Vajza e Kristopullit
Vetë i rrëmbyeri dhe më pas i torturuari nga agjentët dhe drejtuesit e SHIK-ut, Ziso Kristopulli, ka dhënë një dëshmi të gjatë dhe të hollësishme seancën e kaluar të këtij procesi gjyqësor. Dje mendohej që në të njëjtën bankë të dëshmitarit të vendosej vajza e tij Alma. Burime nga akuza thanë se ajo pritej të hidhte dritë mbi disa elemente që lidheshin me rrëmbimin e babait të saj dhe personat që kishin kontaktuar me familjen. Po ashtu ajo do të pyetej për punonjësit e SHIK-ut, të cilët kishin kontaktuar me babanë e saj dhe që mund të ishin përfshirë në rrëmbimin e tij. Por të gjitha këto deklarime nuk u arrit të merreshin dot, pasi Alma Kristopulli nuk është paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Beqir Tërshalla
Emri i tij u përmend për herë të parë publikisht gjatë dëshmisë së Ziso Kristopullit, përpara togave të zeza. Në pozitat e dëshmitarit okular, Kristopulli ka deklaruar se kishte pirë birrë me Beqir Tërshallën dhe me Sefgjinin, një javë përpara se atë ta rrëmbenin. E pikërisht Sefgjini kishte qenë sërish në Vain të Lezhës, ku Kristopulli, por edhe Remzi Hoxha e Avdyl Loshaj ishin mbajtur të izoluar dhe ishin torturuar, derisa biznesmeni shqiptaro-maqedonas kishte humbur jetën. Në seancën e djeshme pritej që Tërshalla të paraqitej si dëshmitar për t‘u pyetur rreth lidhjeve të tij me Arben Sefgjinin, si dhe me ngjarjen e rrëmbimit të Kristopullit. Por edhe ky dëshmitar nuk është paraqitur në seancë dhe nuk ka dërguar asnjë njoftim, lidhur me mungesën e tij.
Masat
E gjendur përpara mosparaqitjes së dëshmitarëve, të cilët konsiderohen si mjaft të rëndësishëm për këtë proces, gjykata është detyruar të shtyjë seancën gjyqësore, por njëkohësisht edhe të marrë masa për seancën pasardhëse. Togat e zeza kanë urdhëruar që të bëhet rilajmërimi i dëshmitarëve që nuk u paraqitën dje në seancë. Sipas drejtuesit të trupit gjykues, në rast se dëshmitarët nuk do të paraqiten sërish në proces, ata do të sillen forcërisht për të dhënë deklarimet e tyre. Në seancën e ardhshme është parashikuar të dëshmojnë 10 persona. Ndër ta, përveç atyre që duhej të paraqiteshin dje, janë edhe disa ish-punonjës të firmës "Albatros" si dhe disa ish-punonjës të tjerë të strukturave të SHIK-ut, të cilët kanë dijeni lidhur me këtë ngjarje.
Procesi
Ish-zyrtarët e SHIK-ut në vitin 1995, Arben Sefgjini, ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë, Avni Koldashi, ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit dhe Ilir Kumbaro, ish-kryetari i degës në SHIK, akuzohen për "rrëmbim të personit" të shoqëruar me tortura të rënda. Sipas prokurorit të çështjes, ata kanë rrëmbyer e më pas kanë torturuar deri në shkaktim të vdekjes biznesmenin Remzi Hoxha, ndërsa kanë shpëtuar gjallë dy të rrëmbyerit e tjerë, Ziso Kristopulli dhe Armando Loshaj. Bashkë me këta tre të pandehur, në bankën e të akuzuarve ka qenë edhe Budjon Meçe, por çështja e tij është ndarë dhe më pas pezulluar, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Shënim
Vdekja e Trebickës, frikë te dëshmitarët?!
Institucionet zyrtare kompetente nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit lidhur me vdekjen e Kosta Trebickës: A ishte një aksident apo një atentat? Nisur nga mënyra misterioze e vdekjes së tij, po aq sa edhe nga rëndësia e dëshmisë së tij në një proces mjaft delikat, që përzien brenda vetes që nga tragjedia e Gërdecit e deri të trafiku shtetëror i armëve, zbardhja e kësaj ngjarjeje nuk duket se do të jetë shumë e shpejtë. Por ndërkohë haraçin e saj, duket se do ta vuajnë proceset e tjera gjyqësore (po me aq të rëndësishme), ecuria e të cilave është bazuar në deklarimet e dëshmitarëve kyç, apo të personave që kanë fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. "Zhdukja" e dëshmitarëve në procesin ndaj ish-zyrtarëve të SHIK-ut të akuzuar për rrëmbimin dhe më pas torturimin e tre shtetasve në vitin 1995 mund të mos ketë asnjë lidhje me vdekjen misterioze të Trebickës. Parmbrëmë deputeti Ngjela deklaroi, "do ketë edhe të tjera vrasje...". Por nëse kjo "zhdukje" e dëshmitarëve do të përsëritet në seancën e ardhshme të procesit, ajo rrezikon të kthehet një fenomen kronik në gjykatën që shqyrton krimet e rënda në vend. E në këtë rast askush nuk do të mund ta mohojë se vdekja e një dëshmitari të rëndësishëm si Trebicka i ka dhënë një dozë të lartë stimulimi psikozës së frikës, që, gjithsesi, ekziston në mënyrë të pashmangshme te kjo kategori dëshmitarësh.
Gazeta: Shqip











