Këtu njerëzit qajnë për një vizë.. Kurse një mundësi për Amerikë duket si llotari miliardere.. Kurse ti bëre të kundërtën. Le Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë.. Duket pak e habitshme. Pse?
Për më shumë së një arsye, dhe secila prej tyre është e vështirë të artikulohet pasi disa janë të mendjes, të tjera janë të zemrës. Të them të vërtetën unë nuk kam pasur ndonjëherë dëshirë për t’u larguar, thjesht, ndodhi.
E meqë vajtja në SHBA nuk ishte një qëllim ne vetvete, kthimi ne Shqiperi ka qene gjithmonë një alternativë e natyrshme.
Sa jetuat atje?
Unë ndenja gjatë në Shtetet e Bashkuara, isha 17 kur u largova, jam 29 vjeç tani që jam kthyer. Praktikisht u rrita atje, u formova – pra në shumë mënyra jam produkt i asaj kulture dhe i atij vendi, të cilin gjithsesi e dua shumë. Por, duke rrezikuar të ngjaj melankolik, mund te them, "Dua më shumë Shqipërinë".
Ka diçka këtu që më tërheq, diçka që e kam të vështirë ta përshkruaj me fjalë. Por ndihem mirë në vendlindje. Më ngjan sikur qyteti ku lindim, në rastin tim Tirana, është qendra gravitacionale e shpirtit. Dhe këtu ka kaq shumë për të bërë, dua të jem pjesë e kësaj pune.
Sa kohe keni këtu? Ka pasur ndonjë ditë që keni thënë "Bëra gabim që u ktheva"?
Kam vetëm 3 javë në fakt, por atë fjali nuk e kam thënë ende, as e kam menduar, dhe shpresoj të mbetet kështu. Unë nuk erdha pa e ditur se këtu ka plot gjëra që nuk shkojnë, por i mora parasysh, u përgatita shpirtërisht për përplasjet e natyrshme që ndodhin.
Ndien ndryshime?
Ndryshimi është i madh, ka ditë kur vij në shtëpi dhe nuk gjej ujë. Jam larë me kanoçe – ç\'ka është absurd në një vend me kaq shumë ujë sa Shqipëria, këpucët më pluhurosen sapo dal nga shtëpia – ç\'ka më bezdis… por jo dhe aq.
Ideja është që këto t\'i përmirësojmë. Varet pastaj nga çfarë është më e rëndësishme për njeriun – në listën time, lustra e këpucëve është në fund fare. Pa e zgjatur, jam i kënaqur që gjeta forcën të kthehem.
Kanë qenë dakord familjaret tuaj me këtë veprim?
Më tepër se dakord. Dëshira e prindërve ishte përherë që unë të kthehesha. Ata nuk janë larguar asnjëherë për periudha të gjata nga Tirana, dhe siç është e natyrshme për çdo prind, edhe të mitë deshën të më kishin pranë.
E kam kuptuar se ata e kanë vuajtur mungesën time, madje më tepër nga ç\'kam ndjerë unë mungesën e tyre. Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë u thashë që kisha ndër mend të provoja të kthehesha, dhe pashë shkëndija lumturie në sytë e tyre. Ky ishte njëri nga elementët që më ndihmuan të marr këtë vendim.
Po rrethi shoqëror i atjeshëm, çfarë ju ka thënë?
Shumë vetë më kanë inkurajuar. Të tjerë kanë vënë në dyshim kapacitetin tim mendor. U është dukur çmenduri që të le Amerikën për Shqipërinë, por në gjykimin tim kjo ka ndodhur për shkak se vendimi im për t’u kthyer në Atdhe çekulibronte vendimin e tyre për të qëndruar larg.
Të tjerë më kanë shprehur se më kanë zili, në kuptimin e mirë, pasi kanë krijuar familje atje dhe nuk mund të kthehen kaq lehtë sa unë. Por unë nuk jam i vetmi që jam kthyer, nuk përbej ndonjë rast unik, të tjerë kanë ardhur para meje, më shumë do më ndjekin, jam i sigurt për këtë.
E di si mendoj? Amerika ua jep mundësitë të gjithëve të bëjnë një jetesë, të themi normale, të bëjnë një punë (sado të rëndomtë), të kenë një apartament, një makinë. Në Shqiperi këto nuk janë kaq të thjeshta, ndaj, ndërsa në Amerikë të gjithë mund të shkojnë, vetëm disa mund të kthehen.
Jeni bërë shtetas amerikan?
E kam përfunduar procesin e "natyralizimit" siç quhet marrja e qytetarisë amerikane, por nuk kam bërë betimin. Praktikisht jam, teknikisht jo. Disa mund ta quajnë patetike, por unë preferoj të mendoj se popujt nuk duhet të identifikohen me ngjyra pasaportash, dhe jam në shoqëri të mirë në këtë linjë mendimi.
Më ka mbetur në mendje një fragment nga autobiografia e Stefan Cvajgut, "Bota e Djeshme" kur ai tregon me zhgënjim sesi Europa dhe Bota u ndanë me dogana e pasaporta pas Luftës së Parë Botërore. Dikur ishim \'Qytetarë të Botës" perifrazoj Cvajgun, ndërsa lufta dhe dhuna na ndau në shtete, lëvizja u bë e vështirë, e kontrolluar.
