Një shembull për të gjithë? Xhaketat e zeza të mbrëmjes, të cilat mbizotërojnë në mbrëmjet festive, të veshura mbi trupat e zhveshur. Është përzierja që shoqërohet me taka tepër të larta.
"Vajza si djalosh" është më shumë tërheqëse dhe sensuale. "Mund të veshë një xhaketë meshkujsh dhe të duket më seksi se kurrë", shpjegon Xhorxho Armani që në sfilatat e Parisit, i cili ka prezantuar një smoking tepër tërheqës, me xhaketë e pantallona të gjata dhe këmishë mëndafshi ngjyrë lulevath. "Si gjithmonë - shpjegon - është një çështje proporcioni. Një xhaketë, nëse është e prerë mirë, mund të jetë më shumë joshëse sesa një veshje mbrëmjeje, që lë të zbuluar shpinën".
Nga Hermès, marka simbol e luksit pa kohë, xhaketa e zezë vishet mbrëmjeve me pantallona të shkurtra dhe këmishë të hapur e të lidhur në mes. Maks Mara propozon tutat smoking, një pjesë unike të cilat përdoren për verë dhe vjeshtë. Xhon Riçmond zgjedh komplete pak më serioze, me pantallona treçerekëshe e të puthitura pas trupit, në stilin rokstar. Xhaketa, simboli antik i pushtetit, është një dashuri e vjetër. Dona Karan, stilistja amerikane që në fillim të karrierës së saj në vitet ‘80, ka ridizajnuar figurën e femrës menaxhere. "Ka momente kur veshja formale është detyrim - kujton ajo - por meqë kemi fatin që të jemi femra, mund të kemi më shumë liri sesa mashkulli. Për shembull mund të luhet me një xhaketë të vogël dhe pantallona të ngushta, pa harruar një palë sandale me taka të larta më shumë se 10 cm, të cilat i japin femrës një pamje më tërheqëse dhe sensuale".
Edhe ish-stilisti i famshëm, që ndërroi jetë vitin e kaluar, Xhanfranko Ferre, i referohej logjikës mashkullore dhe e aplikonte atë në stilin femëror. Kostumet e koleksioneve të tij e kanë xhaketën në formë boleroje, gjithashtu edhe Antonio Marras propozon një kostum shumë serioz, të shoqëruar madje edhe me kollare. Për "Chanel" sfilojnë në pasarelë vajzat me kostume mbrëmjeje, me këmisha të gjera dhe papion. Aleksandër Mekuin mes aksesorëve të rinj propozon përveç kostumit edhe kapele me vel fytyre (kapele me rrjetë që mbulon fytyrën). Gjithashtu stilit të kostumeve i bashkohet edhe Rikardo Tiski (stilisti i Givenshisë) që këtë herë i sjell me dekoracione të qendisura me fije ari.
Ndër stilistët më të preferuar për stilin e tyre seriozë janë Xhil Zender dhe Alberto Biani, që mes zonjave të larta parlamentare janë bërë një pikë referimi që nuk mund të heqin dorë. Nga "Ivs San Lorent", djaloshi i ri italian Stefano Pilati, i ka bërë homazh mësuesit francez, i cili në vitet ‘60 kishte propozuar modelin "masculin feminin", duke imponuar rikthimin e smokingut dhe një koleksin të pasur me modele mbrëmjesh. Një itinerar i përshkuar edhe nga Luis Vuiton, Ralf Loren, Balenkiaxha, Sonja Rikiel, Brioni, Anxhelo Marani, Kricia, Selin Amuleti J. dhe Stela Mekartnej.
"Kurrë më pa smoking", duke se është shprehja e duhur dhe Alber Elbaz, stilisti krijues i markës "Lenvin", e ka përkthyer këtë slogan duke e transformuar këmishën e natës në një fustan mëndafshi, i cili mund të vishet me një xhaketë të zezë. Sigurisht që edhe femrat e D&G nuk mund t‘i shpëtonin shijes së papërsëritshme të smokingut, duke e shoqëruar atë me një "shpirt rebel". Një tërheqje që shoqëron edhe fansat e rinj të linjës "C‘n‘c", dizajnuar nga Enio Kapasa. "Herët a vonë, vajzat do të kërkojnë copëza në raftet e baballarëve - shpjegon stilisti - dhe më kryesorja dinë t‘i interpretojnë me një shije modernizmi të përzier me reminishencë rrok".
Të drejta dhe tërheqëse
Rosela Tarabini, stilistja e markës "Ana Molinari", propozon pantallona të drejta e të ngushta me këmishë transparente. Pantallonat e tipit mashkullor dhe sensualiteti i këmishës i japin femrës një pamje shumë tërheqëse
Frymëzim rok
Smoking i linjës "Prive" (Moda e rëndë) propozuar nga Armani ka një gjurmë rroku. Për modelin e kapeles, stilisti është frymëzuar nga Pit Doherti, i fejuari skandaloz i Kejt Mos
Me Indinë në zemër
Smoking origjinal "super klas" nga Ralf Loren është menduar për një grua që i adhuron udhëtimet dhe vendi i saj i preferuar është India me pallatet e mrekullueshme të maharaxhajve
Rroftë feminiliteti
Super femërore, me pantallona të shkurtra dhe xhaketë mashkullore. Është femra e Hermes, marka me një luks të madh, dizajnuar nga Zhan Pol Gotjer
Përmasa të vogla
Vajzat e "Mis Sikstit" janë super seksi. Ato veshin pantallona të ngushta të ngjitura pas këmbëve, taka të larta. Xhaketa ka formën e një boleroje dhe përmasa të vogla
Shpirt rebel
Smoking me pantallona të kthyera përsëmbrasht, me këmishë të bardhë dhe pasion të zi. Edhe vajzat e D&G rriten dhe dëfrehen duke veshur rrobat klasike por me shpirt rebel
Të transformohesh në një yll
Xhaketë të ngushtë dhe pantallona treçerekëshe deri te kavilja, si rokstare të vërteta. Xhon Riçmomd adhuron muzikën dhe moda e tij i referohet botës së rrokut
Modë me zgjedhje
Versioni më në modë i androgjinisë? Është ajo që propozon Nikolas Xheskuire, stilisti i ri i cili prej disa kohësh është drejtori artistik i "Balenkiaxhës"











