Në raportet e paraqitura në akuzën qendrore, mjekoligjorët thanë se vdekja erdhi si pasojë e politraumës së aksidentit automobilistik. "Është analizuar gjaku i viktimës për lëndë alkoolike apo helmuese. Janë bërë analiza për dëmtimin e organeve nga sëmundje, apo simptoma të shfaqura në momentin e aksidentit. Është verifikuar mundësia e dëmtimit, apo goditjes me mjete të forta ose prerëse, por të gjitha këto teste kanë rezultuar negative", thuhet në raportin e Mjekësisë Ligjore, i hartuar për vdekjen e 52-vjeçarit.
Duke iu referuar edhe analizave që janë bërë mbi gjakun e gjetur në vendin e ngjarjes, si dhe të gjitha mostrave të tjera identifikuese, mjekët ligjorë kanë konstatuar se ato i përkasin viktimës dhe në vendngjarje nuk ka pasur persona të tjerë. Mjekoligjorët përjashtuan mundësinë e vrasjes së Trebickës, apo edhe shtyrjes së tij në aksident nga persona të tjerë. Sipas raportit të Mjekësisë Ligjore, Kosta Trebicka ka humbur jetën si pasojë e një goditje në pjesën e pasme të kokës. Nga ekspertiza është saktësuar se goditja nuk ka qenë lokale, por me sipërfaqe të gjerë, madje ajo ka përfshirë veç kokës dhe qafës edhe një pjesë të gjoksit të viktimës, duke dëmtuar organet jetësore në këto pjesë të organizmit. Me këtë argument, sipas të cilit plaga duket qartë se nuk është shkaktuar me mjete prerëse, apo goditje me sende të forta, mjekët ligjorë argumentojnë se shtypja mund të jetë shkaktuar në momentin e rrotullimit të makinës, e cila ka rënë përsipër 52-vjeçarit.
"Automjeti e shtypi Kosta Trebickën gjatë rrotullimit". Zbulohet akt-ekspertimi i Kevin Teter: Ishte gabim njerëzor
Eksperti amerikan, Kevin Teter, i cili për pesë ditë analizoi me detaje vdekjen e Kosta Trebickës në fshatin Lekas në Korçë, ka shuar çdo dyshim për drejtësinë shqiptare. Me anën e një raporti përmbledhës, i firmosur në datën 23 shtator të këtij viti dhe i detajuar në SHBA, Teter nuk ka lënë vend për analiza të tjera, duke e klasifikuar ngjarjen si aksident të pastër automobilistik. Amerikani ka sqaruar se ngjarja ishte si pasojë e një gabimi njerëzor, duke ia vënë "fajin" shoferit, i cili ka bërë një kthesë të fortë, që ka sjellë edhe rrotullimin e makinës. Për pasojë, shoferi (Trebicka) ka dalë nga pjesa e hapur e "tavanit" të mjetit duke përfunduar në rrugë. Teter sqaron gjithashtu se pas kësaj situate, shoferi është shtypur nga makina e tij, duke sjellë edhe vdekjen e pashmangshme. Por në prokurori kanë përfunduar edhe raportet e ekspertëve shqiptarë, të cilët arrijnë në të njëjtat konkluzione me amerikanin Teter, duke sqaruar se: vdekja ka ardhur si pasojë e aksidentit.
Raporti i amerikanit
Në dokumentin e paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe më pas në Prokurorinë e Korçës, cilësohet se pas analizimit të të gjitha evidencave që u paraqitën, apo u ekzaminuan nga vetë eksperti amerikan, rezulton se: Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut. Duke dalë në një kthesë në të majtë, shoferi ka bërë një kthesë të fortë në të majtë, e cila bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë. Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe të kalimit të peshës, thekson në raportin e tij Teter, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e tavanit.
Ndërkohë, automjeti pasi është rrotulluar mbi shoferin, është kthyer mbi rrota, duke vazhduar rrugën deri në vendin ku ka ndaluar. Si rezultat i pjerrësisë së rrugës në drejtim të lindjes, automjeti ka ecur mbrapsht, siç tregohet nga shenjat e gomave që shkojnë nga rruga deri në pozicionin final të qëndrimit. Dokumenti është firmosur nga eksperti Teter më 23 shtator, në prani të një noteri.
Raporti i shqiptarëve
Trupi i biznesmenit Trebicka mund të ketë dalë nga kabina e mjetit "Nissan Patrol" dhe ka përfunduar në rrugë. Automjeti është vënë në kontakt me trupin e biznesmenit, duke i shkaktuar plagë të rënda, që dyshohet se i kanë marrë jetën. Në ndryshim nga eksperti amerikan, i cili konkludon në mënyrë përfundimtare, shqiptarët hamendësojnë. Ata shtojnë se batimi i automjetit ka nisur me një devijim në të majtë të tij, duke dalë nga rruga në një terren të thyer me shkallë të lartë pjerrësie. Më pas mjeti është përmbysur në të djathtë në krahun e pasagjerit, duke e kthyer sërish në gjendje për të lëvizur, ndërsa ka përfunduar atje ku është gjendur, rreth 40 metra larg rrugës dhe fiks 43 metra larg kufomës.
Në vendin e përmbysjes, sipas ekspertëve, trupi ka dalë nga sedilja, duke qenë se nuk ishte i lidhur me rrip sigurimi. Pesha e mjetit mësohet se i ka shkaktuar edhe plagën biznesmenit, duke i marrë jetën. Hetuesit dhe ekspertët, megjithëse kanë në dorë disa nga variantet e përllogaritura prej tyre me koeficientë të njëpasnjëshëm, kanë kërkuar gjetjen e saktë të koeficientit në të gjitha pikat ku ka lëvizur mjeti, nga momenti i hyrjes së tij në aksident, deri në momentin e daljes së tij në pozicion pushimi. Të dhënat janë formuluar në raportin përfundimtar të ekspertëve.
Gazeta: Shqip