Në rastin e shqiptarëve kjo bëhet akoma më problematike, të them të vërtetën e gjej hipokrite dhe poshtëruese politikën e vizave, sado e arsyeshme të jetë, mbetet një turp. Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, thotë kushtetuta amerikane – por kjo nuk duket e tillë kur shikon radhët për viza jashtë mureve të ambasadave. Po e le me kaq se me duket se u kurdisa pak.
Çfarë pune bëje atje?
Në Shtetet e Bashkuara kam punuar në departamentin e marketingut dhe reklamës për gazetën \'The Boston Globe", kjo është gazetë elitare, të themi, pjesë e grupit "The New York Times Company".
Mjedis i shkëlqyer ku kam mësuar shumë dhe më kanë trajtuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Punova atje për 9 vjet, dhe jam ndarë me shumë urime, përqafime dhe lot ç\'është e vërteta. koleget, shefat m’u bënë si një familje e dytë.
Këtu..?
Këtu në Tiranë drejtoj zyrën e komunikimit të një Universiteti privatq ë është gjithashtu një ambient i mrekullueshëm. Oferta e universitetit ishte joshëse në shumë nivele. Kam fatin të punoj me disa nga personalitetet më të spikatura të arsimit shqiptar. Është një institucion model për mendimin tim, ku më është dhënë hapësira dhe mundësia të punoj pa kufizime
Do t´ia këshillonte Blendi dikujt tjetër të bënte të njëjtën gjë?
Siç thashë dhe më lart, Shqipëria nuk është për të gjithë. Atyre që nuk bëjnë dot pa rehatet e vogla perëndimore, nuk ua rekomandoj të kthehen, por ataqë mendojnë dhe jetojnë si unë, optimistët e pandreqshëm pra, i inkurajoj me gjithë shpirt ta provojnë.
Ka një ndjenjë përkatësie dhe përmbushjeje që ta jep vetëm vendi yt. Kemi vetëm një jetë dhe them se duhet jetuar pa pengje, e nëse do kisha zgjedhur të qëndroja larg përgjithmonë, do më kishte mbetur peng. Nuk jetohet ashtu.
Unë rrugën e kam të hapur dhe mund të kthehem në SHBA kurdo, gjithsesi, shpresoj dhe punoj në mënyrë që të mos më duhet ta bëj këtë. Ndihem më mirë këtu, pa më të voglin dyshim.
Momentalisht jeni i martuar, i fejuar.....
Momentalisht nuk jam as i martuar, as i fejuar. Kam njohur një vajzë që më pëlqen shumë. Ama këto gjëra merren shtruar, duan kohën e vet. Unë kam një shembull fantastik në prindërit e mi që janë dashuruar në gjimnaz dhe dashurohen më fort me vitet. Dua të kem fat si ata. Të shohim.
Një gjë që të pëlqen shumë nga Shqipëria dhe një gjë që s´të pëlqen fare...
Më pëlqejnë shumë shqiptarët, si popull, si njerëz. E di që shumëkush do më quante naiv për këtë, apo nacionalist, por unë kam arsyet e mia. Them se në thelb jemi të mirë si njerëz, por pa fat. Thonë që një organizim merr gjithmonë karakteristikat e atyre që i drejtojnë, dhe shqiptarët për shumë kohë janë drejtuar nga makutë të pështirë, rufjanë paskrupuj, hajdutë injorantë, të paaftë dhe dembelë njëkohësisht.
Kemi patur një kastë politike të pështirë për shumicën e kohës, që kanë patur mundësi të bëjnë diçka të mirë dhe nuk e kanë bërë, por kanë vjedhur për xhepat e tyre… këto karakteristika i janë mveshur padrejtësisht shqiptarëve si popull. \'Të gjithë vjedhin" thonë shpesh…kjo më duket e paarsyeshme, absolutisht.
Si mund t\'i gjykojmë "të gjithë" kaq kollaj pa i njohur një për një? Jo, Shqipëria ka me shumicë njerëz të ndershëm, të edukuar, të drejtë dhe të mirë – vetëm se këta janë nxjerrë jashtë loje nga ata që përmenda më parë. Politika është bërë monopol i të ligjve – dhe kjo nuk shkon. Nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu. Besoj se u jam përgjigjur të dyja pyetjeve njëherësh.
Keni kontakt me të tjerë që janë kthyer, çfarë thonë për Shqipërinë?
Po kam, kam disa miq këtu në Tiranë që kanë bërë zgjedhje të ngjashme me mua dhe tani janë këtu. Shumica e tyre kanë sjellë me vete kapacitetin e nxënë në perëndim dhe kanë bërë përpara.
Më thonë që do kem edhe ditë zhgënjyese dhe situata stresuese që janë produkt i realitetit shqiptar. Më japin këshilla të vlefshme që i vlerësoj. Ende nuk kam takuar dikë që të jetë bërë pishman që është kthyer. Kjo më kënaq.
Gazeta: Shekulli











