Partia Demokratike në Tiranë është motori de fakto i krejt PD-së, jo vetëm se është kryeqendra, por edhe sepse në Tiranë janë të përqendruar forcat më të mëdha intelektuale të vendit, aderuese në Partinë Demokratike. Tirana është faktikisht vendi ku nuk janë më vetëm qytetarët e Tiranës apo ata të ardhur deri në vitin ‘90. Tirana, me shumëfishimin e popullsisë së saj, me prurjet nga gjithë Shqipëria, shumë nga themeluesit e Partisë Demokratike nëpër rrethe në 1990-‘91 tashmë janë anëtarë të Partisë Demokratike në Tiranë, pra, në këtë kuptim Tirana do të jetë motori i vërtetë i fushatës elektorale”,- tha dje Mustafaj. Deputeti i Partisë Demokratike e ka menduar prej kohësh një vendim të tillë, duke parë anët pozitive dhe ato negative, që sjell një kandidim i tillë. “Unë mendoj se i kam një detyrim Partisë Demokratike në Tiranë për t’u angazhuar më shumë drejtpërdrejtë me strukturat e saj, sepse unë gjithë jetën time politike e kam bërë në Tiranë, demokratët e Tiranës më kanë votuar që nga 1991 dhe në vazhdim disa herë”,- tha Mustafaj. Aktualisht kryetar i PD-së së Tiranës është Sokol Olldashi, i cili është shprehur publikisht se nuk do të garojë për një mandat të dytë në krye të degës së kryeqytetit. Me shpalljen e kandidaturës së Mustafajt, gara është e hapur.
Fushata brenda partisë
Duke folur pikërisht për kandidimin e tij, Mustafaj ka theksuar se Partia Demokratike
zyrtarisht ka hyrë në fushatën e vet për zgjedhjet e brendshme, çka, sipas tij, është një moment shumë i rëndësishëm. “Unë, duke qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike, edhe historikisht, mund të them se kjo fushatë brenda partisë është nga momentet politike më të rëndësishme të Partisë Demokratike. Sepse ne tashmë do të shkojmë në fushatën e ardhshme për të marrë një mandat të dytë, ç’ka do të thotë që i kërkohet Partisë Demokratike një vitalizim jashtëzakonisht serioz, një modernizim, një rritje e demokracisë brenda saj, një përfshirje të rinjsh, një aktivizim i potencialeve historike të partisë, pra në këtë kuptim është një moment shumë i rëndësishëm”,- tha Mustafaj.
Lëvizjet e deputetëve, joserioze
Lëvizjet e disa deputetëve nga njëri grup tek tjetri, deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, nuk i ka cilësuar aspak serioze. “Ka disa deputetë që lëvizin me miratimin e grupeve parlamentare në mënyrë që të ndihmojë, pasi ka disa standarde për krijimin e një grupi, pasi duhet të jenë shtatë deputetë. Në këtë kuptim ka disa deputetë që huazohen nga një grup tek një grup aleat në mënyrë që ky të konstituohet si grup, por në shumicën e rasteve këto lëvizje brenda tre viteve në disa parti dhe grupe parlamentare mua më duken si shprehje instabiliteti, që vjen përgjithësisht nga mungesa e detyrimit që kanë kolegët për të dhënë llogari në elektorat. Elektorati është ai që e mban deputetin përpara detyrimit të respektojë angazhimet e tij”,- tha ai.Gazeta: Shekulli











