Fati i nje ikone te modes

Fati i një ikone të modës
Gjatë një periudhe të shkurtër, por shumë intensive në vitet ‘60, modelja amerikane u shndërrua në femrën që mishëronte stilin e të gjitha kohërave. Fytyra e saj është mitike: sytë e rrumbullt, nofullat e rënshme në sy dhe një pamje që sikur përcillte gjithë misterin dhe qetësinë e Olimpit. Kur John Lenonit i kërkuan që ta përshkruante Penelopën me tri fjalë, thuhet se ai u përgjigj: "Seksi, seksi, seksi, e zgjuar, e zgjuar, e zgjuar". Për një kohë të gjatë, fytyra e saj ishte pjesë e pandarë e kapakut të revistës "Vogue". Sot, vajza e dikurshme pëlqen që ta quajë veten nënë dhe shkrimtare, duke e konsideruar gjithë periudhën publike të jetës së saj si një gjë të parëndësishme. Zonja është 58 vjeçe, me një pamje gjithmonë mahnitëse dhe kur e takon nuk të jep aspak përshtypjen e një modeleje të dikurshme, por të një gruaje disi të ndrojtur e të tërhequr, që më shumë i pëlqen të bëjë pyetje, se sa ta pyesin. "Kur më bëjnë ndonjë pyetje, është shumë e vështirë që të përgjigjem ndershmërisht", thotë ish-modelja. Në pamje të parë duket se jeta e saj ka shkuar vaj. Ka qenë vajza e dy prindërve të pasur, e rritur mes të mirave, e bukur, që ra në sy qysh në moshën 17-vjeçare në një ballo adoleshentesh. Që nga ajo kohë, për të u kujdesën disa nga figurat më të famshme të modës dhe veçanërisht të revistës "Vogue". Megjithatë, asgjë nuk është ashtu siç duket. Në moshën 21- vjeçare ajo pati një problem depresiv. "Ndihesha gjithmonë sikur rrëzohesha, ose bija vazhdimisht nga një lartësi e madhe", rrëfen Penelope. Më pas pati një sëmundje misterioze të lëkurës, që i shkaktoi shumë probleme në fytyrë dhe tre vjet më vonë u shkatërrua marrëdhënia e saj e gjatë me të dashurin, që ishte njëkohësisht edhe fotografi i saj dhe një nga fotografët më të famshëm të kohës. "Unë dashurova një njeri, dashuria e madhe e të cilit ishte vetëm bukuria femërore në përgjithësi". Në Perëndim ka një tendencë që vitet ‘60 të konsiderohen si vitet e një rrëmuje të vërtetë seksuale dhe jete të lirë, por për Tree nuk është ashtu. "Unë e mbaj mend si një periudhë shumë egoiste, kur të gjithë mendonin vetëm për veten dhe për qejfin e tyre", thotë ajo. Përpos një reklame shumë të shkurtër me modelen britanike, Kate Moss, Tree nuk e ka ushtruar më profesionin e modeles që nga vitet ‘60-‘70. Të vetmet herë që u rikthehet fotografive të arkivit janë ato kur fëmijët e saj, Paloma 28 vjeçe dhe Michael 18, kërkojnë të dinë për të kaluarën e nënës së tyre. Penelope njihej si vajza me një rimel të tepruar në qepalla, por që nuk preferonte kurrë të vinte kremra në fytyrë. Sytë e saj kanë karakterizuar një gjeneratë të tërë. Vitet e fundit jeta e saj ka qenë e përqendruar brenda familjes dhe në të shkruarit e librave.

Së fundmi ka në dorë një libër për adoleshentë, ndërkohë që punon vullnetarisht për dy organizata bamirësie, të cilat kujdesen për fëmijët e Azisë Juglindore. Nuk jep thuajse kurrë intervista dhe kërkon që tashmë të mos ta kujtojnë si një ish-modele, por për atë çka bën aktualisht. Është shumë e lidhur me budizmin, me organizatat e tyre dhe me veprimtarinë e bamirësisë. Në vitin 2005 u mor kryesisht me një projekt në Kamboxhia. "Ka qenë përvoja më e hidhur në jetën time. Në këtë vend e gjithë popullsia është përdhunuar dhe njerëzit jetojnë ende të tmerruar". Kur flet për punën e saj në organizatat bamirëse, Penelope ndryshon portret dhe sjellje. Bëhet më e gjallë dhe flet me zë më të lartë. Në të ndihet pasion, keqardhje dhe rebelim për padrejtësitë e mëdha. Sipas saj, Azia Juglindore është shndërruar në një vend që shet fëmijë në mënyrë të turpshme dhe të pashpresë. "Po të jesh turist seksi, në këto zona mund të të ofrojnë një fëmijë 5-vjeçar, djalë ose vajzë, për gjithë natën. Prindërit që shesin fëmijët marrin vetëm 80 dollarë, ndërkohë që blerësit e dorës së parë fitojnë 1000 për çdo fëmijë. Çdo vit trafikohen në rajon mbi 1 milion vajza", thotë Penelope. Puna me budistët e ka bërë që të pëlqejë shumë edhe meditimin. Për vite me radhë ajo ka qenë një praktikante e budizmit, studimit të së cilit i kushtonte disa orë në ditë. Në mesin e viteve ‘80, kur ndodhej në një moment shumë të keq të jetës personale, thuajse e shkatërruar nga ankthet, ajo u ndodh në një veprimtari pranë Dalai Lamës. Mes të tjerëve, ai shtrëngoi duart edhe me të dhe për ish-modelen ky ishte fillimi i një faze të re të jetës. Falë budizmit, jeta për të nisi të merrte më shumë kuptim. Sipas saj, të gjitha problemet i vinin nga fëmijëria, një periudhë që ajo nuk ka dëshirë ta kujtojë. Ishte një vajzë e pasur, e shkretë, që u rrit e palumtur. I ati ishte një parlamentar i pasur, konservator dhe ishte 53 vjeç kur ajo erdhi në jetë. E ëma ishte një vajzë e bukur sallonesh, që vinte nga Amerika, e cila më pas do të përfaqësonte vendin e saj në Kombet e Bashkuara. Motoja e saj ishin mbrëmjet, njerëzit dhe politika. Fillimisht ata jetuan në Britani, më pas Marieta u mërzit me jetën provinciale në këtë vend dhe u zhvendosën në Nju Jork. I ati, duke mos e pëlqyer shumë këtë qytet, iku të jetonte në Barbados dhe ajo e shihte vetëm për pushime. Aty themeloi një fondacion, ngriti një kopsht botanik dhe nisi të shkruante libra. E ëma, shumë e bukur sigurisht, përfitoi nga pasuria e të shoqit dhe pati një jetë shpirtërore shumë intensive. Duke qenë e pasur, e bukur dhe e vetme, ajo pati shumë lidhje. Për Penelopën ajo ishte thjesht një grua që hynte e dilte në jetën e saj, një grua me të cilën nuk pati kurrë lidhje e marrëdhënie të mira. "Fëmijëria ime ishte një fëmijëri e vetmuar. Ime më nuk ishte kurrë në shtëpi, pasi lidhjet e shumta nuk ia lejonin. Personat që ajo preferonte ishin të pasur dhe të pushtetshëm. I tillë ishte një ishkandidat për President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjëja që më mërziste më shumë te mamaja, ishte se përse ajo gjente kohën të kujdesej për të gjithë burrat e botës e nuk e bënte një gjë të tillë për të shoqin". Fëmijëria e saj ishte e vetmuar, por ndonjëherë ajo përjetonte momente lirie të tepruar. Që në moshën 7-vjeçare dinte si të shkonte vetëm në qendër të Nju Jorkut. Më pas, kur ishte në kolegj, falsifikonte firmat e prindërve për të fituar liridaljet në qytet. Në moshën 13-vjeçare, një fotograf i famshëm i kohës e vuri re adoleshenten e veçantë dhe i bëri një foto për një revistë. Penelop nuk e kuptoi se çfarë shkrimi të revistës kishte ilustruar me foton e saj. Ai ishte një shkrim për fëmijët e llastuar të pasanikëve, që ndihen të kotë dhe të pakënaqur me jetën. Kur i ati e mori vesh për të bijën dhe revistën, u bë si i çmendur dhe mori masa shumë të rrepta ndaj revistës. "Kur kthej kokën pas, në të shkuarën, dhe shoh fotot e mia të para, mendoj se sa shumë kam ndryshuar dhe se sa shumë kanë ndryshuar edhe kohët. Duket sikur ai mentalitet dhe ata njerëz u përkasin 1000 viteve më parë". Por, sigurisht që njohja me të famshmin e fotografisë, David Baily, ishte gjëja më e rëndësishme e jetës së saj, të paktën për sa i përket karrierës si modele. Ai ishte njeriu që e futi në botën e modës dhe të biznesit, njeriu që ajo e dashuroi për së pari dhe për një kohë të gjatë. Në atë kohë, Baily ishte i martuar me aktoren franceze, Catherine Deneubve. Kjo e fundit e kishte kuptuar që diçka nuk po shkonte mirë në martesën e saj. "Sapo e kam parë David për herë të parë, e kam dashur. Mes nesh kishte një kimi të jashtëzakonshme. Nuk mund të rrija pa e menduar dhe pa kujtuar çdo detaj të takimeve me të. Pas takimeve të para u shkëputa prej tij për të shkuar në Nju Jork, por pas një viti ai erdhi. Unë në atë kohë isha 18 vjeçe, ndërsa ai 30. Dashuria ishte e pashmangshme. Unë mendoja se ai ishte personi që mund të më shpëtonte nga prindërit dhe nga mënyra e jetesës të cilën e urreja", thotë Penelop. David ishte një djalë që vinte nga një tjetër jetë. Ai ishte rritur jetim vetëm nga e ëma dhe kishte kaluar periudha të gjata varfërie. Për një vit e ca marrëdhënia funksionoi. Ata vendosën që të jetonin bashkë dhe kështu udhëtuan nëpër botë. Në çdo qytet që shkonin, ishin në qendër të jetës artistike dhe asaj mondane. Kjo zgjati derisa një ditë gjërat nisën të ndryshojnë dhe të dyve iu mor fryma nga një marrëdhënie e tillë intensive dhe gati patologjike. Ndërkohë, karriera si modele po i ecte shumë mirë. Ishte tashmë një fytyrë ikonë, me një pamje që nuk ishte ajo e një bukurosheje magjepsëse, por e një vajze me tipare shumë të veçanta. Disa e konsideronin si një fytyrë marsiane, që nuk i ngjante shumë një fytyre njerëzore; të tjerë e gjenin madje edhe të shëmtuar; ndërsa sipas disave ajo ishte fytyra më origjinale që kishin pasur ndonjëherë kopertinat e revistave amerikane. Sipas disa kritikëve, ajo ishte një modele pioniere, pasi ndryshoi nocionin për bukurinë, duke theksuar më shumë tiparet e veçanta dhe domethënëse, sesa ato vërtet të bukura, por që nuk shprehnin asnjë mendim. Në njëfarë mënyre, ajo ishte Kate Moss e breznisë së saj. E veçanta e Penelop ishte se fytyra, por edhe stili i saj i të veshurit dhe ai i jetesës nisën të kopjoheshin në masë nga moshataret e saj.

Të ishe si Penelop, do të thoshte të ishte trendi. "Ndërsa për të tjerët isha një model, për veten time isha një njeri në një situatë shumë të brishtë shpirtërore, isha gjithmonë në buzë të greminës, në honet e thella të së cilës mund të bija nga çasti në çast. Por këtë gjendje askush nuk mundi ta kuptonte", thotë Penelop. "Askush nuk e kupton se si mund të ndihet një modele kur sheh që njerëzit rrotull saj e konsiderojnë thjesht një mall dhe flasin vetëm për trupin apo fytyrën e saj, sikur të mos bëhej fjalë për një njeri me shpirt, por vetëm për një send". Në një moment të jetës, kur gjithçka dukej se po i shkonte keq, karriera dhe marrëdhënia personale, ndodhi diçka që e çoi situatën edhe më keq. Penelop u arrestua për trafik droge, por ndërhyrja e babait të pasur e shpëtoi. Pasi doli nga burgu, pa që edhe i dashuri e kishte lënë për dikë tjetër. Por, pikërisht këtu merr fund edhe periudha më e keqe e jetës së saj, pas së cilës nisi rikuperimi i ngadaltë dhe i sigurt. Në fillim iu rifut sërish botës së modelingut, u martua dhe lindi vajzën e saj, Paloma.

Mëmësia i dha një ndjenjë paqeje, sikurse nuk e kishte menduar kurrë. Pas saj erdhi eksplorimi shpirtëror, rrugëtimi nëpër shumë filozofi e fe, apo mënyra relaksimi e meditimi, mes të cilave më e rëndësishmja për të doli të ishte budizmi. Gruaja e sotme, që dikur kaloi periudha shumë të rënda, është sigurisht sanguine, por duket si një njeri që ka arritur një paqe të brendshme, një paqe për të cilën, siç thotë vetë, iu desh një kohë e gjatë të luftonte.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama