Tirane tre Porche luksoze bien ne rrjeten e policise

Tiranë, tre Porche luksoze bien në rrjetën e policisë
Gjashtë makina luksoze janë bllokuar gjatë një operacioni të Policisë së Tiranës, ndër të cilat tre mjete të tipit "Porche", pasi rezultojnë të trafikuara nga vendet e tjera. Gjuetia e makinave të vjedhura në vendet e Perëndimit, që janë trafikuar në Shqipëri, ka nisur dy ditë më parë, duke sjellë edhe bllokimin e tre "Porche"-ve, që llogariten në vlerë të paktën 100 mijë euro për secilën prej tyre. Makinat u janë kapur në përdorim disa qytetarëve, të cilët kanë paraqitur dokumentacion se i kishin blerë ato, pavarësisht se nga Interpol ishte dhënë informacion se janë të vjedhura.

"Porche"

Policia e Tiranës vuri në dijeni se, këto ditë, seksioni i antitrafikut ka nisur një operacion për kapjen e makinave të trafikuara, ku një listë e gjatë e tyre është vënë në dispozicion nga Interpol-Tirana. Këta të fundit kanë marrë informacion nga homologët në vendet e tjera, të cilët kishin të dhëna se makinat e vjedhura ndodhen në Shqipëri. Një nga makinat luksoze është kapur në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit. Burimet policore bënë të ditur se dy ditë më parë, u bllokua mjeti "Porche", me targa TR4883P. Këtë mjet e kishte në posedim Rigers Kusi, 21 vjeç, i cili është djali i një biznesmeni mobilierish në Elbasan. Sipas policisë, mjeti rezulton i vjedhur në Itali, pavarësisht se poseduesi i saj ka paraqitur dokumentacion se e kishte blerë nga një shtetas italian. Megjithatë, makina luksoze është bllokuar nga policia. Një "Porche" tjetër është bllokuar në Tiranë dhe për trafikimin e saj është dërguar për ndjekje penale një shtetas italian. Sipas policisë, specialistët e antitrafikut e kanë gjetur këtë mjet në Tiranë.

Makina mbante targat DC344EA dhe drejtohej nga Gentian Ermzi. Por, ky i fundit, ka vënë në dispozicion të policisë një kontratë blerjeje të mjetit. Ndërkohë, policia ka zbuluar se, pas shitjes së mjetit, ish-pronari italian, Ivo Croce, ka denoncuar në polici për vjedhjen e mjetit. Kështu, policia dërgoi materialet në prokurori për procedim penal ndaj italianit 53-vjeçar. Në bashkëpunim edhe me palën italiane, drejtësia shqiptare do ta dënojë atë për trafikim të mjeteve motorike. Ndërkohë, mjeti i tretë luksoz është bllokuar në Tiranë dje pasdite. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia rrugore është vënë re se mjeti luksoz kishte mungesë dokumentacioni dhe dyshohet se është i vjedhur jashtë shtetit. Në këto kushte, policia ka bërë shoqërimin e mjetit luksoz, ndërkohë që ka nisur verifikimet për dokumentacionin e plotë të tij. Mjetet e tjera

Veç tre mjeteve luksoze, policia ka bllokuar edhe tre të tjera, të cilat rezultojnë të vjedhura jashtë Shqipërisë. Burimet policore të kryeqytetit thanë se një nga këto mjete është i tipit "Toyota" me targa TR0249R. Sipas policisë, ky mjet i është kapur Ilir Shehut, 26 vjeç, i cili banon në Tiranë dhe dyshohet se ai është vjedhur jashtë vendit. Megjithatë, i proceduari penalisht nga antitrafiku i Tiranës ka vënë në dispozicion dokumentacione për të vërtetuar se mjeti nuk ishte i trafikuar. Por, edhe kjo nuk e ka shpëtuar mjetin e tij nga bllokimi i policisë. Ndërkohë, një tjetër mjet i bllokuar është edhe një "Seat", me targë TR0332R, i cili mbahej nga Banush P. 39 vjeç, banues në Peshkopi. Sipas të dhënave nga Interpol, edhe ky mjet rezulton i vjedhur jashtë Shqipërisë. Policia shpjegoi se mjeti i fundit i bllokuar nga policia është një "Ford" me targa TR9212P, që ishte në përdorim të Karafil Ismalajt. Sipas policisë, operacioni për zbulimin e mjeteve të trafikuara sipas listës së Interpol do të vijojë edhe në ditët e tjera.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama