Trebicka takimi misterioz nen survejimin e nje grupi
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Aty ka qenë i pranishëm edhe një i afërm i tij, me të cilin ka diskutuar rreth udhëtimit, veprim të cilin e kishte kryer shpesh gjatë kohëve të fundit. Gjatë qëndrimit, ata kanë vënë re një grup personash, të cilët po i vëzhgonin. Trabicka ka dyshuar për ta se ishëshin të Shërbimit Informativ Shtetëror. Madje, i ndjeri Kosta Trebicka, mësohet se është shprehur se i kishte vënë re dhe herë të tjera dhe dyshonte se ishin të SHISH. Nga ana tjetër, një fakt i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga SHISH. Por, duke u nisur nga informacionet që dispononte Kosta Trebicka, si dhe duke qenë edhe një nga dëshmitarët kyç të hetimeve për trafikun e armëve, familjarët hedhin dyshime se ai mund të jetë mbajtur nën vëzhgim nga struktura të posaçme të shtetit. Megjithatë, ende nuk ka asnjë informacion se kush mund të jetë ky grup personash, që ka mbajtur nën vëzhgim Kosta Trebickën.
Familjarët dhe të njohurit e Trebickës kanë treguar se dita para se ai të nisej në Korçë, nuk ka qenë e vetmja që është survejuar. Gjatë disa takimeve, vetë Trebicka ka shprehur dyshime se po vëzhgohej dhe përgjohej nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Këto kishin sjellë edhe frikë te Trebicka, i cili e kishte vënë në dukje te miqtë gjatë kohëve të fundit. Ndërkohë, nga informacionet e mbledhura në rrugë të ndryshme, bëhet e ditur se një oficer i SHISH ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes gjatë kryerjes së hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e vdekjes misterioze të biznesmenit shqiptaro-amerikan, që denoncoi për herë të parë trafikun e armëve.
Nga të dhënat lokale mësohet se puna e degës së SHISH në Korçë, gjatë kësaj kohe është përqendruar kryesisht në këtë ngjarje të rëndë, e cila ka tronditur gjithë opinionin publik, duke vënë në dyshim sigurinë e dëshmitarëve të drejtësisë. Disa agjentë të Shërbimit Informativ janë marrë me mbledhjen e informacioneve të kësaj ngjarje, duke punuar veç grupit hetimor të krijuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Brendshme dhe së fundmi me ekspertë të FBI-së amerikane. Pikërisht më datë 12 shtator 2008, tri ditë më parë, kur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur "Kullat e Gjergjovicës", gjashtë kilometra larg fshatit Gjergjovicë dhe tre kilometra larg fshatit Voskopojë të rrethit Korçë është gjetur pa jetë trupi i shtetasit Kosta Trebicka, i biri i Gaqos dhe i Pandorës, i vitlindjes 1958, lindur dhe banues n¸ Tiran¸.
Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, krahas Prokurorisë dhe strukturave të policisë të Rrethit Korçë, në vendin e ngjarjes për sqarimin e saj, menjëherë shkuan një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe ekspertë kriminalistë, mjekoligjorë. Së fundmi, hetimi po ndihmohet edhe nga ekspertët e FBI-së, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gazeta: Shqip