur në një varkë peshkimi me rrema, për të shmangur kontrollet e policisë. Ka qenë një grup klandestinësh, të cilët ishin nisur në mënyrë të organizuar, me udhërrëfyes, për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror. Ata kanë tentuar fillimisht të kalojnë kanalin e Vivarit nëpërmjet rrugës normale, ku funksionon një trap, për t‘u hedhur në fshatin Xarrë, pastaj në Konispol e më pas në Greqi. Por në afërsi të kanalit, në rrugë, policia kishte ngritur një postbllok, të cilin organizatorët kanë dashur ta shmangin. Për këtë arsye, ata kanë shkuar në liqenin e Butrintit, në krahun e Portës së Luanit të qytetit antik dhe kanë marrë atje një varkë peshkimi me rrema, që të kalonin nëpër kanal, pa rënë në sy të policisë.
Por, në varkën që mban maksimalisht 8 persona, kanë hipur 24 veta, ndërsa rolin e rremtarit e ka bërë një jo profesionist, i cili mendohet se ishte udhërrëfyesi. Për shkak të mbingarkesës dhe mungesës së përvojës së rremtarit, varka është përmbysur në Kanalin e Vivarit, disa metra larg destinacionit. Kanali nuk ka thellësi të madhe dhe është i ngushtë, por 22-vjeçarja Edlir Jaho nuk dinte not dhe, për më tepër, duhet të mbante mbi ujë edhe foshnjën e saj 3 muajshe, Klara Jaho. Në varkë ndodhej edhe Dritan Jaho, burri i 22-vjeçares dhe babai i vajzës, por as ai nuk ka mundur t‘i shpëtojë dy anëtarët e familjes. Ai ishte personi i parë që ka mbërritur në spitalin e Sarandës, pasi është nxjerrë nga uji me ndihmën e policisë dhe banorëve të zonës.
Hetimet
Të gjithë personat që ndodheshin në varkën që u përmbys u transportuan fillimisht në spital, për shkak të gjendjes së shokut dhe më pas u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Sarandës, për t‘u marrë në pyetje. Policia konfirmoi se kishte mundur të identifikonte mes të mbijetuarve, personin që bënte rolin e udhërrëfyesit, i cili mësohet se është nga Rrethi i Lushnjës. Ndërkohë, policia ka identifikuar edhe pronarin e varkës, i cili mund të akuzohet gjithashtu për dhënie ndihme për kalimin e paligjshëm të kufirit. Sipas burimeve policore, kjo nuk është hera e parë kur grupe klandestinësh kalojnë me varka nëpër kanalin e Vivarit, për të shmangur postblloqet e policisë në rrugën për në fshatrat e kufirit. Ky është rasti i dytë brenda këtij viti, kur mosrespektimi i rregullave të lundrimit shndërrohet në tragjedi. Më 6 mars, 16 persona gjetën vdekjen në liqenin e Farkës, pranë Tiranës.
Gazeta: Shqip











