Rihapet dosja e vrasjeve te Rruges se Kavajes

Rihapet dosja e vrasjeve të Rrugës së Kavajës
Rihapet dosja e vrasjes së një anëtari të bandës së "Rrugës së Kavajës". Policia ka rimarrë edhe njëherë në dorë dosjen e vrasjes së Enton Shqypit, i cili u ekzekutua te Kopshti Botanik, gjashtë vjet më parë, pikërisht në gusht të vitit 2002. Kjo ka sjellë rihapjen e dosjes së "Rrugës së Kavajës", ku pjesëtarët e saj ishin të përfshirë në një kartelë të fuqishme të trafikimit të drogës. Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës, e cila e kishte pezulluar këtë dosje për mungesë provash, e ka rikthyer atë në policinë e Tiranës, pranë sektorit të krimit kundër personit. Kanë qenë dy dëshmi kyçe, që kanë bërë të rihapet kjo dosje, ku sipas policisë mund të çojnë drejt zbardhjes së krimit dhe zbulimit të autorit. Burime të besueshme pranë grupit hetimor thonë se dy dëshmitë janë administruar nga oficerët e policisë, ku një nga dëshmitarët është edhe familjar i Shqypit. Në dëshmitë e tyre ata kanë treguar fakte të reja, që e kanë bërë policinë të kryejë një rihetim të kësaj dosjeje. Megjithatë, për arsye hetimore, grupi i punës nuk ka dhënë shumë detaje mbi progresin e bërë, por ka deklaruar se ka të dyshuar konkretë mbi këtë vrasje, e madje ata janë gjallë.

Historia e vrasjeve

Sipas prokurorisë, 25-vjeçari Enton Shqypi është gjetur i ekzekutuar me plumb pas koke në një rrugicë të lagjes Selitë e Vogël, pak metra nga Liqeni Artificial. Në momentet e para të hetimit, policia e Komisariatit Nr. 2 hodhi dyshime për një konflikt të rastësishëm që i riu kishte pasur gjatë ndjekjes së një ndeshjeje në stadium, por më pas ngjarja e gushtit të vitit 2002 u cilësua atentat me qëllime hakmarrjeje e larje hesapesh, që kishin të bënin me rivalitetin mes dy grupeve, atij të "Rrugës së Kavajës" dhe "Rrugës së Durrësit". Shqypi ishte arrestuar në vitin 1996 për vrasjen e Artur Hoxhatit dhe plagosjen e një tjetri dhe njihej si mik i ngushtë i Ervin Borovës. Ky i fundit ishte pjesëtar i grupit të "Rrugës së Kavajës", i cili u vra gjatë vitit 1999, pranë bar "Rovena", ku dhe u plagos Ilir Bardhi. Borova u arrestua edhe gjatë vitit 1996, si i dyshuar për vrasjen e Artur Hoxhatit, por më pas u dënua Enton Shqypi si ekzekutor. Pas daljes nga burgu, Shqypi u vra e deri më sot ende nuk është zbuluar autori i kësaj vrasjeje.

Si u akuzua Sollaku

Gjatë kohës kur vëmendja e opinionit u drejtua nga ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, u rikujtua edhe vrasja e Shqypit, e cila ishte lënë në harresë prej vitesh. Madje, kjo dosje e pazbardhur u vu në vëmendje të komisionit hetimor "Sollaku", i ngritur në vitin 2006-2007. Përveç krimeve të pazbardhura, që lidheshin me dosjen e "Rrugës së Kavajës" dhe asaj "të Durrësit", ku përfshiheshin persona të cilësuar si anëtarë të grupeve të "Rrugës së Kavajës dhe Durrësit", figuronte ekzekutimi i 25-vjeçarit pranë Kopshtit Botanik në Tiranë. Dosja u bë objekt diskutimi në komision, ku ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku u akuzua se nuk kishte hetuar dhe zbardhur krimin. Megjithëse pati të dyshuar, nuk pati asnjë arrestim. Në materialin e komisionit hetimor thuhet se "është ende e pazbardhur ngjarja dhe i paidentifikuar autori i vrasjes së shtetasit Enton Shqypi, më datë 13 gusht të vitit 2002".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama