Fazlic dhe Rixh ilegalet e sekreteve te Shqiperise

Fazliç dhe Rixh, ilegalët e sekreteve të Shqipërisë
Pavarësisht se Rixh ende nuk ishte bërë këshilltar i Berishës, ai ka mundur të vendosë në rresht ministrat e kabinetit qeveritar. Ish-ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se takimi ishte bërë kur ai ka qenë këshilltar, por nga të dhënat zyrtare rezulton se një gjë e tillë është realizuar gjashtë muaj më parë. Ndërsa Rixh është emëruar më 4 shtator të vitit 2006, takimi ishte zhvilluar që më 5 mars të atij viti, pra gjashtë muaj më parë.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pyetur në lidhje me takimin në zyrën e tij të disa ministrave dhe krerëve të institucioneve të sigurisë kombëtare me një delegacion që në përbërje kishte politikanin e njohur të SHBA-së, Tom Rixh, dhe biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç, theksoi se ai është zhvilluar pas emërimit të z.Rixh si këshilltar i Berishës për sigurinë kombëtare. Edhe pse nuk e kujtonte mirë datën, ish-ministri, i kontaktuar me telefon nga "Shqip", deklaroi se nuk ka qenë e mundur t‘i kërkohet llogari zoti Tom Rixh se kë mbante si ndihmës në delegacionin e tij. Mediu theksoi se integriteti i Tom Rixhit nuk mund të vihet në diskutim, pasi ai është një nga politikanët më të njohur dhe të nderuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ish-ministri i Mbrojtjes theksoi se në takim është diskutuar në përgjithësi për masat që ka ndërmarrë Shqipëria për plotësimin e standardeve të domosdoshme për hyrjen në NATO, sa i përket sigurisë kombëtare dhe luftës ndaj krimit të organizuar, si dhe korrupsionit. Ndërkaq, në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe organit zyrtar informativ të saj "Ushtria" theksohet qartë se Tom Rixh, i shoqëruar nga biznesmeni Damir Fazliç, është takuar me ministrat dhe krerët e institucioneve të sigurisë më 4 mars, kurse një ditë më pas është zhvilluar një tryezë e rrumbullakët në një nga hotelet e Tiranës, ku ka marrë pjesë Kryeministri Berisha, anëtarë të kabinetit dhe krerë të institucioneve të vendit, në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare.

Ndërsa ish-funksionari i lartë i policisë, Besnik Bakiu, ka këmbëngulur se takimi midis ministrave dhe funksionarëve të lartë shqiptarë me përfaqësuesit "amerikanë" është zhvilluar në muajin mars. Për më tepër, ai ka dhënë edhe fakte bindëse se ky takim është zhvilluar në atë kohë, pasi më vonë nuk mund të ishte i pranishëm. Pas deklaratës së ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, se takimi është zhvilluar kur Tom Rixh ishte zgjedhur këshilltar i Kryeministrit, Bakiu ka dhënë edhe fakte të tjera. Në një prononcim tjetër, ai deklaruar se "duke i justifikuar për gabimin në kohë, për vetë rëndësinë e detyrave që kanë mbuluar, desha t‘iu ripërsërisja se nga intervista e djeshme nuk heq asnjë presje, për kohën kur u zhvillua dhe tematikën që u diskutua", është shprehur Bakiu. Ai ka shtuar se është fyese për të, por ka rikujtuar kronikat televizive të kohës apo shkrimet në gazeta.

"Por thënia ‘jetojmë në Shqipëri‘ justifikon çdo gjë, kështu që, për të qenë koherentë me publikun dhe gazetën tuaj, po iu informoj se më datë 19 prill 2006, me urdhër nr. 724 të ministrit të Brendshëm, jam transferuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Policisë Qarkut Lezhë dhe po me urdhër nr. 724/1 të ministrit të Brendshëm, datë 13 shtator 2006 jam nxjerrë në lirim "me kërkesën time", sqaroi ai. Sipas tij, ai nuk mund të ishte në një takim të tillë, nëse do ishte me detyrë në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, ndërkohë që në fund të muajit gusht të atij viti, ai kishte nisur procedurat për lirim nga detyra.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama