Kapen dy kuintale flori 1 milion euro dyshohet per Thesarin e Shtetit

Kapen dy kuintalë flori 1 milion euro, dyshohet për Thesarin e Shtetit
Ndërsa janë shoqëruar edhe dy punëtorë, të cilët ishin duke punuar në çastin e aksionit. Sipas burimeve policore, floriri vinte kontrabandë nga Greqia, duke përdorur pikën kufitare të Tri Urave në Përmet. Më pas, ai përpunohej dhe shitej nëpër dyqanet e floririt në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Në laborator janë gjetur kamera të brendshme vëzhgimi për punëtorët, peshore tepër të sofistikuara, ambalazhe me emrat e firmave më të njohura në botë dhe kasaforta tepër të sigurta. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur dje në mesditë zyrtarisht, se strukturat e sektorit të antikrimit ekonomiko-financiar në Policinë e Tiranës, kanë arritur të finalizojnë operacionin e koduar "Ora e florinjtë", që në orët e para të mëngjesit, duke sekuestruar kështu dy 200 kilogramë flori, një shumë të konsiderueshme parash dhe duke vendosur në pranga dy persona. "Specialistë pranë këtij sektori, në bashkëpunim me Task Force dhe Njësinë Operacionale, përfunduan këtë operacion policor, duke goditur këtë bazë kontrabande dhe të trafikut të floririt e duke vendosur në pranga Astrit dhe Genci Lamçen, përkatësisht 45 vjeç dhe 38 vjeç.

 Arrestimi i tyre u krye sepse dy vëllezërit u kapën në banesën e tyre, të ndodhur në rrugën "Vaso Pasha" në Tiranë, me një sasi të konsiderueshme floriri dhe parash", detajoi Policia e Tiranës. Sipas të dhënave, hetimi për këtë operacion kishte nisur tre muaj më parë, duke përdorur metodat speciale të hetimit. "Gjatë operacionit, përveç kësaj sasie të madhe floriri që është kapur ndonjëherë në Shqipëri, u sekuestruan edhe 210 mijë euro, 1 milion e 500 mijë lekë, shuma e parave prej 500 USD, si dhe shumë ambalazhe dhe etiketa të firmave të njohura prodhuese të bizhuve të arta. Gjithashtu, u arrit të dokumentohet tërësisht se aktiviteti i tyre kriminal e kontrabandë, bëhej në kryeqytetet, në banesën e tyre tyre, e cila shërbente si punishte dhe magazinë për kontrabandën e floririt", deklaroi policia e kryeqytetit.

 Ndërsa grupi hetimor shtoi se dy shufra të florinjta dyshohet se mund të jenë vjedhur te Thesari i Shtetit, gjatë vitit 1997. Ndërkohë, duke e përllogaritur sasinë e floririt të sekuestruar me vlerën e tregun të sotëm, varion në shumën e parave në mbi 1 milion eurove. Materialet e përpiluara për arrestimin e personave i kaluan për kompetencë Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërkohë, vazhdon puna për thellimin e mëtejshëm të hetimeve, apo identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë kontrabandë. Për këtë çështje, nga ana e prokurorisë dhe drejtuesve të policisë, po realizohet dhe po zhvillohet një punë e kualifikuar profesionale, në drejtim të saktësimit të origjinës së sasisë së floririt, si dhe goditjes në kohë të aktiviteteve të paligjshme kriminale, ku tashmë kjo strukturë është konsoliduar së tepërmi.


Gazeta: Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama