Makina e Trebickes pa asnje defekt

Makina e Trebickës, pa asnjë defekt
Në pritje të konkluzioneve, në të cilat do të dalin ekspertët e huaj dhe ata që po ndjekin nga afër këtë rast nga grupi hetimor shqiptar, një fakt është i sigurt: ai që është quajtur deri më tani si aksident rrugor, nuk ka ndodhur për shkaqe që lidhen me mjetin që drejtonte Trebicka. Nën hijen e dyshimit mbetet se si ka devijuar nga rruga mjeti në këto kushte të rregullta teknike. Por, asnjë nga përfaqësuesit e grupit hetimor dhe nga organi i prokurorisë, që po ndjek me hetimet e veta shkaqet e vërteta të vdekjes së Trebickës, nuk pranon të japë sqarime mbi ekspertimin e djeshëm të mjetit, apo të japë një version zyrtar mbi atë që ka rezultuar nga ky kontroll, tepër i rëndësishëm për dosjen hetimore.

Ekspertimi autoteknik është bërë në mënyrë të pavarur nga palët, ajo amerikane për llogari të saj dhe nga ana e ekspertëve vendas për llogari të hetimeve, që ende nuk kanë përfunduar. Sipas të dhënave nga Prokuroria e Korçës, kjo e fundit është në pritje të akteve të ekspertimit dhe konkluzioneve të ekspertëve, ndërsa elementët e rinj të mbajtur në procesverbalet përkatëse mbi ekspertimin autoteknik dhe vendimi që përmban konkluzionet do të administrohen në cilësinë e provës dhe do t‘i shtohen dosjes hetimore për zbardhjen e shkaqeve, që çuan në vdekjen tragjike të një dëshmitari tepër të rëndësishëm të drejtësisë.

Ekspertët amerikanë, dy prej të cilëve kanë mbërritur në Korçë vetëm për të bërë vlerësimin autoteknik të mjetit, kanë administruar më vete konkluzionet e tyre, por edhe provat që i kanë fiksuar gjatë gjithë kohës të shoqëruara me fotografitë dhe filmimet përkatëse.

Nëpërmjet pajisjeve shkencore të avancuara, dy amerikanët kanë grumbulluar të gjitha të dhënat teknike të mjetit dhe dëmtimet si pasojë e përplasjes, por edhe shpejtësinë që është vlerësuar prej tyre se ka pasur mjeti në momentin e ngjarjes.

Ekspertimi autoteknik i amerikanëve në garazhin ku mbahej e izoluar makina e Trebickës, është bërë pasi ekspertët e huaj kanë siguruar të dhënat nga vendi i ngjarjes, për të bërë edhe krahasimet përkatëse me kushtet teknike dhe shpejtësinë për të vlerësuar distancën dhe trajektoren që është përshkruar në rrugë që nga devijimi dhe vendi ku u gjet trupi i Trebickës.

Nga ana tjetër, provat teknike të mjetit, pas katër orë ekspertimi brenda garazhit, janë kryer në oborrin e Drejtorisë së Policisë.

Kjo provë ka konfirmuar se kushtet teknike janë të mira, pasi mjeti është provuar në lëvizjen e tij drejt, në kthesë dhe prapa, por edhe me frenime të menjëhershme. Megjithatë, deri më tani nuk ka ende një version se si mjeti ka devijuar dhe ka përfunduar në distancën, në të cilën është gjetur më pas, të cilat janë të dhëna tepër të rëndësishme për të zbardhur shkakun, por edhe rrethanat e atij, që deri më tani është vlerësuar si një aksident rrugor.

Nga ana e prokurorisë nuk ka një konfirmim nëse ka pasur të paktën një pengesë në rrugë dhe përse mjeti që ka përfunduar pothuajse 50 metra larg nuk ka pësuar dëmtime të shumta. Ekspertët amerikanë, që kanë mbërritur në Korçë për të bërë ekspertimin autoteknik të mjetit, me të cilin ka udhëtuar Kosta Trebicka në momentin e ngjarjes, kanë kryer në mesditë provat e shpejtësisë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Korçës. Pasi është mbajtur në brendësi të garazhit, ku ka qenë i bllokuar gjatë kësaj jave, në pritje të vlerësimit autoteknik nga ekspertët amerikanë, katër orë pas këqyrjes dhe kryerjes së veprimeve mbi kontrollin teknik larg vëzhgimit të medias dhe nën blindimin e plotë të zonës nga ana e forcave të shumta policore, mjeti i Kosta Trebickës është nxjerrë në oborr, për të bërë edhe provën e radhës, atë të shpejtësisë dhe të kushteve teknike të sistemeve të drejtimit dhe frenimit. Makina është provuar në bazë të shpejtësisë që kanë vlerësuar ekspertët se ka pasur në momentin e ngjarjes, edhe pse kjo është bërë mbi asfalt, por mësohet se qëllimi i amerikanëve ka qenë të shohin dhe fiksojnë në aparatet e tyre kushtet e makinës gjatë lëvizjes drejt, në kthesë, prapa, frenimet e menjëhershme dhe të forta, por edhe distancën që përshkon mjeti gjatë frenimit të fortë. Kjo distancë do të krahasohet me kushtet dhe të terrenit në vendngjarje dhe koeficientin e fërkimit të gomave me tokën.

Këto të fundit, sipas burimeve të sigurta pranë grupit të ekspertëve, që po merren me këtë ekspertim, janë kryer për të parë jo vetëm reagimet e mjetit në lëvizje, por edhe të drejtuesit sipas shpejtësisë në kthesë dhe në momentet e një frenimi të menjëhershëm. Megjithatë, ende nuk ka një version dhe të dhëna se sa ka qenë shpejtësia dhe cilat janë dëmtimet në mjetin që është bërë pjesë e kësaj ekspertize në prani të amerikanëve.

Matjet dhe provat me makinën e Kosta Trebickës u mbyllën në orën 15:00

Amerikanët panë vendngjarjen përpara kontrollit të mjetit

Me një kuti të zezë, dy të tjera të verdha, me pajisje të posaçme për kontrollin teknik të pjesëve të mjetit, aparate të shumta fotografike dhe kamera, ekspertët e huaj kanë dokumentuar gjithçka që kanë identifikuar në mjet, për sa i përket anës teknike të tij, por edhe dëmtimeve. Të parat janë fiksuar dëmtimet, një goditje në pjesën anësore në anën e djathtë të makinës, një pasqyrë e thyer, një dëmtim në pjesën e sipërme të hekurave.

Ekipi i ekspertëve të huaj dhe vendas është shoqëruar dhe nga prokurorët e çështjes. Para ekspertimit të mjetit, ekspertët e huaj, dy amerikanë, kanë qenë në vendin e ngjarjes, ku kanë parë nga afër distancën mes vendit ku është gjetur viktima dhe asaj ku ka qenë makina e tij, trajektoret që ka përshkruar dhe pikën ku mendohet se ka pasur një devijim të mjetit nga rruga. Vendi i ngjarjes ka qenë i rrethuar dhe me piketimet përkatëse për të gjithë elementët e provave që janë siguruar aty, ndërsa në vend të viktimës janë vënë tre gurë në pozicion gjatësor dhe gjurmët e tjera nëpërmjet piketimit.

Vendi i ngjarjes ka qenë i pari që është vizituar nga amerikanët për të bërë edhe krahasimet me të dhënat që do të dalin nga ekspertimi autoteknik i makinës. Ekspertët nga përtej Atlantikut kanë bërë një hetim të pavarur, ndërsa kanë administruar më vete provat. Amerikanët e kanë përfunduar ekspertimin në orën 15:00, kur janë mbledhur për të bërë konkluzionet e tyre, ndërsa ekspertët vendas, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, kanë mbajtur procesverbalet e tyre dhe aktin e ekspertimit të pavarur nga pala amerikane, që pritet të marrë si akt edhe konkluzionet dhe vendimet që më pas do të administrohen për dosjen hetimore nga ana e prokurorisë së rrethit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë flet për dosjen "Trebicka"

Prençi: Shumë shpejtë do të dalim me konkluzion

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i është përgjigjur dje interesimit të gazetarëve mbi hetimet për vdekjen e Kosta Trebickës, duke deklaruar se shumë shpejt do të dilet me një konkluzion zyrtar për këtë ngjarje. Prençi foli për gazetarët gjatë një takimi të organizuar në ambientet e Akademisë së Rendit, me rastin e shpërndarjes së diplomave për një kurs.

"Nuk jam unë eksperti që duhet të dalë në konkluzione, por mund t‘ju them se shumë shpejt do të kemi një konkluzion përfundimtar të ngjarjes, pasi po bëhen të gjitha ekspertimet", tha Prençi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë theksoi se është prokuroria, ajo që ka marrë në dorë këtë proces, ndërsa Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të gjithë specialistët dhe mjetet e nevojshme për të pasur një hetim sa më të plotë të ngjarjes. Prençi la të kuptohet se me përfundimin e ekspertizës autoteknike të mjetit të Kosta Trebickës, dosja hetimore është thuajse e plotësuar dhe se konkluzionet do të bëhen publike brenda pak ditësh.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama