Pronat e VEFA-s qe dalin ne shitje

Pronat e VEFA-s që dalin në shitje
Të ardhurat nga shitja e këtyre aseteve të mbetura tashmë nën administrimin e Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve do të shërbejnë për likuidimin e rreth 16 mijë kreditorëve, të cilët nuk kanë mundur të marrin asnjë qindarkë nga paratë e humbura në fillim të vitit 1997. Burime zyrtare nga Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve bëjnë me dije se janë likuiduar rreth 78 për qind e kreditorëve, ndërkaq pritet të bëhet e njëjta gjë edhe për të tjerët, pasi të jetë mbyllur procesi i shitjes të aseteve, ish-pronë e VEFA-s. Mësohet se janë 20 objekte, pra asete të pa shitura të shoqërisë huamarrëse VEFA. Për këtë qëllim, institucioni që po merret me këtë çështje, është duke përgatitur të gjithë kuadrin e mundshëm ligjor, i cili i hap rrugë zhvillimit të ankandit të hapur për shitjen e këtyre aseteve. Për momentin, administratorët e Grupit Mbikëqyrës të Shoqërive Huamarrëse kanë bërë përllogaritë paraprake sesa do të jetë fondi, i cili do të krijohet nga shitja e këtyre aseteve, ku pjesa më e madhe shtrihet në jug të vendit.

Kreditorët

Për qeverinë shqiptare, vazhdon të mbetet i hapur procesi i likuidimit për kreditorët që kanë humbur paratë e tyre në shoqërinë huamarrëse VEFA, pronë e ish-bosit Vehbi Alimuça. Janë gati 16 mijë persona që kanë humbur paratë, vlera e të cilës nuk bëhet ende e ditur, por që së shpejti do të mund të marrin një pjesë të saj. Në këtë pikë, mësohet se koeficienti i kthimit të shumës nuk do të jetë më shumë se 10 për qind, megjithatë, përcaktimi i kësaj norme varet nga vlera totale që do të krijohet nga ankandi. Aktualisht po përgatiten të gjitha dokumentet e nevojshme dhe pritet që së shpejti të bëhet publike oferta në ankand. Janë 20 prona, që më parë i përkisnin Alimuçës, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin me 20 vjet heqje lirie.

Pronat

Në listën e gjatë prej 20 objektesh bie në sy vila e ish-bosit, Alimuça, e cila ndodhet në një nga zonat më të preferuara në Tiranë. Më tej, duket se një pjesë e aseteve të VEFA-s janë të përqendruara në pjesën jugore të Shqipërisë, kryesisht në Skrapar, si: truall në fshatin Qafë, ndërtesë tek ish-fabrika e lëkurëve apo hotel "Gjerbes". Duke iu rikthyer pronave pranë Tiranës, administratorët e fajdeve kanë gati në shitje truall në pularinë e Paskuqanit, si dhe një ndërtesë dykatëshe në Yzberisht.

Shitja e aseteve, 200 milionë lekë

Shuma që pritet të krijohet nga shitja e 20 objekteve, ish-pronë e kompanisë VEFA, parashikohet të arrijë në rreth 200 milionë lekë ose afro 2,2 milionë dollarë. Vlerësimi paraprak është bërë nga ekspertët e Grupit Mbikëqyrës të Shoqërive Humarrëse, duke iu referuar 20 objekteve që janë të shtrira në pjesë të ndryshme të Shqipërisë.


Lista e pronave të VEFA-s

Objekti Vendndodhja

  1. Frigoriferi Rrëshen
  2. Pularia Aliqe Delvinë
  3. Reparti i Uzinës Mekanike Bujqësore Korçë
  4. Vila e Vehbi Alimuçës Tiranë
  5. Trualli i fabrikës së Salcës Fier
  6. Trual në Pularinë, Paskuqan Tiranë
  7. Trual në Guz Baba Vlorë
  8. Lokal Memaliaj
  9. Ndërtesë dykatëshe Tiranë
  10. Truall në fshatin Qafë Skrapar
  11. Ndërtesë, ish-fabrika e Lëkurëve Skrapar
  12. Ish-hotel "Gjerbes" Skrapar
  13. Depo drithi Skrapar
  14. Baxho në fshatin Dobrushë Skrapar
  15. Magazinë e prodhimit të sallami Përmet
  16. Magazinë mallrash Përmet
  17. Tokë bujqësore Pukë
  18. Lokal në fshatin Vabli Mat
  19. Baxho në fshatin Pobrat Berat
  20. Objekt në fshatin Zavalinë Elbasan

Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama