Atletja Klodiana Shala ka shenuar zhgënjimin e radhës për skuadrën olimpike shqiptare ne Pekin. Ajo nuk ka mundur të kualifikohet për më tej në garën e 400 m, që u zhvillua sot. Shala ka dalë e 7-ta në baterinë e saj kualifikuese dhe e 46-ta në përfundim të garës, duke shënuar kohën 54.84 sekonda. Dështimi i Shalës pason zhgënjimet për atletët shqiptarë, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Pekinit. Konkretisht dje kanë arritur rezultate jo të mira hedhësi i çekiçit, Dorian Çollaku dhe notarja Rovena Marku.
Collaku pas tre provave, ka arritur deri në 70.98 metra, një provë që është 6 metra më e vogël se rekordi i tij personal. Sportisti kuqezi pritej të ishte në dhjetëshen e më të mirëve duke parë rezultatin e arritur prej tij në Finlandë, me 76.96 metra, por duket se sërish ka ndikuar ana psikologjike në momentin e konkurrimit. Çollaku mundi të lërë pas vetëm argjentinasin Inacio Huan Seria me 70.16 metra, ndërkohë që polaku Szymon Ziolkovski ishte më i miri në grupin B me 79.55 metra. Gjithsesi, rezultati i 31-vjeçarit është më i mirë se ai i arritur në Lojërat Olimpike "Athinë 2004", ku arriti në 70.06 metra. Në renditjen përfundimtare Çollaku u rendit i 28-ti nga, duke mos u kualifikuar në fazën finale të kësaj disipline. Ndërkohë notarja shqiptare Rovena Marku nuk arriti të kualifikohej për në fazën gjysmëfinale të garës 50 metra stil i lirë, por megjithatë ajo theu rekordin kombëtar me gati 0.60 sekonda, çka ishte edhe objektivi i saj në Olimpiadën kineze.











